Të gjitha shenjat dhe faktet, pse nesër do të ndodhë Ndryshimi!

0
109

Nesër nga ora 7 e mëngjesit deri në 7 të mbrëmjes, 3 milionë e gjysmë shqiptarë që kanë të drejtën për të votuar, do të marrin një vendim, më të rëndësishmin e këtyre 30 viteve. Të gjitha shenjat janë se të Dielën populli do të kërkojë ndryshim.

Dhe saktë, këtë kemi përpara.

Nesër në orën 7 të mëngjesit, deri në 7 të mbrëmjes, në 5199 qendra votimi në gjithë territorin, 3 milionë e 588 mijë shqiptarë kanë mundësinë të vendosin për të ardhmen e tyre, për rrugën që do të ndjekë Shqipëria. Siç ka ndodhur edhe në zgjedhje të tjera, numri i votuesve është në fakt më i vogël se ai që shpall KQZ, duke qenë se rreth gjysma e atyre që e gëzojnë këtë të drejtë jetojnë jashtë vendit.

Ndryshimi, është asociuar me Opozitën. Ndërsa qëndrimi njësoj, me partinë në pushtet. Kjo fjalë, ka marrë edhe më shumë forcë nga fushata negative e rilindjes. Vetë bosi i tyre, në përpjekje për të përqeshur, e leqendisur kundërshtarët, e ka përmendur shpesh.

Ndryshimi që pritet të ndodhë nesër, shfaqet në të gjitha format e dimensionet. Lypsen lënë pas 3 dekada tranzicion, konflikt, dhe ushtrim pushteti për përfitim personal. 3 dekada abuzim, sherr, luftë.

Koha është për të instaluar një normalitet në vend. Nuk ka pse Shqipëria të rropatet sipas humorit e trilleve të atij që është në krye, e të shkojë në zgrip sa herë i teket Kryeministrit.

Duhet një korsi e re, ku qeveria nuk shtyp më njerëzit me çizmen e skalioneve të forcës, me instrumentat e pafundmë që ka. Të ndiejë frikë nga qytetarët, të japë llogari për angazhimet që ka marrë. Dhe të vlerësohet me një mundësi tjetër, ose të shkojë në shtëpi, nëse nuk ka punuar.

Koha ka ardhur që të bëhemi normalë e europianë, jo burim i përmuajshëm krizash, për shkak se qeveria qëndron gjithnjë mbi ligjin, nuk lejon drejtësinë të funksionojë dhe paralizon institucionet e pavarura.

Nëse drejtësia do të ishte në punë, dhe do të kishte fuqi mbi pushtetarët, kjo do të sillte prore korrigjimet e nevojshme në demokraci, dhe askush nuk do të bëhej dot prepotent i atyre përmasave sa të tallet tërë kohën me mikrofon në dorë, të vjedhë e të pasurohet, e prapë ta bëjë gjumin e qetë.

Koha ka ardhur që njerëzit të lihen të votojnë të lirë. Të lexohet vendimi i tyre, të pranohet verdikti që marrin.

S’mundet më, të marrësh pushtet të paligjshëm, e ta ushtrosh me bandat më të zeza në çdo qytet të Shqipërisë, apo me faktorë të errët që nuk janë votuar. Nuk jemi vendi i fundit i globit, dhe s’bën më ta lejojmë këtë.

Nuk ka pse të jemi përvit e më keq në çdo raport e vlerësim ndërkombëtar, vetëm e vetëm që rilindja të ruajë ofiqet e privilegjet, ndërsa Shqipëria të bjerë e të rrënohet.

Nuk ka pse të jemi shteti që ndihmon më pak në gjithë Europënnjerëzit në pandemi, që nuk rimburson asnjë ilaç, nuk ndihmon biznesin, teksa ndan qindra milionë euro me një grusht oligarkësh.

Një Zot e di pse duhet të durojmë një Kryeministër që ofendon çdo ditë të vitit këdo që nuk është në një mendje me të.

Dhe e etiketon popullin e tij, thashethemexhi, dembel, e të paditur.

E ndërkohë të shohim se si bëjnë karrierë, ata që bash këtë tipin e kurorëzojnë si Skënderbe, si Odise, si më të zotin se Merkelin.

Të gjitha këto mbrapshti, e plot të tjera që do një libër për t’i përmendur, janë aplikuar në mënyrë sistematike nga Edi Rama dhe qeveria e tij në 8 vite.

Më anë tjetër, kemi alternativën e Lulzim Bashës. Një politikan i maturuar tashmë, me përvojë e jo pak arritje në detyrat e mëparshme. Një lider që ka ruajtur përmasën humane. Ka bojën e njeriut në gjërat që bën, që thotë, dhe që merr përsipër. Asnjëherë Lulzim Basha nuk do të nxirrte nga banesa gra e fëmijë në mes të dimrit, me gaz lotsjellës, për të çuar përpara projektin e dhënies së dhjetëra milionë eurove për firma fantazmë. Kjo është një gjë që dihet që tani, me atë që njohim, nuk ka aspak nevojë të vihet në provë.

Nisur nga Lulzim Basha që njohim, është e sigurt se kurrë s’do të bëhet shaka me integrimin europian, dhe kushtet që kanë të bëjnë me vullnetin e qeverisë, do të përmbushen.

Nuk do të ketë shaka me kufijtë e Kosovës. S’do të ketë protagonizëm fodull, që udhëheqësi të dominojë skenën, të përpiqet për kreditet e veta personale, teksa vendi fundoset.

Dhe zor të ndodhë që me Lulzim Bashën Kryeministër, njerëzit të mos lihen të votojnë të qetë.

Angazhimi i tij është i matshëm, i prekshëm. Do të jetë kaq e lehtë për ta monitoruar dhe kërkuar llogari, për rritjen e pensioneve, për ndihmën ekonomike, për subvencionimin e fermerëve, të çdo fermeri, sipas prodhimit.

E kollajtë do të jetë për të parë se ç’do të bëjë me koncesionet. Si dhe ku do e destinojë buxhetin e shtetit. A do ta trajtojë si të ishte arka e oborrit të vet, siç ka ndodhur në këto 8 vite, apo si pasuria e shqiptarëve që dërgohet e shpërndahet sipas nevojave të njerëzve dhe prioriteteve.

Nuk do të jetë Lulzim Basha dikush që futet në zgjedhje pa opozitën. Që ndryshon Kushtetutën për të favorizuar veten e tij.

Dhe është e sigurt, që nuk do të jetë kryeministri që dehet e harbohet restoranteve deri në orët e para të mëngjesit me krerë bandash e të fortë qytetesh.

Zgjedhjet më të rëndësishme në 3 dekada

Shumë vetë bien dakord se nesër mbahen zgjedhjet më të rëndësishme në këto 30 vite pluralizëm. Sepse vendi po përballet me sfida të mëdha, historike. Disa gjëra janë mjaft të qarta. Një vijim i Ramës, çon në degradim të pakthyeshëm të demokracisë. Të gjitha shenjat dhe zgjatimet që ai ka lëshuar drejt një autokracie, përfundimisht çimentohen, dhe shumë parime e garanci vihen seriozisht në rrezik.

Po ashtu, nuk janë më të sigurta as disa orientime të Shqipërisë. Shumë vihet në diskutim edhe integrimi europian, duke qenë se Rama jo vetëm ka flirtuar në lindje, ka kritikuar BE-në, por më e rënda, i ka shtuar vendit 15 kushte për uljen në tryezën e diskutimeve për çeljen e negociatave.

Shumë përpjekje për të mos lejuar votim të lirë

Edhe pse vjen nga një damkosje e rëndë si autore e krimeve të tmerrshme zgjedhore, Dosja e Dibrës dhe e Shijakut, sërish rilindja nuk ka hequr dorë nga zakoni për të deformuar vullnetin e qytetarëve, për të mos e lënë të lirë gjykimin e popullit. Kjo u duk qartë që në verën e vitit të shkuar ku partia në pushtet nuk respektoi marrëveshjen që u arrit për zgjedhjet, duke ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin në mënyrë të njëanshme. Një prishje tradite në këtë drejtim, duke qenë se, me gjithë konfliktet dhe armiqësitë, gjithnjë partitë në këto 30 vite kanë rënë dakord për rregullat e zgjedhjeve.

Përpara zgjedhjeve, Rama lëshoi lëmosha me ndihmën sociale, vendosi të rrisë pagat e mjekëve dhe lëshoi premtime të bollshme.

Por mbi të gjitha, siç u konstatua edhe këto ditë, është në funksion makineria e blerjes së votës. Rasti i Elbasanit dëshmoi se vijon pakti me bandat për të shantazhuar dhe joshur votues me para.

Në Dibër, u kapën në kushte flagrante anëtarë të shtabit të PS që po shkonin në një fshat për të blerë vota me 5 milionë lekë.

Në Shkodër, po ashtu. Çdo ditë denoncohen raste të shpërndarjes së ushqimeve. Nuk kanë munguar kronikat e sulmeve ndaj demokratëve.

Të gjitha këto të krijojnë bindjen se qeveria nuk e dëshiron gjykimin e lirë të qytetarëve, sepse e di që do të jetë një ndëshkim i thellë, për shkak të mungesës së bilancit dhe mosrealizimit të premtimeve.

Ndërkombëtarët

Asnjëherë më parë, nuk ka pasur kaq shumë vëmendje për zgjedhjet nga ambasadorët dhe ndërkombëtarët, se sa sot. Zyrtarë të lartë të BE-së, ia kanë bërë të qartë qeverisë se votimet e të Dielës janë kusht për hapjen e negociatave.

Ambasadorja amerikane në Tiranë, e të tjerë partnerë të rëndësishëm kanë theksuar çdo ditë rëndësinë e tyre, dhe kanë bërë apel të vazhdueshëm për të mos lejuar shitjen dhe blerjen e votës.

Po ashtu, mesazhi ka qenë i përsëritur për të patur kandidatë me integritet në lista.

Të gjitha këto thirrje duket se vënë në shënjestër qeverinë. Si autoriteti përgjegjës, që të Dielën të kemi zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe ky do të jetë një provim i vërtetë dhe jo i kalueshëm me hatër. Besohet se në terren do të jetë numri më i madh i vëzhguesve të huaj që ka njohur vendi kohët e fundit. Dhe pjesa kryesore e tyre të instaluar në zonat më të nxehta si Elbasani.

Disa mrekulli të vogla që sjellin këto zgjedhje

Me shumë gjasë, votimet nesër kanë për të qenë një sitë e madhe që do të hedhë tej jo pak të tepërt, të padurueshëm, të neveritur nga opinioni dhe publiku.

Disa rilindas që janë sjellë në 8 vite si të dërguarit e perëndisëkanë nisur të ndiejnë lagështi të madhe pasi janë në zonat e ftohta të listës.

Servilë e mercenarë, të lidhur me krimin e me përfituesit e mëdhenj të buxhetit, antipatikë e krupëndjellës, me shumë mundësi këtë të Diel mbyllin karrierën e nuk u dalin më para syve njerëzve për t’u shkaktuar të vjella.

Po vota ndëshkuese, vota e protestës së popullit pritet të marrë para edhe mbrojtësit në publik të rilindjes, ata që ia kanë dalë të bëhen edhe më të padurueshëm se vetë ministrat, elisat e taulantët, nëpër studio televizive.

Rrëzimi i skotës që shtyp e fyen këdo prej 8 vitesh, rënia me turp e moralit që ata kanë përfaqësuar, do të marrë me vete dhe rropullitë e propagandës, speciet më mediokre dhe më të pafytyra që ka njohur vendi./Mapo

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here