5 arsye për t’i thënë “jo” sagës së dështimit, 5 motive për të përqafuar ndryshimin

0
135

Janë me dhjetëra e ndoshta me qindra, arsyet që mund të rëndisim në këtë shkrim për të votuar nesër kundër partisë në pushtet. Nëse ka ende të pavendosur të cilët mendojnë se në këto zgjedhje nuk ja vlen të votosh, se vota për palën tjetër nuk do sjellë ndryshim apo se janë të pakënaqur nga e gjithë klasa politike, më poshtë ju rendis disa arsye që ndoshta ju ndryshojnë mendim.  Janë të rënditura 5 fakte që kanë goditur themelet e shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare, duke i sjellë dëme të përmasave kolosole vendit.

1-Mund ta nisim nga shpopullimi që është edhe plaga më e rëndë e shkaktuar nga kjo qeverisje. Janë me mijëra familje që përgjatë këtyre dy mandateve të qeverisë rilindase kanë zgjedhur emigrimin jashtë vendit, në kushtet e theksuara të mungesës së shpresës në vend.  Kjo plagë u rëndua edhe më shumë kur nga viti në vit u rrit numri i të rinjve emigrues jashtë vendit, gjë e cila solli rrudhjen e theksuar të tregut të punës në vend. Aq më tepër që vetë qeveria favorizoi shpopullimin me ligjin e ndryshuar për punësimin e të huajve, duke u krijuar më shumë lehtësira. Nëse kryeministri do ishte angazhuar për krijimin e hapësirave për të rinjtë shqiptarë aq sa është angazhuar për thirrjen e punëtorëve nga Bangladeshi apo India, me siguri sot do ndodheshim në të tjera kushte.

2-Sundimi i antishtetit që ka favorizuar monopolet dhe oligarkët solli pasoja të rënda te shqiptarët por sidomos te shtresa e mesme, e cila sipas të gjitha statistikave të institucioneve përkatëse, ka qenë më e goditura nga politikat qeveritare.  U godit sipërmarrja, u shmang çdo normë tregu dhe konkurence, duke favorizuar ato individë që u cilësuam si “miqtë e qeverisë”. Këto të fundit, që në numër nuk i kalojnë gishtat e njërës dorë, përfituan çdo tender, duke i vënë shkelmin në fytyrë biznesit të ndershëm.

3- Dështimi me integrimin padyshim që përbën një tjetër arsye për ta ndëshkuar me votë Partinë Socialiste. Erdhën në pushtet me premtimin se brenda dy mandateve do na përfshinin në BE, por sot në mbyllje të 8 viteve, ende nuk kemi nisur negociatat me BE-në për integrimin. Konferenca e parë ndërqeveritare BE-SHQIPËRI as duket në horizont, ndërsa kushtet nga 3 shkuan në 15 të tilla. Sot në saj të paaftësisë së kësaj qeverie, ne jemi pas Serbisë, Malit të Zi madje dhe Maqedonisë, sa i takon hapave drejt integrimit. Nëse i jepet një tjetër mundësi qeverisë aktuale, me shumë mundësi sic edhe jemi orientuar në dy vitet e fundit, Shqipëria do të ndryshojë orientim duke parë drejt Lindjes.

4- Nëse ka një meritë kjo qeveri ajo është pa më të voglin dyshim, ngritja e ‘institicionit’ të tjetërsimit, blerjes dhe shantazhimit të votës, gjë e cila ‘shkëlqeu’ me dosjet “184” dhe “339”. Vrasja e demokracisë direkte përbën një tjetër arsye të fortë për të votuar kundër kësaj partie. Nëse goditet vota e lirë, goditen drejtpërdrejt themelet e shtetit demokratik. Rrjedhimisht humb çdo normë e shtetit ligjor, duke sjellë sundimin në vend të një pushteti autokratik.

5- Dështimi me punësimin, shëndetësinë, arsimin. 3 sektorët motorr të një shteti, përbëjnë “kryeveprat e dështimit” të qeverive “Rama”. Kryeministri erdhi në pushtet me premtimin për hapjen e 300 mijë vendeve të reja pune brenda një mandati dhe sot pas 8 vitesh,  sipas statistikave të institucioneve të kontrolluara nga pushteti, janë mundësuar vetëm 270 mijë vende. Pra atë që e premtoi në një mandat, nuk e mundësoi dot as në 2 mandate.

I njejti dështim spektakolar me shëndetësinë, i cili doli më zbuluar se kurrë gjatë kohës së pandemisë. U premtua në 2013-ën shëndetësia falas, por na sollën fenomenin “tire”. Janë me dhjetëra denoncime vetëm gjatë këtij viti për trajtim preferencial në këmbim të parave, duke lënë në dyert e ambulancave dhe spitaleve qindra qytetarë. Mos harrojmë se ky sektor ka vuajtur mbi kurriz koncensionet miliardere në favor të klientëve të qeverisë, si koncensioni i sterilizimit dhe ai i Chek-Up.

Dhe dështimi tjetër lidhet me arsimin, i cili ka sjellë pasoja të theksuara te emigrimi i te rinjve. Kalimi i ligjit të arsimit të lartë, duke mos marrë parasysh kritikat e pedagogëve dhe ekspertëve të fushës, ka sjellë pasoja të rënda te sistemi arsimor shqiptar. Po ashtu eksperimentet me maturantët vit pas viti që arritën kulmin me “pyetjen e Turit”.

– – – – –

Në këto zgjedhje opozita e bashkuar vjen më shumë se kurrë e organizuar dhe strukturuar për të arritur një rezultat spektakolar ditën e nesërme. Prezantimi te shqiptarët me një program të konsiliduar dhe fort mirë të llogaritur, duke mos sjellë premtime utopike, por krejt të arritshme, janë arma më e fortë e Opozitës përballë PS.

1-Partia Demokratike ka prezantuar në këto zgjedhje ndoshta programin më të arrirrë në këto 30 vite demokraci. Një program i dakordësuar me ekspertët më të mirë vendas e të huaj që ka parashikimin e tij me përpikmëri për çdo sektor . Taksa e sheshtë 9 % është “kali i betejës” i PD në këto zgjedhje, të cilën as Rama dhe ekspertët e tij me gjithë taborrët e propagandës, nuk kanë mundur ta mposhtin.

Me taksën progresive mbi pagat, e cila sot është  nga 13 dhe 23 %, PD propozon o të vendosi taksën e sheshtë vetëm 9% duke ruajtur, fashën ekzistuese të 300 mijë lekëve të para.

Konkretisht, marrim pagën mesatare 500 mijë lek të vjetra në muaj. Sot një individ me taksën progresive paguan 26 mijë lek të vjetra në muaj tatim mbi pagën.

Me taksën e sheshtë ai do të paguajë vetëm 9% e cila përkthehet në vetëm 18 mijë lek të vjetra në muaj. 300 mijë lekëshi i parë nuk tatohet. Tatohet çdo qindarkë mbi këtë 300 mijë leksh.

E thënë ndryshe me taksën e sheshtë 9%, me heqjen e taskës progresive çdo qytetar i cili paguhet sot me pagën bruto prej 500 mijë lekësh të vjetra do të ketë një kursim mujor prej 8 mijë lekësh ose e thënë ndryshe në vit, 96 mijë lekë.

2-Po ashtu edhe LSI vjen para shqiptarëve me një program dinjitoz e tepër social. Programi i LSI ka 5 prioritete, ku pika e parë lidhet me të rinjtë. Është programi ‘Mëso dhe Fito’  i cili do të investohet në kërkimin shkencor dhe inovacion, ku 5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) do të shkojë si investim për arsimin; do vendoset taksa e së ardhmes përmes së cilës, 1 përqind e fitimit së 200 aktiviteteve të mëdha do të shkojë për arsimin;

3-Me programin ‘Garancia Rinore’ do të mbështetet sipërmarrja e lirë e profesionistëve të rinj në fushën e teknologjisë dhe inovacionit;

4-Programi ‘nga bebja në bebe’ – për çdo fëmijë që lind, shteti do i ofrojë një garanci prej 1 mijë dollarësh dhe në momentin që ky fëmijë do të ketë mundësinë të krijojë familjen e tij e të bëhet me fëmijë, pas 25-30 vitesh, ai do të ketë rreth 25 mijë dollarë që të ndihmojë dhe krijojë familjen e tij.

5- Dhe së fundmi  do të hiqet TVSH-ja në të gjithë zinxhirin e prodhimit bujqësor.

Përballë kësaj alternative në këto zgjedhje vjen ajo e dështimit dhe mungesës së programit. Në këto zgjedhje PS konkuron pa program, ndërsa Rama premton aeroporte e porte, ku i vetmi rezultat i tij në vite në këtë fushë ishte skandali me aeroportin e Kukësit të inaguruar një javë më parë. Kush ka qenë në Kukës e di mjaft mirë se pista e aeroportit ka qenë aty prej vitesh dhe se ulja e parë e avionit aty ka ndodhur 20 vite më parë, kur Ilir Meta ishte kryeministër. Rama edhe këtë herë përdori fasadën, duke paraqitur si aeroport të ri një të tillë që kishte ekzistuar më parë, por që i ishte shtuar vetëm boja dhe vija e bardha.

Po aq skandaloze ishte edhe ulja e avionit në Kukës, pasi pasagjerët e mbërritur nga Londra u detyruan të ulen njëherë në Rinas e më pas të niseshin drejt Kukësit. Pak a shumë një skemë tipike përfaqësuese e Rilindjes, ndritshëm nga jashtë, skëterrë nga brenda.

Dhe nëse në këto zgjedhje do na duhet të zgjidhnim mes fasadës dhe normales, do ju thoja thjesht dhe përulësisht: Koha për ndryshim!

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here