Bizneset: Të rishikohet taksa e strehimit social, po rëndon konsumatorët me rritjen e çmimit të apartamenteve…

0
67

Komuniteti i biznesit ndihet i shqetësuar në lidhje me një ligj të miratuar kohë më parë për barrën e taksave me të cilën është rënduar sektori i ndërtimit.

Në një deklarate të përbashkët për shtyp të “Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë”, “Dhomës shqiptare të Tregtisë”, “Biznes Albania” dhe “Unioni I Bashkimit të dhomave të tregtisë”, ngrihet shqetësimi se dy vjet më parë në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare parlamenti ka votuar ligjin për Strehimin Social, i cili detyroi që 3 për qind të sipërfaqes së ndërtimit t’i kalohet bashkive për familjet e pastreha.

Komuniteti i biznesit e konsideron këtë ligj si një taksë të paarsyeshme dhe kërkon rishikimin e saj.

Ky ligj do të rrisë kostot për metër katror të çdo objekti të ri, pasi ai do të rëndojë në çmimin final që paguhet nga konsumatori.

Si hap të parë, komuniteti i biznesit kërkon që ky detyrim shtesë të evidentohet si një zë më vete në kontratën finale të shit-blerjes në mënyrë që të evidentohet që ky është një detyrim i politikës dhe jo një kosto e ndërtuesit.

Nga ana tjetër, komuniteti i biznesit i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese, e cila është duke e shqyrtuar këtë çështje, të shfuqizojë nenin detyrues të kësaj takse.

Solidariteti për shtresat në nevojë dhe vulnerabile duhet të mbështet nga të gjithë tatim paguesit e Shqipërisë dhe jo vetëm nga një segment i caktuar i ekonomisë, siç është sektori i ndërtimit, i cili sot është më i rënduari nga barra e taksave.

Ligji nr 22/2018, date 03/05/2018, “Për Strehimin Social” hasi që në fillim në kundërshtimin e bizneseve. Sipas një deklarate të atëhershme, ndërtuesit paralajmëruan se kjo taksë do të përfshihej në çmimin e apartamenteve.

“Me Justifikimin se po bën politika sociale në favor të njerëzve në nevoje, Qeveria nuk po kupton se ne të ardhmen do të rëndojë xhepat e qytetareve te thjeshte, të cilët si konsumatorë finalë do të detyrohen që, ashtu si edhe në rastet e tjera, të mbartin kostot e këtyre politikave sociale, pasi është e qartë se kjo takse do të rrisë çmimet e pasurive të paluajtshme”, thuhej në një deklaratë të Shoqatës së ndërtuesve dy vjet më parë.

Neni 19 i ligjit në fjalë detyron ndërtuesit privatë që aplikojnë për leje ndërtimi që për ndërtime me sipërfaqe ndërtimore banimi mbi dy mijë metra katror të kalojnë pa shpërblim të paktën tre për qind të sipërfaqes funksionale për ndërtim, me qëllim që kjo e fundit t’ia kalojë në përdorim apo pronësi për nevoja strehimi njerëzve në nevojë, ose thënë ndryshe të kalojë në pronësi të Bashkisë jo më pak se 60 metra katror sipërfaqe funksionale me destinacion banimi.

Çmimet e apartamenteve kanë shënuar rritje të vazhdueshme dy vitet e fundit dhe ndërtuesit pohojnë se një nga arsyet është taksa e strehimit social.

Disa kompani ndërtimi, në kontratat e shitjes po e veçojnë taksën e strehimit, duke ia shtuar çmimit që është rënë dakord, në mënyrë që të specifikohet se kjo është një kosto shtesë, që nuk ka të bëjë me politikat e çmimeve të kompanisë./Monitor

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here