Basha: Me programin e PD fermerët do të marrin 100 milionë euro ndihma….

0
77

Kreu i PD, Lulzim Basha tre ditë para zgjedhjeve ka nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar.

Basha teksa akuzonte Ramën për politikat atij në bujqësi, ka garantuar se me programin e PD fermerët do të marrin 100 milionë euro ndihma.

Ai thekson se me hapjen e negociatave me BE në 100 ditët e para të qeverisjes së PD, do të krijohen mundësitë për subvencione direkte për bujqësinë shqiptare.

NJOFTIMI PËR MARRËVESHJEN E PARTISË DEMOKRATIKE ME KËSHILLIN E AGROBIZNESIT SHQIPTAR

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka nënshkruar marrëveshjen me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar. Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se pas 8 vitesh ngecje në vendnumëro në shumë fusha, ku përfshin dhe sektorin e bujqësisë, ka ardhur koha që fermerët dhe agro-përpunuesit shqiptar të mbështeten me programe serioze.

Sipas kreut të opozitës, ky është sektori më jetik për ekonominë kombëtare dhe ndryshimi më 25 prill shihet në këto marrëveshje që janë garancia e qeverisë së ardhshme që do t’i shërbejë fuqizimit të bujqësisë dhe fermerit shqiptar. Lideri i opozitës gjithashtu tha se me nxitjen përmes programeve për shumëfishimin e ndihmës nga IPARD-i dhe hapja e negociatave brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, do të krijojnë mundësi për subvencione direkte për bujqësinë shqiptare.

I nderuar zoti Rrapaj, kryetar i këshillit të Agrobiznesit shqiptar, zonja Shena, drejtore ekzekutive, profesor Binaj Drejtor i Këshillit të Ekspertëve të Agrobiznesit, zoti Shehi, kryetar i shoqatës së prodhuesit e verës familjare, profesor Mavromati kryetar i shoqatës “Shëndeti i Kafshëve dhe Mjedisi”, zoti Gjoka, kryetar i Shoqatës së Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, zoti Kasa, kryetar i Unionit Turistik Shqiptar!

Takohemi për herë të dytë në një hark kohor të shkurtër. Është kënaqësi t’ju mirëpres si përfaqësues të 25 shoqatave kombëtare dhe 12 këshillave rajonale të agrobiznesit që përbëjnë Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar.

Jemi këtu, pra, për të finalizuar një marrëveshje që vjen pas 8 vitesh bashkëbisedim të hapur, që ka ndodhur në ambientet e tuaja të punës, në arat dhe serat e fermerëve, në stallat e blegtorëve, në molet e peshkatarëve, në impiantet e përpunimit të industrisë, të agrobiznesit. 8 vite në të cilat ne kemi prekur dhe ndjerë nga afër shqetësimet dhe hallet, problemet e shtuara dhe ngecjen në vendnumëro e shpeshherë falimentimin dhe ecjen prapa të një sektori jetik për ekonominë kombëtare.

Pothuajse 50% e popullsisë varet nga ky sektor, ndonëse kontributi ekonominë kombëtare nuk i përgjigjet të njëjtave shifra.

Ndonëse, kontributi në ekonominë kombëtare është afër 22% prapë se prapë 1 në 2 shqiptarë varet nga aktiviteti i bujqësisë, blegtorisë, agro-përpunimit dhe degëve të tjera dhe kështu pra, kemi një detyrim të jashtëzakonshëm për t’i dhënë fund mbetjes në vendnumëro dhe për të ecur përpara. Ne kemi vëzhguar së bashku diagnozën, problemet që kanë shkaktuar këtë kolaps në bujqësinë shqiptare.

Ne kemi evituar së bashku potencialin e vërtetë të këtij sektori dhe të gjithë nënsektorët e tij.

Ne kemi parë po kështu mundësitë e shtetit shqiptar, mundësitë reale jo tullumbacet elektorale për të ndihmuar fermerin shqiptar, blegtorin shqiptar, agro-përpunuesin shqiptar.

Ne kemi bërë krahasime me modele të suksesshme dhe nuk na është dashur të fluturojmë larg por mjafton të hedhim vështrimin përtej kufirit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në Kosovë dhe të shikojmë ndryshimin bardh e zi që si ata kanë ecur përpara duke mbështetur fermerin, duke mbështetur infrastrukturën rurale, duke i kushtuar rëndësi të veçantë ushqimit, sigurisë, industrisë ushqimore dhe po kështu duke i parë ato si një pjesë e pandarë e ekonomisë kombëtare, jo vetëm turizmit por dhe degëve të tjera të ekonomisë e në veçanti si një potencial krejtësisht i pashfrytëzuar për eksportin shqiptar. Bashkë kemi formuluar zgjidhjet.

Me shoqatat e fermerëve i kemi diskutuar këto dhe tashmë po i bëjmë pjesë të planit tonë të punës, planit të punës që qeveria e ardhshme është e gatshme ta zbatojë pas 25 Prillit.

Të nderuar përfaqësues të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar!

Ne jemi këtu sot për ta finalizuar këtë marrëveshje pasi jemi të bindur se ndryshimi është i domosdoshëm, jetik. Se pas 8 vitesh mbetje në vendnumëro dhe ecje prapa në shumë fusha as fermeri shqiptar, as agro-përpunuesi shqiptar, as konsumatori shqiptar nuk mund të vazhdojë më tej as 4 javë të tjera kështu.

Ndryshimi ka marrë një formë konkrete përmes angazhimeve të programit tonë.

Ky program nuk vjen si rezultat i dy muajve punë para fushate. Ju e dini fare mirë, puna ka nisur vite e vite më përpara por unë jam i nderuar dhe i privilegjuar të ndaj me ju faktin se programi në vetvete është produkt i ekspertëve të fushës, është produkt i bashkëpunimit të dialogut dhe sugjerimeve tuaja dhe dhjetëra përfaqësuesve të tjerë me të cilët kemi dialoguar gjatë kësaj kohe, është produkt i kontrollit disafish të praktikave më të mira europiane në këtë fushë sepse në fund të fundit synimi ynë mbetet anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian.

Ne e dimë fare mirë që nga njëra anë procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian do t’i mundësojë këtij sektori, sektorit të bujqësisë, të ushqimit, të konsumit, një mbështetje që i ka munguar deri më sot apo që është keqpërdorur: IPARD-i ka mundësinë të shumëfishohet përmes programeve të tjerat të shumta të Bashkimit Europian për të ndihmuar fermerët, agrobiznesin, turizmin dhe të gjithë degët e tjera të ekonomisë të lidhura me të.

Pra, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian është jetik por kjo rrugë ka 8 vite që është bllokuar.

Negociatat janë premtuar në 2013 se do të hapeshin pas një viti dhe mbeten akoma larg. Përmes angazhimit tonë për t’i hapur negociatat brenda 100 ditëve të para të qeverisjes tonë ne e kemi të qartë se nuk bëhet fjalë vetëm për një firmë që unë do të hedh në Bruksel por bëhet fjalë për hapjen e mundësive që sot fermerët e vendeve të tjera të rajonit i gëzojnë.

Në këtë mënyrë për çdo euro që qeveria e re shqiptare do të çojë tek fermeri shqiptar, do të kemi të paktën 1 euro ose më shumë nga Bashkimi Europian.

Në këtë mënyrë do të arrijmë të subvencionojmë fermerin shqiptar në mënyrë të drejtpërdrejtë, mbështetja do të jetë direkte tek fermeri, pa burokraci, duke përdorur modelet më të avancuara për të shmangur abuzivizmin dhe kontaktin me administratën.

Në këtë mënyrë do të bëjmë të mundur që prodhimet tona cilësore, që janë krenaria jonë e duhet të jenë krenaria e ekonomisë tonë, të përbëjnë një bekim edhe për konsumatorin në kuptimin e cilësisë dhe çmimit, edhe për prodhuesin në kuptimin që në vend që të zhytet siç është sot në fakt, në borxhe, të krijojnë mirëqenie personale, familjare, ta kthejnë në një sipërmarrje aktivitetin e tyre si fermerë edhe për industrinë e lidhur me të. Pra, në një bekim për ekonominë shqiptare.

Një zgjim kombëtar të ekonomisë shqiptare, të energjive pozitive të këtij sektori, nuk mund ta arrijmë pa bërë të mundur që një sektor kyç, siç është ai i bujqësisë, të marrë të paktën, të njëjtën mbështetje që merr ai në Maqedoninë e Veriut apo në Kosovë.

Pra, nuk jemi këtu për të nënshkruar mrekullira, por partneritet të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë për një qëllim të përbashkët të cilit i shërbejmë nga pozita të ndryshme që është fuqizimi i bujqësisë, fuqizimi i fermerit shqiptar, mirëqenia e fermerit shqiptar dhe mundësia që ky sektor të rrisë kontributin në ekonominë kombëtare, të rrisë eksportin dhe të kurojë apo të ndihmojë në kurimin e disa plagëve të mëdha që na janë hapur, siç është emigracioni masiv i të rinjve: të rinjtë e zonave rurale dhe jo vetëm, që shkojnë si mëditës, punëtorë me mëditje në Maqedoninë e Veriut apo në Greqi apo diku tjetër.

Me këtë program ata do të kenë instrumentet që në tokat e tyre, në asetet e tyre bashkë me prindërit e tyre, të krijojnë mjaftueshëm mirëqenie, jo për mbijetesë por për të jetuar me dinjitet e për të siguruar e garantuar dhe planifikuar jo thjesht të nesërmen por të ardhmen e tyre.

Ndryshimi është imperativ, tashmë këtë e di çdo shqiptar dhe jo vetëm. Është e qartë që nuk mund të ecim drejt Bashkimit Europian pa bërë të mundur ndryshimin. Për ne, ndryshimi përkthehet në punë konkrete për të zbatuar këto angazhime konkrete, në sektorin tuaj dhe në çdo sektor tjetër të ekonomisë.

Kjo është përgjegjësia jonë, kjo është përgjegjësia e çdo force politike e cila kërkon t’i shërbejë vendit dhe qytetarëve. Të bëjë analizën e qartë të problemit, diagnozën dhe të sjellë zgjidhje realiste dhe të angazhohet seriozisht dhe me përgjegjësi për t’i bërë këto zgjidhje realitet. Ky është angazhimi im, i ekipit tim, i Partisë Demokratike dhe i Aleancës për Ndryshim, para jush, para të gjithë atyre që ju përfaqësoni në këtë marrëveshje. Kjo është përgjegjësia jonë.

Thënë kjo, përgjegjësinë për ndryshim e kanë qytetarët. Dita kur kjo mundësi paraqitet është 25 prilli dhe instrumenti i vetëm për ndryshim, mundësia e vetme për ndryshim, është vota. Ne po marrim përgjegjësitë tona.

Unë kam një ftesë, në këtë nënshkrim të marrëveshjes, me ju dhe përfaqësuesit e shoqatave të tjera, të cilët po kështu, janë të përfshirë në këtë marrëveshje të negociuar tashmë prej shumë kohësh. Unë kam një thirrje për ju, që të merrni përgjegjësitë me votë, në 25 prill! Me të gjithë sektorët, me të gjithë fermerët, me të gjithë agro-përpunuesit, me familjarët, me shokët, me miqtë! Përmasat e dëshirës për ndryshim, janë kombëtare!

Ato tejkalojnë ndarjet partiake, si asnjëherë etja për ndryshim duket kudo por ndryshimi është në dorën e qytetarëve. Secili ka përgjegjësinë ta shprehë atë me votë, ndaj që të na mundësoni zbatimin e kësaj që nënshkruajmë sot, zotim që e marrim, angazhim që e marrim publikisht, haptazi dhe me transparencë, ju kërkoj që masivisht t’u drejtoheni kutive të votimit dhe të votoni për ndryshimin!

Të votoni për Partinë Demokratike, për Aleancën për Ndryshim dhe të na mundësoni që zotimet që sot marrim përsipër, nesër t’i keni realitet! Na mundësoni po kështu, që pas 25 prillit, të themelojmë një kulturë të re politike në vend sepse unë dua ta përsëris sot, atë që kam thënë kudo, nëse zotimet nuk përmbushen, unë nuk do të kërkoj një mandat tjetër! Ky duhet të jetë themeli i politikës europiane, me të cilën duam të ndërtojmë Shqipërinë Europiane, sepse kështu funksionon Europa, kërkon votën, merr përgjegjësi! Tetë vite kanë kaluar, ku vota është kërkuar me premtime të shumta që nuk janë mbajtur!

Tani po vjen koha të mbyllim derën e politikës që premton, nuk bën asgjë dhe pastaj ripremton në prag të votimeve. Andaj, zotohem para jush, këto angazhime, të cilat sot i firmosim bashkërisht, do të përbëjnë edhe testin e provës për katër vitet e ardhshme!

Natyrisht, ne do të takohemi vazhdimisht, nuk do ta lëmë për ditën e fundit por jam i bindur se bujqësia shqiptare, fermeri shqiptar, industria agro-përpunuese shqiptare, përmes masave që do të marrim, përmes një qeverie që do të jetë në krahun e tyre dhe jo kundër tyre, do të përjetojë një ndryshim të thellë ekonomik. Një rritje të prodhimit, një rritje të eksportit dhe një rritje të mirëqenies për të gjithë fermerët shqiptarë, familjet e tyre dhe gjithë punonjësit e sektorit të agro-përpunimit, të biznesit dhe sektorëve të tjerë, të cilët ndërlidhen me të, siç është sektori i turizmit. Ju faleminderit!

Agim Rrapaj: Faleminderit, zoti Kryetar! E vlerësojmë të rëndësishme këtë marrëveshje për arsye se po hidhet një hap tjetër në drejtimin e besimit për ato çka thuhen në një fushatë elektorale.

Ky hap i domosdoshëm në këtë marrëveshje pasqyrohet realisht tek ajo çka në brendësi marrëveshja. Unë dua të vlerësoj edhe procesin që ne kemi negociuar dhe grupin e punës i cili ka qenë tek zyrat e Kashit me një pjesëmarrje më të gjerë, të them të drejtën kemi debatuar gjatë deri sa arritëm këtë marrëveshje që do të nënshkruajmë sot.

Është shumë e rëndësishme për të shpjeguar edhe qëllimin përse ne e kemi këtë marrëveshje. Jemi përqendruar në një qëllim kryesor që ato çka themi sot ti realizojmë në praktikë dhe të jemi të besueshëm nesër për të bërë atë çka kërkon vetë fermeri. Objekti i marrëveshjes është mjaft i gjerë, por mbledh brenda vetes katër shtylla kryesore.

Shtyllën e parë është procesi i kooperimit dhe koordinimit që është një ndër plagët e patrajtuara siç duhet deri më sot ne kemi të formalizuara vetëm 17% sot të fermerëve dhe 83% janë të paformalizuar.

Fakti që ne po e vlerësojmë këtë proces të formalizmit të fermerëve është shumë i rëndësishëm për të gjithë proceset në vijim. Elementi i dytë i rëndësishëm ka të bëjë me inovacionin, me mekanizimin dhe me digjitalizimin. Është element shumë i rëndësishëm dhe edhe kjo është një plagë që ne po vendosim përsëri gishtin për ta realizuar në të ardhmen. Elementi tretë i rëndësishëm ka të bëjë me çështje në financimit dhe disbursimit të fondeve grant.

Ne kemi mirëpritur ofertën e bërë nga Partia Demokratike për 100 milion grant dhe 50 milion investime në infrastrukturë. Është shumë e rëndësishme vendosja e shifrës, por akoma më e rëndësishme është vënia e kësaj shifre në proces. Ne besojmë se do të shpërndahet ashtu siç duhet.

Element tjetër i rëndësishëm i kësaj marrëveshje është tek përmirësimet ligjore. Kemi ligje që nga 2012 që nuk janë prekur me dorë dhe nuk janë formalizuar apo nuk janë nxjerrë amendamentet e duhura.

Ky është mjaft i rëndësishëm. Përmenda këto katër shtylla të marrëveshjes se mbi bazën e këtyre shtyllave në themi të kemi një impakt të jashtëzakonshëm për sa i përket në vijimësi. Është e rëndësishme që ne këto katër shtylla t’i konkretizojmë në një afat sa më të shkurtër në mënyrë që të bëjmë realitet të gjitha angazhimet e tjera.

Unë ju falënderoj shumë për këtë marrëveshje që do të nënshkruajmë sepse kjo do të na forcojë më shumë besimin në të ardhmen. Faleminderit!

Lulzim Basha: Faleminderit zoti kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar!

Ju ftoj atëherë të nënshkruani marrëveshjen, të finalizojmë një punë disavjeçare dhe të marrim këtë zotim publik dhe transparent para gjithë fermerëve shqiptarë dhe sektorit të agro-përpunimit. Ju uroj punë të mbarë dhe mbarësi!

Në këto ditë të mbetura që na ndajnë nga dita e votimit, ju uroj përgjegjshmërinë maksimale për vendimet që do të merrni dhe ju kërkoj të votoni për ndryshimin, të votoni për numrin 9, në mënyrë që zotimet e mara të bëhen realitet duke filluar nga dita e parë e qeverisjes së ardhshme. Faleminderit shumë!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here