Plagosja në zyrat e PD/ Si u implikuan zyrtarët e Bashkisë së Kavajës…

0
117

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në darkë në Kavajë, ku brenda një zyre elektorale të Partisë Demokratike është plagosur një aktivist i Opozitës. Autori, person me precedent penal dhe i shoqëruar nga një zyrtar i Bashkisë. Shkon me urgjencë në vendngjarje kreu i demokratëve Lulzim Basha, që e cilëson një atentat ndaj demokracisë të frymëzuar nga qeveria në ikje. Basha: Jemi më të vendosur se kurrë, përgjigjja, të Dielën me votë. Reagon Rama: Ngjarja, e patolerueshme, të mos politizohet

Një ngjarje e rëndë që tenton të tensionojë situatën politike ka ndodhur dje në mbrëmje në qytetin e Kavajës, kur Ndriçim Jonuzi, i njohur si përkrahës i së majtës, ka hyrë në një nga zyrat elektorale të Partisë Demokratike, dhe ka plagosur me armë zjarri Bledar Okshtunin aktivist i opozitës. Autori në ato momente ka qenë i shoqëruar nga Markel Shtylla, drejtor i Policisë Bashkiakë Kavajë, dhe Dorian Troplini, edhe ky punonjës i Bashkisë Kavajë.

Policia në një njoftim zyrtar bën me dije, se konflikti nisi si pasojë e një konflikti me motive të dobëta, por nuk jep shpjegim se çfarë kërkonte autori i armatosur nën shoqërinë e dy zyrtarëve të shtetit, madje në njoftimin e saj dy personat zyrtarë të bashkisë nuk përmenden fare. “Sot rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, shtetasi N. J., dyshohet se si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik dhe ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë, i cili shton se po bëhet ndjekja e tij.

Deklarata
Pas incidentit në zyrën e shtabit elektoral numër 4-5 të Kavajës ka mbërritur drejtuesja politike Grida Duma, si dhe anëtarë dhe simpatizantë të opozitës. Në fjalën e saj Duma e cilësoi si ngjarje politike, ndërkohë që tha se kësaj çështjeje do i shkojë deri në fund. “Incidenti, aksidenti dhe goditja, janë të gjithë me arsye politike. 3 personat e përfshirë në krim, janë të përfshirë me PS. I njohim pa diskutim. Nga çasti në çast presim zotin Basha. I plagosuri është një djalë i një familjeje pishtar i Demokracisë. Tre persona hynë brenda, dhe djali ishte ulur në karrige. S’më lejohet që të futem brenda. Dyert janë të mbyllura. Pak më parë e pashë situatën. Bledar Okshtuni i plagosur. Është një ngjarje e rëndë. Për sa kohë që përfshihen policë bashkiakë, kjo ngjarje s’kalohet lehtë”, -tha Duma duke shtuar se “kanë frikë se po humbin.

I përfshirë në ngjarje është edhe drejtori i policisë Markel Shtylla dhe drejtori Rama s’po mban në kontroll dot humbjen. Kanë krijuar pretekst, hiq makinën ose jo, me dy përfaqësues policie. Rama e kupton se i ka ardhur fundi dhe bën të tilla trazira. Njerëzit nuk e pranojnë këtë sfidë të dhunës”.

Basha
Rreth një orë pas ngjarjes, në Kavajë ka mbërritur dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili akuzoi publikisht Kryeministrin Rama si inspirues të dhunës. Basha tha se pavarësisht veprimeve të tij, opozitës nuk do mund t’ia mbyllin gojën dhe se më 25 prill shqiptarët do i japin përgjigjen e duhur Edi Ramës. “Nuk na e kanë mbyllur gojën kurrë, nuk i kemi frikë, do marrin përgjigjen e merituar me votë të dielën sepse Kavaja e di fare mirë, të tilla akte kanë shënuar kthesat e mëdha, rrëzimin e diktatorëve dhe diktaturave, tregojnë frikën në palcë dhe humbjen e toruas nga një njeri dhe një grusht njerëzish. Shqiptarët janë të vendosur t’i largojnë dhe të bashkuar për të sjellë ndryshimin. E vendosur dhe e bashkuar është Kavaja, PD, Aleanca për Ndryshim. Le t’ia japim përgjigjen këtij akti burracak, këtij atentati të gjithë masivisht të dielën në kutitë e votimit. Kështu t’i japim fund njëherë e mirë këtij 8-vjeçari makth dhe të kthejmë Kavajën e demokracisë, të shpresës dhe zhvillimit. Të gjithë së bashku, asnjë hap mbrapa, të vazhdojmë marshimin tonë. Krah për krah deri ditën e diel”, deklaroi Basha.

Rama: E patolerushme, ngjarja të mos politizohet

Kryeministri, Edi Rama ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kavajë, ku funksionari lokal i PD, Bledar Okshtuni u plagos brenda zyrës elektorale të PD. Rama në një status në Twitter e cilëson ngjarjen si të patolerueshme dhe kërkon që ajo të mos politizohet. “Plagosja e Kavajës, e patolerueshme! Autori duhet çuar në pranga sa më shpejt! Politizimi i kësaj ngjarjeje është po aq i keq sa vetë ngjarja! LB duhet të bashkohet me mua për të mbështetur drejtësinë pa nxitur tensionin, ndërsa IM duhet ta ndalë fushatën idioteske të tensionimit!”.

Tensionohet dhe Berati

Tensionet situata në Berat pak ditë para zgjedhjeve. Gjithçka ndodhi pasi kandidati për deputet i PD-së Tomor Alizoti bashkë me përfaqësues të tjerë të selisë blu, identifikuan dhe bllokuan një mjet me ndihma ushqimore të rezervave të shtetit, që thuhet se do të shpërndaheshin nga PS-ja te disa familje. Tomor Alizoti së bashku me përkrahës të tjerë kanë mbajtur të rrethuar fugonin. Drejtori i Policisë së qarkut të Beratit, Neritan Nallbati ka mbërritur në vend, teksa ka pasur dhe debate me kandidatin e PD, Alizoti. Ky i fundit ka kërkuar shoqërimin e fugonit në polici dhe ruajtjen e provave. Në sfond dëgjohen edhe brohorima në kor “Rama ik”.

Meta-Ramës: Thellohu, reflekto dhe shko te SPAK, rrëfehu vetë

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka bërë thirrje nga Kavaja kryeministrit Edi Rama të reflektojë dhe të rrëfehet te SPAK. Meta ka qenë në zyrën elektorale të PD, ku është pritur me duartrokitje nga qytetarët teksa ka parë vendin ku mbeti i plagosur 27-vjeçari Bledar Okshtuni, sekretar i degës. Në shoqërinë e tij ishte dhe kandidatja e PD Grida Duma.

“Jemi bërë faqja e zezë e botës për qejfin tënd. 3 vjet na bllokove me atë të Fierit, tani dhe 5-6 vjet. Thellohu, reflekto dhe shko tek SPAKU dhe rrëfehu vetë! Me qetësi. Presidenti e ka detyrë të bëjë thirrje për reflektim. Me qetësi! Çdo njeri që bën krime zgjedhore do të përgjigjet. Nuk ka asnjë rrethanë lehtësuese”, deklaroi Meta.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here