Liria e medias/ Gazetarët Pa Kufij: Shqipëria futet mes vendeve ‘problematike’

0
102

Organizata Gazetarët pa Kufi (RSF) tha se gazetaria që ajo e quan vaksinën kryesore kundër dezinformimit, është bllokuar plotësisht ose pjesërisht në 73 për qind të 180 vendeve të botës.

Në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2021, organizata tha se ka pasur një përkeqësim dramatik të gjendjes së gazetarisë

Image

Shqipëria

Në treguesin që përfshinë 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin e 83-të, duke fituar një vend nga viti i kaluar, kur ishte në vendin e 84-të.

Në pjesën për Shqipërinë thuhet se ‘qeveria e shtoi trysninë mbi median në vitin 2020, duke kërcënuar përsëri me miratimin e një ligji kundër shpifjes, pavarësisht kritikave nga organizatat e lirisë së shtypit dhe këshillimit kundër tij nga Komisioni i Venecias’.

I bllokuar nga një veto presidenciale në vitin 2020, ky ligj, thuhet në raport, ‘ka të ngjarë të ojë në rritje të censurës në një vend ku qeveria tashmë kufizon qasjen e gazetarëve në informacionin e kontrolluar nga shteti dhe përdorë ndarjen e licencave për të kontrolluar peizazhin e mediave transmetuese’.

Sjellja e qeverisë ndaj medias inkurajoi biznesmenët dhe zyrtarët pro-qeveritarë të padisnin gazetarët, ndërsa përdorimi i gjuhës denigruese i ka shndërruar gazetarët në shënjestra të mundshme sulmesh, thuhet në raport në të cilin nënvizohet se sulmet fizike janë të zakonshme dhe autoritetet anë dështuar të dënojnë autorët.

Në fillim të krizës së koronavirusit, kryeministri Edi Rama, thuhet në raport, nxiti publikun të ‘mbrojë veten nga media’ dhe refuzoi të ndihmonte kur pandemia përkeqësoi problemet financiare të medias deri në atë pikë sa botimi i gazetave u ndërpre për rreth gjashtë javë. Po ashtu, të ardhurat nga reklamat ranë kur disa programe u pezulluan pasi që qeveria ndaloi praninë e më shumë se dy personave në një studio.

Përpjekjet për të kriminalizuar gazetarinë u rishfaqën kur policia arrestoi dhe keqtrajtoi gazetarët gjatë demonstratave, thuhet në raport në të cilin përmenden edhe akuzat për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj dy kanaleve televizive që janë kritike ndaj qeverisë dhe bashkisë së Tiranës, Ora News TV dhe Channel One, në verën e vitit 2020.

Raporti vë në pah se me gjithë kërcënimet ndaj pavarësisë së tyre editoriale, mediat krijuan një platformë për vetë-rregullim etik, e para e këtij lloji në Shqipëri.

Kosova

Kosova ka shënuar një rënie prej tetë vesesh në krahasim me vitin e kaluar. Treguesi i Gazetarëve pa Kufij e radhiti atë sivjet në vendin e 78-të ndryshe nga një vit më parë kur ishte në vendin e 70-të. Media në Kosovë, si pothuajse çdo gjë tjetër në vend, mbetet e ndarë përgjatë vijave etnike, thuhet në pjesën për Kosovën.

‘Qasja në informacione të caktuara shpesh është e kufizuar për një grup të veçantë etnik ose politik, dhe mediat priren të përqendrohen në çështje që lidhen me kombësinë e tyre dhe t’i mbulojnë ato vetëm nga këndvështrimi i tyre’, thuhet në raport në të cilin theksohet se disa gazetarëve nga Serbia u është refuzuar hyrja në Kosovë në fillim të vitit 2021, me arsyetimin se nuk u kanë paraqitur autoriteteve të Kosovës asnjë paralajmërim.

‘Gazetarët dhe mediat në Kosovë janë të ekspozuara ndaj një mjedisi armiqësor që përfshin sulme fizike dhe verbale, sulme kibernetike, trysni për vet-censurë dhe mungesë transparence në lidhje me pronësinë e medieve’, thuhet në raport, në të cilin theksohet se mediat financiarisht të paqëndrueshme ‘janë të brishta përballë ndikimit politik dhe se si rezultat i pandemisë, shumë gazeta u desh t’i japin fund botimit’.

Aty thuhet se policia shfrytëzoi orën e ndalimit të lëvizjes për shkak të Covid-19, si shkas për arrestimin e redaktores së gazetës në internet KoSSev, Tatjana Lazareviç.

‘Fati i shumë gazetarëve të zhdukur, veçanërisht atyre që u zhdukën ose u rrëmbyen gjatë konfliktit të vitit 1999, është ende i panjohur’, përfundon raporti.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut radhitet në vendin e 90-të, Serbia në vendin e 93-të dhe Mali i Zi në vendin 104-të.

Menjëherë pas publikimit të raportit të Gazetarëve pa Kufij, Asociacini i Gazetarëve të Kosovës tha se ‘gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari’.

Situata gjithandej nëpër botë

Sipas Gazetarëve pa Kufij, vetëm në 7 për qind të vendeve të botës, mjedisi për gazetarinë është shumë i mirë, që është pika më e ultë që nga viti 2013.

Të dhënat e Indeksit, që mat kufijtë e qasjes në informacion dhe pengesat për mbulimin e lajmeve, konfirmojnë përpjekjet dhe masa për bllokimin e gazetarisë.

Të dhënat tregojnë se gazetarët e kanë gjithnjë e më të vështirë të hulumtojnë dhe raportojnë për tema të ndjeshme, veçanërisht në Azi, Lindjen e Mesme dhe Evropë.

Sekretari i përgjithshëm i RSF-së Christophe Deloire Orgazuara thotë se ‘Gazetaria është vaksina më e mirë kundër dezinformimit’ .

‘Por për fat të keq, prodhimi dhe shpërndarja e saj shpesh bllokohet nga faktorë politikë, ekonomikë, teknologjikë dhe ndonjëherë edhe kulturorë. Në përgjigje të përhapjes së dezinformimit përtej kufijve, në platformat digjitale dhe në mediat sociale, gazetaria është rruga kryesore për të siguruar që debati publik të bazohet në një rreze të gjerë dhe të larmishme faktesh’, thotë ai.

Evropa regjistroi një përkeqësim të konsiderueshëm në treguesin e saj të ‘abuzimeve’, me më shumë se dyfishin e akteve të dhunës në Bashkimin Evropian dhe Ballkan, krahasuar me një përkeqësim prej 17% në të gjithë botën. Sulmet ndaj gazetarëve dhe arrestimet arbitrare u rritën në Gjermani, Francë, Itali, Poloni e cila ka rënë dy vende, Greqia që ka rënë për pesë vende.

Evropa dhe kontinenti Amerikan, vazhdojnë të jenë kontinenti më i favorshëm për lirinë e shtypit, i marrë si rajon, edhe pse në atë amerikan, u regjistrua përkeqësimi më i madh për sa u takon shkeljeve rajonale (deri 2.5 për qind.

Renditje të tjera

Norvegjia renditet e para në Indeksin për vitin e pestë me radhë, edhe pse mediat e vendit janë ankuar për mungesën e qasjes në informacionin shtetëror për pandeminë. Finlanda e ka mbajtur vendin e dytë ndërsa Suedia është në vend të tretë, të cilin vitin që kaloi e kishte Danimarka, vend që këtë vit është në vend të katërt. Kjo radhitje konfirmon qartë suksesin e ‘modelit nordik’ në përkrahjen e lirisë së shtypit.

Vendi që ka zbritur nga klasifikimi ‘i mirë’ në ‘pak a shumë të mirë’ është Gjermania, në vendin e 13-të, pasi ka rënë dy vende. Dhjetëra gazetarë të këtij vendi u sulmuan nga mbështetës të grupeve ekstremiste dhe atyre të teorive të konspiracionit gjatë protestave kundër kufizimeve të vendosura për të luftuar panandeminë.

Në të njëjtin grup janë Shtetet e Bashkuara, në vendin e 44-të, megjithëse viti i fundit i presidencës së Donald Trumpit u shoqërua nga një numër rekord sulmesh kundër gazetarëve (rreth 400) dhe arrestime të gazetarëve (130).

Rusia është në vendin e 150-të, një më poshtë se vitin e kaluar dhe në kategorinë e vendeve me gjendje ‘të keqe’. Ajo e përdori aparatin e saj shtypës për të kufizuar mbulimin mediatik të protestave në mbështetje të kundërshtarit të Kremlinit Alexei Navalny.

Kina, e cila vazhdon t’i përdorë censurën, mbikëqyrjen dhe nivelet e propagandës në internet, në nivele të pashembullta, është përsëri mes vendeve me gjendje ‘shumë të keqe’. Ajo është në vendin e 177 mes 180 vendeve.

Menjëherë pas Kinës është e njëjta treshe e vendeve totalitare që janë gjithmonë në tre vendet e fundit: Turkmenistani, Koreja e Veriut dhe Eritrea.

/Zëri Amerikës

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here