Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një bisedë me kryetaren e Partisë Konservatore Britanike të kryeministrit Johnson dhe këshilltarin e bordit të tregtisë në Britani, Daniel John Hannan.
Basha tha se Partia Demokratike ka filluar një fushatë, e cila përqendrohet në problemet e shumta që ka sot vendi, pas tetë viteve keqqeverisje dhe ngecje në vendnumëro.
Kreu i opozitës u shpreh se motoja e PD në fushatë bazohet te nevoja për ndryshim, përmes së cilës Shqipëria të jetë në gjendje të garantojmë rritje ekonomike dhe të ecim të sigurt drejt anëtarësimit në BE.
“Ne kemi marrë që nga fillimi vendimin për të filluar një fushatë pozitive që përqendrohet në problemet e vendit dhe në zgjidhjet e këtyre problemeve.
Pas tetë viteve të qeverisjes socialiste që ka premtuar shumë por nuk ka bërë asgjë dhe e ka lënë vendin në vendnumëro në çdo fushë, të gjithë kërkojnë ndryshim.
Dhe kjo është bërë motoja jonë: nevoja për ndryshim, bashkimi për ndryshim përmes së cilës ne do të jemi në gjendje të garantojmë rritje ekonomike, prosperitet dhe të ecim të sigurt drejt anëtarësimit në BE.
Ju po përballeni në Britaninë e Madhe me numrin më të madh të shqiptarëve që emigrojnë në Mbretërinë e Bashkuar në tetë vitet e fundit.
Kemi humbur gjatë tetë viteve të fundit rreth gjysmë milioni bashkëqytetarë në një vend me tre milion, kjo është absolutisht katastrofë”, tha Basha.
Kryedemokrati gjithashtu u shpjegoi të pranishmëve planin e Partisë Demokratike, i cili në thelb përmban përmirësimi e klimës së biznesit, taksa e sheshtë 9%, ulja e taksave për të gjithë njerëzit dhe bizneset që do të ndikoj në veçanti te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Sipas Bashës, garantimi i sundimit të ligjit, aftësia konkurruese, klima miqësore e biznesit, taksa e sheshtë dhe trajnimi i të rinjve shqiptarë, do të bëj të mundur që investitorët perëndimor të gjejnë mundësi për të bërë investime në Shqipëri dhe të rinjtë shqiptarë të krijojnë të ardhmen në vendin tonë.
“Dhe për këtë ne kemi përgatitur një plan të detajuar me ekspertët më të mirë të vendit dhe me shumë ndihmë nga ekspertët perëndimorë duke përfshirë ekspertë tuaj.
Në thelb të këtij plani është përmirësimi i klimës së biznesit, taksa e sheshtë 9%, ulja e taksave për të gjithë njerëzit dhe bizneset, çka do të ndikojë në veçanti te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që janë shumica dërrmuese e ndërmarrjeve në Shqipëri.
Ato janë palca e ekonomisë shqiptare për të ndihmuar gjithashtu krijimin e një klime që do të sjellë investime në Shqipëri dhe ne jemi shumë të interesuar të krijojmë një klimë pozitive, të sjellim investime në Shqipëri dhe natyrisht të përqendrohemi në një arsimim më të mirë për të rinjtë.
Sepse në mënyrë që investimet të vijnë këtu, ata duhet të kenë një klimë biznesi konkurruese, të favorshme dhe taksa të ulëta por gjithashtu një forcë pune profesionale dhe të trajnuar mirë.
Ne po i japim shumë rëndësi në planin tonë trajnimeve ose kualifikimeve profesionale për të rinjtë tanë, në ato zona ku ne i shohim mundësi.
Sundimi i ligjit, aftësia konkurruese, klima miqësore e biznesit, taksa e sheshtë dhe më e rëndësishmja trajnimi i të rinjve tanë në mënyrë që të bashkohen, të harmonizohen, për të bërë të mundur që investitorët perëndimor të gjejnë mundësi për të bërë investime këtu në Shqipëri dhe për të rinjtë shqiptarë të gjejnë mundësi në vendin tonë, të qëndrojnë këtu, të kenë një punë të denjë me paga të mira dhe të jenë në gjendje të krijojnë familjet e tyre dhe të jetojnë jetën e tyre në vendin tonë të bukur, sepse është një vend i bukur dhe meriton shumë më mirë”, tha Basha.