Trefishohet dhuna ndaj grave e fëmijëve në familje, rëndohet shëndeti mendor i viktimave…

0
92

Në Shqipëri, gjatë pandemisë Covid-19 u përkeqësua dhunëa në familje. Organizatat e shoqërisë civile raportojnë për një trefishim të kësaj dhune dhe u kanë kërkuar institucioneve shtetërore ngritjen e një mekanizmi për shëndetin mendor në shërbim të grave dhe fëmijëve të dhunuar, njofton zeri i Amerikes.

Dhuna në familjet shqiptare, edhe para pandemisë ishte e përhapur, por vitin e fundit, pohojnë organizatat joqeveritare, kjo dhunë u trefishua për shkak të pasigurisë, mbylljes, humbja e vendeve të punës dhe papunësisë së përgjithshme.

Shoqata “Together for Life”, së bashku me 14 organizata të tjera të shoqërisë civile, kanë dërguar në ministrinë e shëndetësisë një grup propzime për të ndryshuar ligjin mbi dhunën në familje.

Ato kërkojnë të ngrihet një mekanizëm për shëndetin mendor dhe të përmirësohet ligji kundër dhunës në familje.

Deri tani ligji njeh si të dhunuar vetëm të dhunuarën drejtpërdrejt, duke lënë mënjanë ata që pësojnë dhunë jodrejtpërdrejt.

“Shoqatat dhe psikologët kërkojnë që të njihen si persona të dhunar edhe ata që marrin dhunë indirekte. Nëse babai dhunon nënën, edhe fëmija që merr dhunë inderekte duhet të marrë shërbime sidomos nga pikëpamja psikologjike, sepse ata janë viktimë e dhunës në familje” – thotë Arlinda Shehu, menaxhere e programeve në Shoqatën “Together for Life”.

Sipas shoqatave joqeveritare, disa fëmijë që kanë pësuar dhunë indirekte gjatë dhunës në familje kanë tentuar edhe vetëvrasje.

Psikologët pohojnë se dhuna në familje po shtohet për shkak të mostrajtimit të duhur të viktimave, që në rastet më të shpeshta janë gratë, fëmijët dhe të moshuarit.

Veprimtaret pohojnë se rastet e denoncuara konkretisht në polici janë shumë herë më të pakta se se sa përmasat e vërteta të dhunës në familje, që pranohen nga vet gratë në anketa anonime.

“Gratë e dhunuara nuk raportojnë nga frika e burrit, nga mosbesimi tek drejtësia dhe policia, apo nga mendësitë e vjetra të shoqërisë. Por viktimat e dhunës në familje kanë probleme të shëndetit mendor dhe kjo e thellon gjendjen për shoqërinë dhe shtetin. Më shumë se gjysma e grave dhe vajzave 18-74 vjeç në Shqipëri pohojnë se kanë përjetuar të paktën një herë në jetën e tyre një apo më shumë forma të dhunës në familje, por raportimet në polici janë shumë të pakta” – thotë psikologia Alketa Berzani.

Nevojitet pra një mekanizëm në ndihmë të shëndetit mendor, i cili të japë ndihmë të gjithë fëmijëve, edhe pse ata nuk paraqiten për të kërkuar ndihmë, edhe kur gruaja nuk do ta ndjekë problemin e dhunës së burrit nëpër gjykata, kjo familje duhet të marrë mbështetje psikologjike.

Shqipëria ka ngritur mekanizmin e koordinuar të referimit, një formë bashkëkohore sipas kërkesave të BE-së, një rrjet institucionesh që zbatojnë ligjin kundër dhunës në familje.

Ekspertët pohojnë se mekanizmi duhet të përmirësohet dhe të ngrihet në çdo bashki për mbrojtjen, trajtimin dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës.

Pesha e këtij problemi është aq e madhe sa Bashkimi Europian e ka vënë si moto që “Nuk ka shëndet, pa shëndet mendor”.

Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vlerësuar se në këtë dhjetëvjecar shëndeti mendor do të jetë burimi kryesor për vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here