”Punë, jo gjumë”, Edi Rama e ktheu E-Albania në E-Rilindja!

0
91

Mund të ketë pasur shumë vramendje, se çdo të thotë tamam togfjalëshi, slogani i rilindjes për këto zgjedhje; “Punë, jo gjumë”. Gjindja do ketë hedhur sytë aty ku jeton, dhe hiç punë s’ka parë.

Për çfarë ta kenë llafin?

Mos vallë për koncensionet, tenderat sekrete, për lejet e licensat, për mrekullinë ekonomike dhe financiare që kanë përjetuar një grusht njerëzish dhe zyrtarësh të lartë në këto 8 vite?

A thua për darkat luksove në Dubai, festat, apo shpezat në makina luksi e vila?

Ky është patjetër një shpjegim.

Por së voni, është mësuar thelbi i këtij mesazhi.

Puna, dhe qendrimi pa gjumë, paska të bëjë me futjen e duarve thellë në të dhënat personale të qytetarëve, për të marrë aty ID dhe numrat e telefonit, dhe për të gjurmuar kështu votat.

Ky skandal, që sipas intelektualit të njohur të rilindjes T.Balla është shpifje, në fakt është konfirmuar pasi SPAK ka nisur hetimet.

E-Albania, propaganduar nga Edi Rama si arritja më e madhe në shërbime, si kursimi i kohës për qytetarët, shmangie e kontaktit me administratë, pra zhdukje e rryshfetit, kjo mrekulli teknologjike ku shqiptarët kanë besuar të dhënat personale, paska qënë po ashtu kopshti i pasëm i PS-së.

Aty ku militantë të paskrupullt, nën tensionin e mandatit të tretë, kalojnë në sitë 1 milionë njerëz, mbajnë miellin mavi që u duhet, dhe hedhin tutje krundet që nuk u hynë në punë.

Kjo është një tradhti e madhe që u është bërë qytetarëve. Sigurisht partitë e kanë në natyrën e tyre të gjurmojnë votues, të rreken t’i bindin, t’u trokasin dyerve, e të bëhen edhe bezdi në kohë fushate.

Por shefi i rilindjes, ai që thotë se do të votohet për karakterin që ka, abuzoi rëndë me besimin që njerëzit treguan duke lënë në platformën e shërbimeve numrin e telefonit, atë personal, dhe të tjera informacione.

Përpos një hetimi të thellë e serioz nga prokuroria, më së paku, Rama duhet të japë një sqarim, përse E-Albania u shndërrua në E-Rilindja.

Mapo.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here