Bien lindjet në 2020, shpërblimi prej 40 mijë lekësh u shpërnda për 1,622 bebe më pak se në 2019

0
68

Për vitin 2020 në Shqipëri, bonusi i bebeve u shpërnda për 36,188 lindje apo rreth 4,5% më pak se një vit më parë.

Sipas shifrave të Ministrisë të Shëndetësisë në 2020 shpërblimi i bebeve me vlerë 40 mijë lekë u shpërnda për 36,188 lindje nga 37,810 lindje që përfituan shpërblim në 2019.

Tkurrja e numrit të martesave në 2020 dhe pasiguritë e shëndetit të embrionit nga Covid-19, po jep efektet te lindshmëritë.

Mjekët obstetër gjinekologë të materniteteve shtetërore shpjeguan më herët për Monitor se po vihet re që shumë çifte ngurrojnë për planifikime shtatzënie, pasi janë të frikësuar nga problemet që mund të shkaktojë tek embrioni COVID-19.

Mjekja obstetër gjinekologe, Afërdita Kruja, pranë një spitali privat shpjegoi se shumë çifte kanë shtyrë planifikimin pas vaksinimit. “Disa çifte po hezitojnë për nisje të shtatzënisë, për disa arsye. Së pari, shumë çifte presin të vaksinohen dhe më pas të nisin një shtatzëni të mbarë dhe lindje të shëndetshme të fëmijës”, u shpreh znj. Kruja.

Në 2020 sipas të dhënave të INSTAT rënie të ndjeshme pësuan edhe martesat. Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar u lidhën rreth 17.5 mijë akte martese në vend.

Ky është numri më i ulët i martesave që raportohet të paktën që prej vitit 1990. Në krahasim me 2019, celebrimet ranë 22%.

Sakaq, fondi i shpërndarë për bonusin e bebeve për 2020 u rrit 16% krahasuar me 2019.

Shtimi i fondit ka ardhur për shkak të përshkallëzimit të skemës. Pagesa për lindjen e fëmijës së parë është 40 mijë lekë; për fëmijën e dytë 80 mijë lekë; për fëmijën e tretë, të katërt e në vijim bonusi i bebes është 120 mijë Lekë për çdo fëmijë; për nënat që lindin binjakë masa e përfitimit do të jetë në masën 80 mijë lekë për secilin fëmijë; për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përfitimit do të jetë në masën 120 mijë lekë për secilin fëmijë.

Bonusi i bebes jepet i ndarë në dy pjesë. Çeku i parë përfitohet menjëherë (35 mijë lekë për fëmijën e parë; 75 mijë për fëmijën e dytë dhe 115 mijë për fëmijën e tretë) ndërsa çeku i dytë me vlerë 5 mijë lekë përfitohet pas regjistrimit të fëmijës në gjendjen civile.

Me nisjen e skemës në janar të 2019, Ministria e Shëndetësisë pohoi se bonusi është universal, ndaj përfitohet nga të gjitha familjet, pavarësisht se ku vendos nëna që të sjellë në jetë fëmijën.

Për fëmijët që lindin në spitale private, në shtëpi ose jashtë vendit, çeku i bebes do të lëshohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale pas regjistrimit të porsalindurit në zyrat e gjendjes civile./Monitor

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here