Koha për të rrëzuar Republikën e numrave është tani!

0
114

Nga Ardit Gjinali

Nuk është çështja tek renditja e secilit kandidat për deputet përmes numrit, jo të njëjtit përmes emrit….është mendësia e mbrapshtë e të konsideruarit një numër identifikues me emër të harruar, një numër rendor që të vendos në rresht kokëulur, me fytyrë të fshehur, me zë të mekur, me shpirt reagimi të munguar, me vullnet të deformuar….fleta e votimit e miratuar në sintoni  me vullnetin politik të vetëquajturës  shumicë është alarmi i sotëm për Shqipërinë e nesërme…Shqipërinë e nesërme të një burgu kinse republikan tërësisht autokratik për një shoqëri të tërë…qytetari do të shndërrohet në një numër rendor në listën e votimit pa zgjedhje dhe me të vetmen zgjidhje të nënshtrimit të plotë…nënshtrim që do të shuante nismën e lirë profesionale, krijimin dhe talentin  njerëzor, sipërmarrjen ekonomike…nënshtrim tragjik që do të shndërronte secilin në numëror statistikor bordero-firmosës….qënie njerëzore me përditshmëri të diktueshme.

Frymues dhe numëror statistikor…të tillë quhemi në një rend thuajse autokratik me demokraci të munguar dhe liri të cënuar..individuale dhe shoqërore që rrëmbehet ditë pas dite duke shndërruar normalitetin e të jetuarit dinjitetshëm në një pamundësi enumerike që shndërrohet në ortekun tjetërsues të shpresës dhe besimit për një jetë normale në atdhe…jetojmë në të tillën  Republikë të pamundësisë, ku e tilla ka mbetur një nocion përbashkues i të tillave zanore dhe bashkëtingëllore, bashkim gërmash që nuk përcjellin fuqinë dhe solemnitetin e merituar; e tilla fuqi është gllabëruar në thelbin e së njëjtës  bashkë me rrëzimin e qëllimshëm të konceptit të individit të lirë që përbën fillesën e dinamizmit të një shoqërie- solemniteti është përdhosur si shkak i vërshimit të gjithfarë fluksi regresiv, dritëshkurtër dhe banal, të tillë të inkurajuar qëllimshëm dhe djallëzisht për të ngritur të tillat re të zeza që paraprijnë rrebeshin shkatërrues të pandërprerë autokratik në secilën segment të Republikës dhe në secilën qelizë të shoqërisë, gjithashtu.

Sot është koha dhe apeli për të ndalur jetësimin e mendësisë së shndërrimit të Republikës në një numër statistikor, është koha për të kthyer emrin e Republikës me tërësinë kuptimore të të tillit, është koha për një bashkim të madh të shpirtit të reagimit, qëndresës, kundërshtisë me arsye të secilit qytetar përtej anësisë dhe përkatësisë…qytetarë të angazhuar dhe të shqetësuar..rinia që ka vullnetin të vijojë jetën në këtë vend..një bashkim i madh moral dhe njerëzor që do të tejkalonte realitetin e shumicës matematike  të numrave dhe do të ndryshonte mendësinë qeverisëse..një bashkim i madh për të mbrojtur demokracinë dhe për të mos shndërruar pluralizmin në të tillin mekanik…koha thërret për të rrëzuar Republikën arkaike të numrave dhe për të çliruar shtetin nga uzurpimi i  pushtetit…koha për një fillim të ri me besim dhe shpresë të re është tani!

Sot është koha për ndryshim…jo thjesht të pushtetit, por të ndryshimit të rolit të qytetarit në zhvillimet shoqërore, sot është koha për të ndëshkuar evokuesit e numrave dhe për të mos u konsideruar një numër…koha është sot për tu dëgjuar dhe për të shpëtuar Shqipërinë përmes ndryshimit…koha për një pjesëmarrje të gjerë në zgjedhje  dhe angazhim njerëzor të thelluar ështe tani..koha për të mbajtur ndezur dritën e një shprese të re është tani. Koha është sot…nesër do të jetë tragjikisht vonë!  Bashkë sepse ka ende shpresë…

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here