Dekurajimi, armiku i votës së lirë!

0
2

Nga Agim BAÇI

“Dëshpërimi më i thellë që mund të pushtojë një shoqëri është dyshimi se të jetosh ndershmërisht është e kotë”, thotë shkrimtari dhe gazetari italian Corrado Alvaro, duke prekur ndoshta një nga çështjet më të rëndësishme të shoqërisë së sotme. Sot, shumë prindër në Shqipëri nuk e fshehin më faktin se kanë frikë që fëmijët e tyre t’i edukojnë si të ndershëm, pasi ashtu kanë frikë se mos humbasin në jetë, se mos etiketohen si naivë. Shumë prej tyre besojnë se po të jenë të ndershëm, fëmijët e tyre nuk do të arrijnë kurrë atë çfarë do t’u duhet dhe se do të rrëzohen nga të këqijtë.

Kjo situatë dekurajimi, ndaj mënyrës së të jetuarit me ndershmëri, ka krijuar në këto vite keqqverisjeje dhe talljeje një minidiktaturë të padukshme – një minidiktaturë që çdo ditë rrënon jetët tona, duke i hequr një nga një tullat e murit moral që brezat kanë ndërtuar përballë së keqes. Madje, ky dekurajim sot tenton të bindë qytetrët se vota e tyre nuk ka asnje vlerë, se vota e tyre nuk ndryshon asgjë nga realiteti, duke i çuar ata ose drejt mosvotimit ose shitblerjes së votës.

Ndërkohë, kjo përhapje e dekurajimit ka bërë që sot të krenohen ata që vjedhin, që mashtrojnë, që u marrin të tjerëve atë që u takon. Ky krenim i tyre është alarmi më i madh për të gjitë ne dhe e kthen çështjen e edukimit, sidomos të brezit të ardhshëm, si një shqetësim kombëtar, për të mos lënë korruptimin moral të shoqërisë të zgjerohet dhe të kthehet në moton e brezave që nesër do të kenë në dorë fatin e këtij vendi.

Është e rëndësishme ta themi hapur se dekurajimi është varfërimi i përditshëm i jetës së të gjithëve. E për më tepër që dekurajimi është rruga e shtruar një diktaturë të re.
Ndaj, le t’i themi të gjithë së bashku çdo shqiptari: Vota jote ka rëndësi për atë që do të ketë në duar zbatimin e ligjit, taksat e tua, vendimet për fëmijët e tu! Ndaj, mos i jepni pushtet të keqes, të ligës, duke shitur votën tuaj! Ai që tenton t’ju blejë votën, tenton t’ju blejë dinjitetin, tenton t’ju grabisë të ardhmen!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here