Borati… një shtet pa plan dhe pa strategji!

0
93
Nga Erion Dasho 

Prej disa muajsh ministria dhe komiteti mburren studiove televizive se “kanë një strategji vaksinimi”. Sot situata flet ndryshe. Ka të paktën disa dështime madhore të cilat e bëjnë “strategjinë” një letër bakalli pa vlerë dhe teorike:

Së pari, strategji pa vaksina nuk ka. Që kur Borati siguroi vaksinat e janarit “me mik”, qeveria ka bërë vetëm lëvizje të papritura dhe të paplanifikuara. Madje edhe ardhja e 1.2 milionë vaksinave kineze (190 mijë në fakt) u lajmëruar sot për nesër me qëllimin e vetëm për të bërë show-n elektoral të radhës.

Së dyti, nuk ka një grup pune të dedikuar që të komunikojë rregullisht me publikun rreth vaksinës, dobive të saj, rreziqeve të mundshme dhe efekteve anësore, etj. Këtë tagër e ka marrë Borati i cili sheh vetëm suksese dhe asnjë rrezik!

Së treti, nuk janë vënë në veprim dhe nuk funksionojnë mekanizmat e farmakovigjilencës dhe sigurisë medikamentoze. Efekte anësore serioze (përshi edhe vdekjet) analizohen përciptazi ose, më keq akoma, tentohet fshehja e tyre nga vëmendja e publikut.

Së katërti, logjistika është për të qarë hallin me regjistra të plotësuar me dorë ku njerëzit vonohen për të gjetur emrin, për të regjistruar, etj. Më vonë këto regjistra do të jetë shumë vështirë të administrohen për shkak edhe të numrave të mëdhenj që pritet të vaksinohen.

Së pesti, nuk pati asnjë përgatitje paraprake dhe komunikim me publikun lidhur me kalendarin e vaksinimit. Komunikimi që kalon nga mjekët e familjes kufizohet në një bisedë të thatë ku komunikohet një vend dhe një orë zakonisht një apo dy ditë para vaksinimit.

Së gjashti, nuk ka një planifikim për të administruar vaksinat në përputhje me praktikat e mira dhe rekomandimet ndërkombëtare. P.sh. vaksina kineze duket e testuar më mirë tek grup popullata 18 deri 59 vjeç. Pse vazhdon t’u rekomandohet të moshuarve? Ose Astra Zeneca në Gjermani është ndaluar tek personat nën 60 vjeç. A ka ndonjë plan Shqipëria të orientojë përdorimin e saj tek të moshuarit?

Të gjithë këto mangësi tregojnë se vaksinimi në Shqipëri nuk po shihet ende si një proces në dobi të shëndetit dhe jetës së qytetarëve, por si një pjesë e fushatës elektorale të partisë në pushtet.

Përdorimi i tendave të vaksinimit, stadiumeve dhe palestrave flet për largim gjithmonë e më tepër prej sistemit shëndetësor i cili e ka plotësisht të mund të vaksinojë në strukturat aktuale rreth 40 mijë persona në ditë (me sforcim) dhe rreth 20 mijë persona në ditë (pa çrregulluar aspak veprimtarinë e përditshme).

Borat!

Instituti i Shëndetit Publik dhe mjedisi profesional shqiptar i ka të gjithë mundësitë të zbatojnë një fushatë vaksinimi profesionale, siç bën tashmë prej dekadash me Programin e Zgjeruar të Imunizimit.

Mos ju ngatërro nëpër këmbë! Me ndërhyrjet e tua dhe të politikës e ke diskretituar fushatën e vaksinimit dhe ke frikësuar qytetarët!

Me ndërhyrjet e tua, i ke bërë qytetarët skeptikë! Ata e kanë kuptuar tashmë se ti nuk merakosesh për shëndetin por për votën e tyre!

Lëri njerëzit të qetë, Borat!

Lëri vaksinatorët, epidemiologët dhe imunologët shqiptarë të bëjnë punën e tyre në të mirë të jetës dhe shëndetit të shqiptarëve!

Boll dëme bëre gjatë pandemisë! Boll vdekje u shkaktuar si pasojë e paaftësisë së ministrisë dhe komitetit tënd të kukullave!

Mos merr mbi ndërgjegje edhe çmimin e dështimit të fushatës së vaksinimit!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here