Mbretëria e Bashkuar shënon 10 viktima nga koronavirusi, shifra më e ulët që prej shtatorit

0
3

Shifrat e infektimeve dhe fataliteteve kanë rënë ndjeshëm, Mbretëria e Bashkuar ka shënuar 10 viktima brenda 24 orëve të fundit, si pasojë e koronavirusit, shifra më e ulët që prej Shtatorit 2020. Ndërkohë janë infektuar me virusin, 3,423 persona si dhe janë shtruar në spital 273 të tjerë.

Shifra e ulët e infektimeve vjen si pasojë e izolimit të gjatë të vendit që prej janarit, por edhe vaksinimit me ritme të larta. Deri në këto momente MB ka vaksinuar mbi gjysmën e popullsisë mbi 18 vjeç, rreth 31.4 milionë persona, me dozën e parë të vaksinës AstraZeneca ose Pfizer dhe rreth 5.2 milionë prej tyre kanë marrë edhe dozën e dytë.

Në Europë, vaksinimi ka qenë me ritme të ngadalta, për shkak të mungesës së dozave, por tashmë edhe për faktin se në disa vende, si Gjermania dhe Hollanda, është pezulluar përdorimi i vaksinës AstraZeneca, për personat nën moshën 60 vjeç, pas dyshimeve se disa episode të rralla të trombozës, janë të lidhura me vaksinën.

Vetëm 10% e popullsisë në Europë kanë marrë dozën e parë të vaksinës, sipas drejtorit të OBSH për Europën, Hans Kluge, i cili e konsideroi fushatën e vaksinimit në Europë si “të papranueshme”.

“Shpërndarja e këtyre vaksinave është shumë e ngadaltë”, tha ai në një deklaratë.

“Ne duhet ta përshpejtojmë procesin duke përshpejtuar prodhimin, duke zvogëluar pengesat për administrimin e vaksinave dhe duke përdorur çdo dozë të vetme që tani kemi nëpër depo. Teksa variantet e reja janë shqetësim dhe ato po vazhdojnë të përhapen, rastet që kërkojnë shtrim në spital po rriten.  Përshpejtimi i procesit të vaksinimit është themelor”, theksoi Kluge.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here