Nga Artan Fuga
Shikoni!
Ne qytetarët nuk kemi nerva të na rrokanisin kokën me njëqind propozime reforma a ku e di unë historira gjoja suksesi!
Ne e nuk mund të vazhdojmë më të jetojmë nën urdhërat e Fidel Kastros,
nën meditimet e Budës,
të jetojmë duke ngrënë çdo darkë citatet e Maos që na tregon tre të mirat dhe katër të këqiat,
ne nuk mund të jetojmë nën urdhërat e komandantit të lavdishëm Stalin që na udhëhoqi për të çarë rrethimin e Stalingradit,
nuk mund të jemi nën shekullin e 21 si hebrenjtë e rraskapitur që ndiqnin Moisiun me shkop në dorë i cili pasi takonte Zotin në mal iu sillte urdhërat e shenjta,
nuk mund të jemi as si hajdutët e Ali Babës i cili hapte shpella floriri duke thënë : Sezam hapu!,
nuk mund të jemi a si ata që gjykonte Nastradini duke shpallur fajtorin dhe të pafajshmin si i tekej,
nuk mund të jetojmë as nën Skënderbeun, që na mbyllte nën kalà dhe vetë qendronte në mal, jashtë, ishte kohë tjetër!
Jetojmë në shekullin e 21!
Ne jemi qytetarë, jo luftëtarë,
as aksionistë,
as muratorë që ndërtojmë qytete të reja si ndërtonte Superfosfatin “il comandante”,
nuk jemi aksionistë,
turmë mitingashësh,
nuk jemi as pacienta që drejtori i spitalit mbledh ilaçe nëpër farmacitë e lagjes dhe ne e presim me gojë hapur cdo mëngjes.
Ne duhet të vendosim barazinë si qytetarë politikë,
ne duam zë në qeverisje,
ne duam pjesën tonë nga pasuritë kombëtare,
ne duam të rivendosim dialogun e vërtetë se na vjen për të vjellë nga monologjet e mërzitshme ku në sheshe shefi flet me vartësit e tij të sotëm apo me vartësit e ardhshëm,
ne duam integrimin europian, jo ende të dëgjojmë që jetojmë në gojën e ujkut ku hedhim valle nën rrethimin e BE,
sikurse dëgjojmë,
ne nuk jemi skuadër bejsbolli, basketbolli, a futbolli që të ndjekim skemat e trajnerit,
as për selam musa e vojo kush nuk kemi nevojë sot që pastaj çdo ditë të na thotë : Unë jam heroi, dëshmori, tani meqë po sakrifikoj për ju, u hodha mbi tela me gjëmba, jeni të nënshtruarit e mi, më sillni mollë cdo 5 maj, parakaloni para meje në 1 maj dhe unë t’u hedh karafila mbi kokë,
ne nuk mund të jemi si hordhi demash të tredhur.
Kushdo që na hiqet si “il comandante”, si “promethe”, si “selam musa”, si “skënderbe”, si “mao”, si “fidel”, si “moisi”, “si “lejfen”, kushdo, sot a nesër, duhet ta refuzojmë. Sepse na poshtëron, na nëpërkëmb, na çfrytëzon, na merr për budalllenj.
Kushdoqoftë!
Ne na duhet dinjiteti si njerëz, na duhen të drejta politike sepse që nga 90 vetëm na janë rrudhur, na duhet një shtet i organizuar rishtazi, një ekonomi e organizuar rishtazi, një kulturë dhe arsim i organizuar rishtazi, një marrëveshje e re edhe më e fortë me aleatët tanë të Natos dhe BE, ne na duhet një moral i ri në marrëdhëniet e politikës me qytetarin.
Eshtë koha që ne të vemë kushte për votën që do të japim! Jo të na tregojnë përralla!
Nga tre katër objektiva për tre katër fushat kryesore ku do shkojmë se po shkojmë drejt gjysmës së shekullit të rrjepur, rreckosur, analfabetë, por, na thonë … plot suksese!