Dhjetor 1956/ Rrëfimi i rrallë i Traboinëve: Si u arratis Gaci, djali i guximshëm 15 vjeçar që nuk duroi regjimin

0
1

E gjithë familja Traboini kaloi 120 vite burg politik në shtetin dictatorial të Enver Hoxhës. Gazeta “standard”, me të drejta autori, boton historinë e rrallë të persekutimit nga libri “Saga e Traboinëve nën terrorin komunist”, me autorë Kolec Marash Traboini dhe mbesa e tij, Jozefina Traboini. “Familja Traboini kishte prodhuar në përballjen me shtetin diktatorial komunist dhe Sigurimin aq shumë histori, sa ishte e pamundur t’i rrëfente ato nga një gojë e vetme në një seancë të vetme përballë kamerës”, shënon mbi jetën dhe librin e kësaj familjeje, shkrimtari Agron Tufa

 

 “Ndryshimi specifik i këtij libri është se “Saga e Traboinëve” nuk vjen prej një familje të angazhuar politikisht me Ballin, Legalitetin apo ndonjë formacion tjetër nacionalist. Traboinët janë një familje normale, patriote, por mjaft modeste, një familje krejt e zakonshme qytetare, tipike shkodrane, e ardhur në fillim të shekullit XX në Shkodër nga malësitë e Hotit. Ajo që e bën të jashtëzakonshme këtë familje është qëndresa e tyre parballë diktaturës, sasia anormale e mllefit, cinizmit dhe hakmarrjes primitive komunist që u shkarkua mbi ata djem të mrekullueshëm, duke ua hidhuruar jetët e tyre e të prindërve”, është ky shënim, ndër të tjera, që shkrimtari Agron Tufa na njeh me sagën e familjes Traboini, e cila është përmbledhur në një libër që pritet të promovohet së shpejti. “Saga e Traboinëve nën terrorin komunist”, me autorë Kolec Mirash Traboini dhe mbesa e tij, Jozefina Traboini është një rrëfim i dhimbshëm, me realizëm, me vërtetësi duke dëshmuar rezistencën krenare ndaj diktaturës, e frymëzuar shpirtin e lirë.

“Komunistët shihnin te vitaliteti i kësaj familjeje një shembull të rrezikshëm mosnënshtrimi, çka do të nxiste dhe familjet e tjera për mosnënshtrim. Pra kemi një familje modeste qytetare e tradicionale në një ballafaqim mbi 30 vjeçar me dhunën e padrejtësinë e diktaturës; goditja e kësaj familjeje ka qenë e një egërsie të pamëshirshme, të papërfytyrueshme: 120 vite burg politik, shkatërrimi i të ardhmes, punës, profesionit, shpresës; shkatërrimi psikologjik; shkatërrimi i dhimbshëm i rinisë së gjashtë prej tetë vëllezërve që u burgosën e u riburgosën; shkatërrimi dhe i atyre dy vëllezërve të tjerë që morën barrën e shtëpisë mbi shpatulla dhe të rrihnin rrugët e burgjeve të Shqipërisë duke u rënë pas vëllezërve të tjerë që burgoseshin e riburgoseshin.”, shkruan Tufa. Ndërsa gazeta “standard”, boton fragmente nga ky libër, duke e nisur me Gacin, më të voglin e familjes, lindur me një liri të brendshme dhe që ka një histori engimatike të arratisjes.

***

Gaci

Si fmijë, unë komunikojsha me Gacin, ma shumë se të tjerë vllazën. Dhe më besonte, më diftonte edhe aventurat etij me shokët e vet. Ai në shkollë ishte shumë i zgjutë, shumë guximtar. Bante për vedi fmijtë edhe ma të mdhej se vedja. Kishte veti komanduese; i bindeshin; ishte vetija etij, tipari i tij karakteristik. Nuk pritonte të rrihej me moshatarët e vet, edhe ma të medhenj se vetja dhe delte fitimtar kudo. Këtë e tregonte me shembuj konkretë. Njiherë kje bllokue kinemaja prej nji ngaterrese, që bani Gaci me fëmijtë e shkollave të tjera. I lau në gjak disa fmijë, për nji vend në kinema. Ai i zgjidhte shokët guximtarë. Me luejtë me të, lypeshin kushte konkrete. I fuste në nji pus, 15 metra thellë, si provë guximi. Ata që nuk futeshin, nuk meritonin me shkue me të.

Po shkojshim njiherë në Zall të Kirit, me u la. Atje gjejmë tue u la do fmijë të lagjeve të tjera. Gaci ua mori teshat që ishin në zall dhe u thotë: «Kush ju ka thanë me u la ktu? Hajde, të gjithë jashtë, delni prej ujit, dhe në rresht, para meje! Përndryshe këto tesha do t’jua marr e i tres në lumë të gjitha».

Gaci ishte nji fëmi, jo si fëmijtë e tjerë. Karakteri i tij ishte tepër, tepër eksprensiv; kudo dhe në çdo gja, që donte dhe dëshironte, i realizohej; ishte nji fëmijë, që nuk bindej kollaj, shumë i vështirë. Gacin e ka pase vetë koha frikë. Urdhër!! Dalin në rresht e u thotë Gaci: «Do të veni gishtin e kambës mbi nji kët gur këtu; me këtë gurin tjetër që e kam në dorë, keni me i ra gishtit të kambës. Ai që bërtet e kjan edhe njiherë tjetër, ka me marrë teshat e mos me ardhe ma në zonën tonë; ju e keni vendin atje. Këtu asht zona jonë. E dona ujin e pastër».

Gacin e kishte thirrë nji shok në shpi, në orar të mësimit. Mbasi kishin pi raki rrushi, tue përfitue se nuk ishte askush në shtëpinë e tij, vijnë në shkollë… dhe i drejtohet mësueses me ia vu të tana notat pesa… ose, përndryshe, rashë nga dritarja! Dhe ishte kacavjerr me ra poshtë. Mësuesja e sheh se ishte në qef nga rakija, dhe i thotë: «Po, njitash». Presioni bani punën për momentin. Lajmëruen policinë dhe po e shoqnojnë deri në shpi, me makinën e policisë. Ai çfarë ban? I thotë policit: «Ndale, se këtu e kam shtëpinë». Afër nji pusi, ishte tjetër shtëpi në oborr, pa gardh, e që nuk ishte shpia e jonë. Ndalon makina. Sa del polici i bjen shtjelm derës së makinës dhe me vrap i drejtohet pusit. Polici i nervozuem për këtë gjest, se i xuni kryet me derë, tenton me e kapë.

Por ky kalon kambën në grykë të pusit dhe don të futet brenda. Kjo ishte në prezencën teme e të të tjerëvë. I tham policit: «Ai futet, andaj mos e ngacmo ma, se mban përgjegjësi! Asht vllau jem». Polici i friguem, nuk ju afrue, por iku me nerva. E mori vllau ma i madh dhe ia futi do shputa mirë e mirë, për këtë gjest, që kishte ba në shkollë. Futej në pus, si pa të keq, për 10 minuta, e delte kur të tjerërt trembëshin. Nëpër muret e lagjes, në streha shtëpjash, shkruhesh me gërvishje G.M.T. Të gjithë e donin dhe edronin. U regjistrue në kursin ekitarrës (Klubi «Rinja»). Dinte të lozte biljardo, ping-pong… Nji shok i bleu nji top llastiku me valutë, nji tjetër – saze gojet, me valutë. Luante futboll shumë mirë dhe ishte sallaks. Ishte në trup të vet dhe kishte fillue me më kalue me gjatsi trupore. Ishte me 7 klasë fillore.

17/07/1955. Koleci rrobaqepës, nxanës

Nana gjyshe punonte në Komitetin ekzekutiv, me ndezë stufat e zyrtarëve. Dhe u ba sebep me më futë në punë. Ishte reparti ma i mirë: Moda.. Prefesionin e dojsha. Fillova ta mësoj atë profesion sipas rregullave. Ndezja hekurat për hekurosje; bleja për punëtorët ndonji simit, deri sa erdh nji ditë që u mërzita. Atëherë shkojsha veç për ato qëdojsha. Aty ishte nji ambjent i kandshëm humori, mbasi ishim 12 vetë gjithsejt. Qepshin për gjithë zyrtarët e qytetit, plus për rusët me familjet e tyne. Në repart kishim nji korçar, që kishte kenë në kampin e interrnimit ne Prishtinë. Ai tregonte se si kishte shpëtue nga gjermantë prej pushkatimit. Kur më ka dalë emni i 100 në listë, unë isha tue qepë xhaketën e oficerit gjerman! Si pasojë, kanë futë nji tjetër në vendin tem… Kjo në fakt nuk u besua, u muar si rrenë. Kushedi pse të kanë lanë e kushedi si ka kenë puna? Se të kishin hjekë qafe, e mos ia kallxo kujt. Plaste gazi e kalonte koha, herë me nji punë e herë me nji tjetër, ai bahej nervoz, po s`ia varte kush.

Një ditë po shkojsha në punë dhe po shoh dy fmij tue u rrahë. Njeni rus me balluke e tjetri si i lagjes. Ky rusi i vogël e kishte rrzue edonte me i marrë topin llastikut; ai nuk ia lshonte gjallë nga dora. Unë ndërhyna, e kapa fmijën rus dhe e largova; fëmija tjetër iku me top në shtëpinë e tij. Dikush me gërset në dritare e ma ban me dorë: «Jo kështu!» E fliste pa u kuptue asgja. Ishte Atasheu Ushtarak rus, që ishte tue pa ngjarjen e fmijve, dhe nuk ndërhynte. Unë nuk ia vara se çfarë thoshte dhe ika në punën teme. Ky, kishte ardhë në rrobaqepësi me qepë teshat, apo më kishte ndjekë… ? Më njofti e ma bani me dorë, e merrte e nepte, sikur donte më më thanë punën e fmijve. Unë bana sikur nuk e njoh e ika në repart. Më tha përgjegjesi: «Çfarë ka ky me ty?» «S’di gja», i thashë, «e kam në lagje, afër». Ishte rrezik, se të hiqte nga puna. E hajde e gjeje mandej: ishin rusë… na mezi jetojshim kështu, se vllau sa ishte kthye nga ushtra dhe ishte papunë; ishim hala me triska buket; tjetri ushtar, etj, etj. Fati jem, që nuk i rashë ndoj shputë atij fmijës rus se…Në rrobaqepësi flitej hapun për situatën politike dhe kritikonin here njenin, herë tjetrin për vorfninë. Dhe për këto gjana nuk kishim frikë nga njeni-tjetri. Njeni fliste, se si kam luejtë letrash ushtar në kohën e Zogut. Mandej, nji tjetër,si kam luejt bixhoz, kur kam kenë ushtar, me Ministrin e Brendshëm, Beqir Ballukun, se si jam takue në zyrë tashti, e i kam thanë: «A t’i hedhim edhe njiherë zaret në tavolinë? Asht popullor, pra i dashtun. Dhe e thirrshin gjithë ushtria “Xha Beqo”».

 

1956: Ah, Gaci…

Sa mbaroi 7-vjeçaren, e çuen në Memaljaj, si nxanës minator. Detyrohet… dhe shkon pa dëshirë, sepse ishte jashtë perspektivës për nji fëmi qyteti. Ishte larg familjes dhe shokëve; ashtu po kalojnë do muaj dhe i kishte shkrue vllaut të vet, Gjovalinit ushtar, se donte me u kthye në Shkoder dhe…

Baba, tue e njoftë temperamentin e tij, e futi si nxanës-marangoz, në Kiras. Por në ndërgjegjen e tij po përgatitej nji qëndrim i veçantë. Erdhi dita e Shënkollit dhe pruni nji strajcë me karamele.

I kishte marrë nëpër arka, te fabrika e karameleve,aty afër. Dhe tha: «Për Kshnella do sjell venë, në kjoft e thanun… kam nji shok, që baba i punon në fabriken e venës. Më ka premtue. Mbasdite, tek reklamat e Dugajve të reja (Truma e ujit), ku ishin vjerrë shumë vetë (aty asht vjerrë edhe Llesh Marashi mbas çlirimit, tek Truma), ishte, siç e mbaj mend mirë, reklama e kinemasë së Filmit Rus “Pranvera në Saken”, nga ora 18.00 deri në orën 20.00. Ishte shumë ftohtë. Dhjetor. «Hajde ta shofim filmin, se i kam 20 lek për biletë». I tham: «Jo, se asht pa luftë… asht film komik». Mirëpo ai kambnulte, Hajde, hajde dhe shkova. Atë natë fjetëm bashkë.  Ma parë ai vuni nji thumb, që e nguli në derë, afër jastëkut të tij, mandej, në atë thumb vari sahatin e tij të dorës, një «Longines». E pyes:«Ku e ke marrë?» Nuk ia kisha pa kurrë ma parë. Gaci bante çdo ngatërresë, por me vjedhë? Kurrë, asnjiherë nuk ka ardhë kush me u ankue. Ai m’u përgjigj:«Asht i nji shoku. Ia kam marrë, se më duhet për pak kohë». Donte më më thanë diçka, por u frenue.

Në nade më thotë: «Kam mërdhitë tanë natën e due me ikë, due me u arratisë. S’e duroj ma këtë gjendje. Do i bie gjithë botës rreth e rrotull. E mos më kërkoni askund. M’ë ndigjon? Askund!»

I thashë: «A e sheh çfarë acari asht? Shumë ftohtë! E je me pantallona të shkurta. Ti nuk e din as rrugën… je edhe i pa hangër». Po Gaci e kishte vendosë ta realizonte atë vepër guximi. I thashë: «Lene atë punë për pranverë e verë, dhe jo në këtë dimën… Çfarë më the për Kshnellat?A harrove? Lujti kryet e s’foli. Ishte e shtunë. Unë shkova në punë dhe ai shkoi… Në mesditë ai nuk erdhi; as në darkë jo.Nana, baba e të tanë u bamë marak. Unë nuk fola asgja për çfarë më kishte thanë nade. Shkova me takue shokët e tij në Biljardo, në rrugë… E kërkojsha kudo, por asnji përgjigje, prej asnjenit. Të gjithë ishin në Shkodër. Shkova me biçikletë te daja dhe lajmërova Babën, që punonte në Koplik, Banakier. Askund nuk u gjend ma, u zhduk me 12 dhjetor 1956.

Në punë shkova mbrapa (Kiras), se nuk dojsha të alarmoja, nga që ishte heret dhe nuk i dihej rrugës që ai kishte marrë. Ishte me rrezik. Kur unë shkova në Koplik me bicikletë, më ndalon policia e me thonë, ku shkon? Te baba që punon në Koplik, te ju; atë e njifshin e më lanë me kalue. Kontrollohej çdo kalimtar. Situata politike ishte në gjithë Europën e acarume për shkak të Kundër-revolucionit humgarez të vitit 1956, të cilin ushtria e B.S. e kishte shtypur me forcë e replezalje, si anëtare eTraktatit të Varshavës. Shtypi vetem 3 rreshta shkruante për gjithë këtë kundër-revolucion. Na nuk e denoncuem arratisjen e Gacit, sepse pritshim edhe për ndonjë incident apo njoftim nga Dega e Mbrëndshme në Shkodër. Por, asgja. Erdhen Kshnellat dhe Vjeti i ri, me shumë idhnim e shumë pritje të ndonji lajmi, por, prapë asgja. Heshtje. Unë i diftova nanës ma në fund. Se ai më ka thanë, se don të arratisej. Por unë s’e besova, thashë: «asht thjesht fjalë», – u justifikova.

Që nga ajo ditë na nuk patëm ma asnji lajm. Por na pyetshin shokët atëherë (po edhe tash): «A dini gja për Gacin?» Në janarin e vjetit 1957, ditët e para (mbas 20 ditësh), vijnë e lajmërojnë nanën për nji dekorim nga Kuvendi Popullor, si nji nanë me shumë fëmijë, ku do të ishin të pranishëm kryetari Haxhi Lleshi dhe sekretari Sami Baholli. Kjo mbramje apo mbledhje bahej në kryesinë e Komitetit të Partisë, Shkodër dhe te Organizata e Gruas. Në këtë motivacion thuhej: «I jepet Lula Pretash Luca». Dekoratë e klasit të parë, me motivacionin: «Për lindjen, rritjen dhe edukimin e 9 fëmijve me shendet dhe edukatë». Kryetari, Haxh Lleshi, sekretar, Sami Baholli. Bashkë me dokoratën i falën nanës edhe nji palë divana.

Në Degën e Punëve të Brendshme, Shkodër.

Mandej, në shtëpinë tonë vjen nji polic me nji letër në dorë. Aty shkruhej: «Në ora 10 të datës, ditë e hane, të paraqiteni».

Filloi në dyshimet.. a thue e kanë kapë? Në kufi? E mendime të tilla, që ka njeriu që pret për këso ngjarjeje ndonjë përgjigje. Në orën e caktueme shkojnë nana e baba. Në zyrë ishin 3 vetë. Nji civil e dy oficera. Fillojnë:

– A e dini pse ju kena thirrë?

– Jo, – u përgjigjen nana e baba.

– Atëherë, meqenëse nuk e dini, po ju pyesim ne: – Sa fëmijë keni?

– 9 fmijë. 8 djelm e nji vajzë.

– I keni të gjithë në shtëpi? Ju mungon nji djalë i vogël? Cili mungon dhe si e thërrasin?

– Gasper, ose Gac.

– Sa vjec asht?

– 15, – i thotë nana.

Njxerrin nji çertefikatë të trungut famijlar dhe e shikjojnë.– Që kur mungon, tesh sa ditë?

– Ka nja 20 ditë.

– A keni ardhë me e denoncue ose me lajmërue ketë mungesë?

– Jo… Se kena mendue mos ka shkue te daja jem, ose ndër shokët etij, në Tiranë…

Kishin marrë me pa certifikatën, moshën e tij.

– Ku i kini dajat?

– Në Buzë të Ujit.

– A keni pyetë atje?

– Jo, se asht larg e ban shumë ftohtë. Përveç kësaj, kam pasë fmijtë e tjerë me grip.

-Axha, keni?

– Po….

– Ku banojnë? Ku janë?

– Në Narhelm.

– Cilin Hot?

– Në Traboin, Jugosllavi.

– Shokët e tij, a janë këtu? Mungon ndonjeni? Dhe, a ju ka ardhë kush të interesohet për Gacin?

– A dini gja ju? – i pyet nana: – Se mos ka ba ndonji faj, si fmi dhe mos e keni këtu?

– Dimë e s`dimë… Ju kena thirrë t’ju pyesim ne, dhe jo t’na pyesni ju.

Rrinin në kambë të shqetësuem. Nja 2 orë pyetje e përgjigje. Nana donte të sigurohej për Gacin. «Atë do ta gjejmë…dhe do ta marrësh vesht shumë shpejt. A ka shku te daja në Buzë të Ujit, apo të axhat në Jugosllavi», – i thanë.

«Mbas 3 ditësh do të vini prap këtu», – dhe i dhanë nji letër-thirrje. Mbas kësaj thirrje po merrej vesht, se ai nuk asht në Shkoder, në Degë të Mbrendshme. Nuk dinim hala a duhet gzue, apo duhet idhnue. Por, sidokjoftë, ba me kenë aty, të thonë: «bjeri teshat në biruca». Kjo vërtetoi, se ai asht diku tjetër.

Mbas 3 ditësh, prapë, Operativi i Punës në Degën e Punëve të Mbrendshme. Ishin shumë të shqetesuem.

– A keni ndonji sinjal?

– Jo .. nuk kena asnji sinjal.

– Në Jugosllavi kë kini? Atje, në Narhelm, Traboin?

– Kam 2 vllazën.

– A komunikoni me ta?

– Jo, nuk komunikoj.

– Nji civil i drejtohet nanës:

– Ju, para disa ditësh, keni marrë nji dekoratë nga kuvendi popullor. Do të na e sillni këtu, menjiherë, se nuk e meritoni.

Nana i thotë me guxim:

– Nuk ma keni dhanë ju, por shoku Haxhi Lleshi! Atij ia nap e askujt tjetër!

Ajo mori zemër, mbasi djali nuk ishte në Degën e Mbrendshme.

– Do ta shohim ketë çështje. Dilni jashtë! Dhe mos u largoni kund pa leje!

Ashtu thanë, por nuk i thirrën ma për Gacin. Por mbeti enigmë në lagje dhe në gjithë qytetin e Shkodrës. Ai kishte realizue atë që më kishte thanë. Pra, ai nuk ishte në Shqipni: ai ishte arratisë. Tue u nisë te guximi dhe intuita etij, ishte e pamujtun, që nji punë që të niste, të mos i realizohej me sukses. “Merru, sulmo dhe fito”, dhe me pushtetin shumë herë ma i fortë.. E kishte koritë e sfidue Kufinin! Ishte nji fmijë 15 vjeç.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here