Saga e Traboinëve nën terrorin komunist/ Mbi pengun dhe fuqinë e dëshmisë

0
130

Vështrim mbi librin “Saga e familjes së Traboinëve nën terrorin komunist”, të autorëve Kolec Marash Traboini dhe mbesa e tij, Jozefina Traboini. 

  

nga Agron Tufa

Familja Traboini kishte prodhuar në përballjen me shtetin diktatorial komunist dhe Sigurimin aq shumë histori, sa ishte e pamundur t’i rrëfente ato nga një gojë e vetme në një seancë të vetme përballë kamerës. Kishte prodhuar më shumë drama, nga ç’është në gjendje t’i përballojë një familje sado e fortë e me moral të trashëguar qëndresë nga malësitë e pamposhtura të Hotit. Nga ana tjetër Koleci ishte i vetëdijshëm se po të mos rrëfente ai dhe për të tjerët, kush do të rrëfente atëherë? Vëllezërit e tjerë dhe i ati nuk ishin më ndër të gjallë dhe Koleci, që gjithmonë ka qenë ndërgjegja e shqetësuar e familjes, nuk mund të mos fliste për fatin e kalvarit të secilit.

I

Me ish të burgosurin politik Kolec M. Traboinin, u lidha falë mikeshës sime, poetes Jozefina Traboini, që është dhe e mbesa. Kishim biseduar dhe më parë rreth axhës së saj, Kolecit, tash mbi 21 vjet azilant politik në Bruksel. I pata kërkuar Jozefinës që nëse vjen axha në Shkodër, të më njoftojë, për të realizuar me të një videoregjistrim mbi vitet e persekutimit dhe burgut. Të tilla videoregjistrime ISKK ka bërë me qindra orë në funksion të kolanës së dëshmive memuaristike “Zërat e kujtesës” me të mbijetuarit e kampeve dhe burgjeve komuniste. Me rastin më të parë Jozefina më njoftoi.

Me Kolecin u takuam në një kafe përballë ish-komitetit të Partisë së Shkodrës (godina e së cilës do të ketë një vend të posaçëm në rrëfimet e këtij libri).

Më bëri përshtypje fytyra e mprehtë dhe e vojtur, inteligjente, vështrimi syve të kaltër drejt në sy me kuvenduesin. Koleci kishte përpos pamjes së hajthme, edhe një trupi sportiv, energjik, anipse i kishte kaluar të tetëdhjetat. Mbi të gjitha spikaste e folura e tij ekspresive dhe përqendrimi në thelbin e kuvendimit, duke shmangur hollësira të panevojshme.

Kolec M. Traboini ka qenë një ndër pjesëmarrësit e Revoltës së Spaçit në 21 maj të vitit 1973, ndërsa pas rënies formale të komunizmit, ka qenë ndër aktivistët vendimtarë të partisë Demokratikë në Shkodër, sidomos me rolin që ka luajtur në protestën e 2 prillit 1992 për marrjen e ndërtesës së Komitetit të Partisë.

Sidoqoftë regjistrimin e bëmë në shtëpinë e të vëllait, Luigjit, që kishte qenë dhe trualli i shtëpisë së vjetër të Traboinëve, vendi ku qe lindur e rritur vetë Koleci me motrën dhe 7 vëllezërit e tij me një fëmijëri të hidhur e të mundimshme, fill në vitet e pasluftës së dytë botërore. Fëmijët e shumtë e të mrekullueshëm të Traboinëve filluan ta ndjejnë këtë shije të idhtë e tragjike të jetës sapo hynë në vitet e adoleshencës, kur kufijtë elementarë të lirisë së tyre filluan të rrudheshin dhe nisi ballafaqimi i egër e i pamëshirë me pushtetin diktatorial.

Jozefina Traboini, bashkeautore e librit

Në murin ballor të odës ku hymë ishte një fotografi ku prindërit dhe 9 fëmijët e familjes janë fiksuar në tabloid nga mjeshtri i madh i fotografisë, Marubi, para shkallëve të portës së shtëpisë. Një ansambël i bukur familiar, i cili shpreh harmoninë e vitalitetit, bukurisë dhe dashurisë së kësaj çerdheje familjare. Këta fëmijë, që nga mosha adoleshente e deri tek mosha miturake, të larë, të krehur e të veshur hijshëm, të qeshur, me vështrim ëndërrimtar kah e ardhmja e padukshme, siç është legjitim dhe normë logjike horizonti i shpresës dhe ëndrrave për të gjithë fëmijët e kësaj bote, këto fëmijë pra, kjo familje e thjeshtë, e bukur dhe e lumtur në atë foto, do të ndeshet shpejt me acarin e hidhur të stinës rrënimtare komuniste. Një stinë e pastinë që shkretoi dhe përçudnoi peisazhin njerëzor përreth e kudo, duke e shndërruar atë në një xhungël makthi kolektiv, ku familjes së madhe Traboini do t’i duhet të luftojë me dinjitet e shpirt ndër dhëmbë me shumë varrë në trup.

Koleci thotë, se kurrë më nuk arritëm të mblidheshim të plotë si familje, si në këtë fotografi të Marubit. Në atë shtëpi ku hymë (shtëpia e vëllait më të vogël) përveç shenjave të trashëguara nga vatra e përbashkët familjare, më tërhoqi vëmendjen në një tryezë një koleksion i pasur statuetash druri të gdhendura me elegancë: “Janë punimet që solli em vëlla, Gjovalini, nga burgjet  e Vlorës, Laçit dhe Tiranës”, – më shpjegon Koleci dhe m’i afron një nga një duke i kthyer përmbys për të më treguar datën e vitin e punimit, kryesisht fillimi i viteve 1970. “Për t’i nxjerrë nga burgu, – shpjegoi Koleci – tem vëllau iu desh që secilën statuetë ta gdhendte në dy kopje: njërën për ta nxjerrë në liri, tjetrën për t’ia falur kontrollit të komandës, që do ta lenin ta nxirrte jashtë njërën sish. Janë përgjithësisht punime mjeshtërore me subjekte mitologjike, historike dhe bukolike në frymën e humanizmit të Renesancës. Nuk mungon as heroi ynë kombëtar. Më kishte rënë të shihja punime të të burgosurve politikë në dru, në bërthama pjeshke, në kockë apo në metale, por këto gdhendje përbënin një ansambël të mrekullueshëm për t’u ekspozuar, nëse ndonjë ditë do të ndërtohet një muze me punime të tilla prej burgjeve të komunizmit, siç kishim një projekt prej vitesh në ISKK, të papërkrahur nga buxheti qeveritar. Punimet e Gjovalin Traboinit nuk do të linin indiferent asnjë artist.

Të gjithë vëllezërit Traboini kanë qenë të talentuar, secili në një fushë më vete. Koleci ka qenë një mjeshtër i papërsëritshëm e improvizues në artin e rrobaqepësisë. Në momente shumë të vështira, falë kësaj mjeshtërie ai ka mundur të mbijetojë, sidomos në burg.

Pas kësaj njohje paraprake me këtë dinasti të persekutuar familjare e ndjeva se detyra e mbledhjes së kujtimeve ishte shumë më e vështirë nga sa e kisha pandehur. Megjithatë fiksuam kamerën në stativ dhe nisëm bisedën. Vështirësia nuk voni të dalë në pah: Koleci kërkonte të vinte një rend në rrëfimin e tij sipas kronologjisë, por kjo ishte e pamundur. Sa niste të rrëfente për vete, në rrëfimin e tij plekseshin e ndërhynin fatet e pjesëtarëve të tjerë të familjes dhe rrëfimi i tij bigëzohej, duke u copëtuar më dysh, më tresh e në shumë rrema. Kjo i shkaktonte nervozizëm, sepse i duhej të rikthehej edhe njëherë tek pikënisja, por përsëri e vazhdimisht degët e rrëfimit shpërndaheshin tek fati i vëllezërve të tjerë, i prindërve dhe i motrës dhe nga kjo krijohej një bllokim i natyrshëm. Ishte e pamundur të rrëfeje njëheri për jetën tënde personale, pa përfshirë atë të pjesëtarëve të tjerë të familjes. Praktikisht ishte e pamundur të rrëfeje njeherësh linjën e fatit tënd dhe linjën e fateve të vëllezërve të tjerë.

Familja Traboini kishte prodhuar në përballjen me shtetin diktatorial komunist dhe Sigurimin aq shumë histori, sa ishte e pamundur t’i rrëfente ato nga një gojë e vetme në një seancë të vetme përballë kamerës. Kishte prodhuar më shumë drama, nga ç’është në gjendje t’i përballojë një familje sado e fortë e me moral të trashëguar qëndresë nga malësitë e pamposhtura të Hotit. Nga ana tjetër Koleci ishte i vetëdijshëm se po të mos rrëfente ai dhe për të tjerët, kush do të rrëfente atëherë? Vëllezërit e tjerë dhe i ati nuk ishin më ndër të gjallë dhe Koleci, që gjithmonë ka qenë ndërgjegja e shqetësuar e familjes, nuk mund të mos fliste për fatin e kalvarit të secilit.

I sugjërova që të përqendrohej vetëm tek vetja njëherë dhe pastaj të merreshim me peripecitë e hidhura të fatit të secilit, duke shmangur kësisoj degëzimet dhe digresionet, ndonëse një ndarje e tillë, prapë, ishte e pamundur.

Kur po ndaheshim atë pasdite, Koleci më tha se historinë e familjes së tij e kishte rrëfyer me shkrim në disa blloqe. Ne u takuam edhe njëherë me Kolecin në ISKK ku vazhduam për disa orë të regjistrojmë bisedën e papërfunduar në Shkodër, por pas shtypjes së dorëshkrimit të blloqeve, vendosëm të paraqesim këtë variant të shkruar, si më të plotë e më sistematik. Videoregjistrimi I përket një tjetër projekti. Kështu para jush është “Saga e Traboinëve nën terrorin komunist”, libri autorial i Kolec M. Traboinit në frymën e “Sagave” të hidhura që ka botuar ISKK dhe më parë mbi persekutimin e familjeve të njohura antikomuniste, siç janë “Saga e Merdanëve” apo “Saga e Blloshmëve”.

II

Ndryshimi specifik i këtij libri është se “Saga e Traboinëve” nuk vjen prej një familje të angazhuar politikisht me Ballin, Legalitetin apo ndonjë formacion tjetër nacionalist. Traboinët janë një familje normale, patriote, por mjaft modeste, një familje krejt e zakonshme qytetare, tipike shkodrane, e ardhur në fillim të shekullit XX në Shkodër nga malësitë e Hotit. Ajo që e bën të jashtëzakonshme këtë familje është qëndresa e tyre parballë diktaturës, sasia anormale e mllefit, cinizmit dhe hakmarrjes primitive komunist që u shkarkua mbi ata djem të mrekullueshëm, duke ua hidhuruar jetët e tyre e të prindërve.  Me fjalë të tjera, rezistenca qytetare dhe mospajtimi me pushtetin komunist ka ardhur për Traboinët si konfrontim i natyrshëm e i pashmangshëm. Mosnënshtrimi ndaj diktaturës, së cilës nuk i pëlqente shpirti i lirë, krenar rebel, e ngarkoi këtë shtëpi me shumë dhimba, plagë e pengje, të cilat shtoheshin pas çdo arrestimi të ri. Krenia e ngulitur në genin e djemve të kësaj shtëpie, i shpuri ata në një skajin e një ekzistencë të trishtuar, duke i privuar nga jeta e shtëpisë dhe qyteti i tyre i dashur. Po, një trishtim që rrokullisej nga viti në vit e bëhej ortek, parapërgatiste dhe një natyrë të tërhequr e fataliste në disa raste. Por kurrë asnjëri nuk u nënshtrua, nuk ra në gjunj. Besohej se dhe gurët dhe suvaja e shtëpisë së Traboinëve që mbrojtur në çdo atom me alergjinë kundërkomuniste.

Komunistët shihnin te vitaliteti i kësaj familjeje një shembull të rrezikshëm mosnënshtrimi, çka do të nxiste dhe familjet e tjera për mosnënshtrim. Pra kemi një familje modeste qytetare e tradicionale në një ballafaqim mbi 30 vjeçar me dhunën e padrejtësinë e diktaturës; goditja e kësaj familjeje ka qenë e një egërsie të pamëshirshme, të papërfytyrueshme: 120 vite burg politik, shkatërrimi i të ardhmes, punës, profesionit, shpresës; shkatërrimi psikologjik; shkatërrimi i dhimbshëm i rinisë së gjashtë prej tetë vëllezërve që u burgosën e u riburgosën; shkatërrimi dhe i atyre dy vëllezërve të tjerë që morën barrën e shtëpisë mbi shpatulla dhe të rrihnin rrugët e burgjeve të Shqipërisë duke u rënë pas vëllezërve të tjerë që burgoseshin e riburgoseshin.

Se si mund ta përfytyrojmë një përditshmëri të rëndomtë burgu, mjafton të përmendim një nga episodet e shumta që përshkruan në këtë libër Kolec M. Traboini, duke iu referuar një momenti të vonë, i cili na ndihmon të rrokim me mend përditshmërinë e kampit të punës së detyruar:

“Ishte nji episod i mbesës së madhe (Jozefinës) kur më diftonte se Gjovalini e dëgjonte e nuk çonte telefonin; kjo, nga kureshtja e pyet:

– Pse, axhë, nuk e ngre telefonin, kur të thërras?

– Po ti s’e din motivin… – u gjegj ai, – Kur isha në birucë, aty afër kisha nji telefon. Sa herë binte zilja e tij, zemra jeme e shumë shokëve të mi çohej peshë, sepse çdo zile ishte nji torturë, nji rrahje me dru. Sa herë që binte zilja e tij, njenit prej nesh, që ishim aty, do t’i hidheshin hekurat, për të vazhdue me pyetje e tortura në hetuesi. Pra, çdo zile telefoni donte me thanë: cili prej nesh e ka radhën? Cilin prej nesh do ta marrin e do ta kthejnë mbas 4 ose 5 orësh, të nximë në trup e të gjakosun në fytyrë?»

Por nuk është më i mirë realiteti i përditshmërisë së rëndë në gjoja liri. Regjimi vazhdon të shtojë goditjet ndaj familjes, pa e lënë të mbushet me frymë. Kontrollet e herëpas’hershme dhe mënyra e arrogante e bastisjeve flasin për metoda banditeske. Madje dhe kur kryejnë arrestime ata zgjedhin me cinizëm kohën kur familja është mbledhur në sofër. Është e paharrueshme një tablo e kësaj sjelle, siç e kujton autori:

“Nuk shkoi gjatë me historinë dramatike të vllaut, që sapo ishte arrestue, kur beh policia e arreston babën tonë. Ashtu si ma para, filloi kontrolli për çdo send, kontroll ma i egër se herët e tjera. Nana u egërsue e u tha:

– Çfarë kërkoni? Na nuk jena kriminela! Si arrestoni babën e 9 fmijve në votër të shpisë, midis fmijve të vet, në moshën 68 vjeç!? A keni marre e gjynah?

Na, fmijtë, u egërsuem e filluam të ndërhynim, por ata dolën me shpejtësi, tue marre babën me xhisp 69, që i priste te dera.. Erdhën natën, kur ishim mbledhë rreth votrës gjithë familja. Tan qyteti e mori vesht ngjarjen. Baba që punonte në komunale dhe përfitonte triskat e bukës… E tash, në pension, po provonte burgun me djalë të vet…».

Familja Traboini vazhdon të mbijetojë vazhdimisht e këputur përgjysëm, sepse vazhdimisht gjysma e shtëpisë është nëpër kamp-burgjet e ndryshme të Shqipërisë komuniste nga veriu në jug. Dora e regjimit kujdeset që vëllezërit kurrë të mos mblidhen bashkë. Edhe pa shkak, ata e sajojnë një pretekst për arrestimin dhe dënimin e tyre, siç rrëfen autori në faqet tronditëse të këtij libri për dënimet dhe ridënimet e babës, Zefit, vetes, Sandrit, Gjovalinit dhe Valentinit. Është një moment nga përshkrimet e këtij libri, kur i ati i thotë: “A po e sheh Kolec, që nuk po na lanë me u mbledhë ma shumë se tre mashkuj në shtëpi”.

Prandaj nuk është aspak rastësi, që në “Listën e zezë të vdekjes” që kishte planifikuar Sigurimi i shtetit në fillim të vitit 1991, ndër 181 qytetarë shkodranë që do të arrestoheshin e do të pushkatoheshin figurojnë edhe tre vëllezër të shtëpisë Traboini (Tonini, Sandri dhe Gjovalini) sikundërse burri i motrës, Viktor Martini me vëllezër të tij.

Janë tepër të rralla ato familje, jo vetëm në Shkodër, por në krejt Shqipërinë, që ta kenë paguar aq shtrenjtë lirinë dhe dinjitetin, sa ç’është familja Traboini. Në faqet e këtyre memuareve lexuesi ka mundësi të begatë të njihet me përditshmërinë e rëndë, makthin, stresin të papriturat që kalojnë anëtarët e kësaj kësaj familjeje të vëzhguar, të rrethuar e të survejuar me spiunë provokatorë, të dëbuar vazhdimisht me punë jashtë qytetit ku kanë shtëpinë, të përndjekur gjithandej nën ankthin skenarëve të sigurimit dhe biografisë së keqe, qoftë dhe për gjerat elementare e të thjeshta.

III

Ngjarja që hap siparin e dramës së gjatë të përndjekjeve e burgimeve në familjen Traboini është arratisja Gacit, vëllaut 15 vjeçar. Gaci është një prej djemve më rebelë të Shkodrës; i gjallë, i zgjuar, me nerv, karakter e ndjenjë të spikatur protagonizmi, shumë më i pjekur se moshatarët e vet, ai kapëceu kufirin e paprekshëm komunist dhe doli në botën e lirë. Bëmat e tij janë bërë legjendë e qarkullojnë anembanë Shkodrës e rrethinave, madje edhe pas arratisjes së tij në vitin 1955. Është e para arratisje që përcillet me mahni nga rinia shkodrane, sepse fill pas tij e nën shembullin e tij nisin arratisjet e tjera. Kjo arratisje ia ka rrënuar prestigjin pushtetit të frikshëm komunist, regjimit dhe sidomos Degës së punëve të Brendshme dhe Sigurimit. Ata kurrë nuk e pranojnë se Gaci është arratisur, por nga ana tjetër kanë grumbulluar një mllef hakmarrës për krejt familjen Traboini.

Gaci njëherësh është krenaria dhe brenga e autorit të memuareve. Pothuajse gjysma e këtij libri merret me amanetin e nënës për ta gjetë Gacin. Është një kërkim i vështirë, një legjendë e trishtuar, një elegji e dhimbshme kërkimi i vështirë i të vëllait, deri tek shtjellimi dhe zbardhja e rethanave të vrasjes së tij në Bruksel. Ky rrëfim drithërues i vëllaut në kërkim të vëllaut është jashtëzakonisht prekës e misterioz, sepse na hap një fushë të ndjeshme meditimi mbi krimet e agjenturës së Sigurimit të shtetit ndaj kundërshtarëve të tij në diasporë. Autori nuk pohon asgjë përfundimtare mbi vrasjen e Gacit dhe brenda natyrës së tij skrupulozisht të përmbajtur në rrëfim, ai na ofron faktet që ka grumbulluar, personat, shtypin dhe autoritetet rreth kësaj vrasje të pakuptimtë. Para se të binte sistemi komunist autori na rrëfen, se si dikush kishte futur një kartolinë poshtë derës së shtëpisë, ku njoftonte se Gaci është i vdekur në Belgjikë. Në përfundim të kërkimeve të tij këmbëngulëse, autori ndonëse nuk shprehet troç na lë vetëm faktet në dorë. Për mua si lexues është krejt e qartë se vrasja e Gacit është vepër e zgjatimit të segmenteve të ish-Sigurimit me bashkpunëtorët e vet në diasporë; një vrasje e planifikuar, e provokuar dhe e kamufluar si skenar i një përplasjeje gjoja konfliktuale mes dy individësh. Gjithsesi Kolec M. Traboini përmbush detyrën e tij duke çuar në vend dhe amanetin e prindërve për vëllaun, që e ka dashur përmbi të tjerët.

Një ndër vlerat e këtj libri si dëshmi, përveç pjesëve të para luftës së dytë botërore (fëmijëria), përveç kalvarit të përndjekjeve dhe burgjeve, është dhe rrëfimi për pjesën postkomuniste, e cila është po aq e trishtuar. Si një antikomunist i përkushtuar Koleci na përshkruan ngjarjet kryesore deri në revolucionin e pistë boshevik të vitit 1997, rikthimin e trashëgimisë dhe klikës komuniste në pushtet. Personalisht e çmoj shumë integritetin botëkuptimor të tij si antikomunist dhe i djathtë jo meskin dhe të cilin autori nuk përpiqet ta fshehë. Edhe ai ka humbur para në firmat piramidale, por kjo nuk e ul atë aspak në sindromën masive të zhgënjimit nga “demokracia” dhe të ndërrimit të polit botëkuptimor nga demokrat në mercenar e servil të ish-komunistëve që kthehen në pushtet.

Libri i Kolec M. Traboinit është shkruar për të dëshmuar përvojën e tij dhe të familjes në mbijetesën e mundimshme përballë terrorit komunist. Ai nuk është shkrimtar në kuptimin klasik të fjalës, por shkrimi i tij në gegnishten natyrale niset nga një premisë, të cilën autori e shpjegon brenda përsiatjeve të tij meditative, duke prekur dhe thelbin e nevojës për t’u rrëfyer e për t’ua adresuar saktë rrëfimin e vet të tjerëve:

“Si pjesëtar i kësaj familjeje, e pata ndie gjithmonë për detyrë personale të kallëzoj, ose ma mirë me thanë, të rrëfehem, para Zotit e Kohës me këtë libër kujtimesh, në rrjedhat e historisë që s’u ndalën e si të tilla, xunë njena-tjetrën, sipas situatës që shpalosi koha me hidhësinë e saj… Stuhi e stuhi, në çdo kohë e stinë! Po jeta ecën, fëmijët rriten, mpleksen fatet e njeriut, familjes e shoqnisë… Dhe ato që mbeten të pashlyeshme janë kujtimet. Çfarë me ba me to? Me këto bagazhe që na randojnë në shpirt e në ndërgjegje? Me këtë barrë brengash e pengjesh, andrrash e zhgënjimesh, dishirash të paplotësueme? Kemi dashtë, kemi dishirue me pasion, kemi andrrue, por koha vampire, koha e ligë, na i dogji në flakën e vet të tërbueme. Si me ia ba me barrën e hidhun të këtyne kujtimeve? Me i marrë me vedi, atje ku shkojmë e nuk kthehemi?

Ma mirë, shestoj, asht me ia besue shkrimit, se sa me i sjellë e përsjellë torturueshëm me vedi, pa ba asgja tjetër. Ma mirë me ua lanë breznive t’interesueme, me dijtë ato se prej nga vijnë; mos me harrue se me sa sakrifica e ndërtuen prindja jetën e tyne, tue i mbijetue të keqes, falë kurajos që patën gjyshnit, prindja e axhat e tyne. Ma mirë t’ua lamë gjykimin brezave të tjerë. Na s’kena ç’ta bajmë ma përvojën tonë të grumbullueme, edhe pse nuk e deshtëm, edhe pse nuk e lypëm, edhe pse nuk e kërkuem të ishte e tillë.

Me kujtue të vërtetën asht virtyt. Harresa asht mëkat. A nuk asht, pra, kaq e thjeshtë?»

Unë besoj se janë pikërisht këto vuajtje, travaje e ndeshtrasha si pjesë e kalvarit personal e familjar, pjesa më e vyer e më e pavdekshme e përvojës së njeriut që ia doli t’i mbijetojë të keqes. Ky rrëfim thotë autori në fund të librit u drejtohet «…po aq edhe atyne njerëzve të shumtë, që menduan dhe vepruan si na». Libri kërkon një lexim e kuptimësim të kësaj përvoje ku vendin e parë e zënë plagët, pengjet dhe zhgënjimet. Po përtej kësaj dëshmie, libri përcjell një mësim të madh te lexuesi e brezave të rinj, të cilëve u drejtohet: si të mposhtësh frikën, si të gjesh kurajon, guximin dhe rezistencën me u përballë me diktaturat, pa u nënshtruar dhe pa rëgjuar dinjitetin njerëzor. Sepse diktaturat sado që zgjasin, janë nomade, e kanë një fund, e shumta ato marrin jetën e dy, maksimumi tre gjeneratave, por e keqja që lënë pas është përçudnimi i nderit dhe dinjitetit njerëzor, i cili duhet të dëshmojë në fund të fatkeqësisë se ishte dhe se mbeti po, i përgjakur e i palagosur, por i panjollë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here