Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në familjen e 32-vjeçarit Arjan Sala që humbi jetën mes flakëve në magazinën e veshjeve pranë një qendre tregtare.
Rama ka zhvilluar një vizitë ngushëllimi në familjen e të ndjerit, dy ditë pasi qeveria vendosi ta shpallë “Dëshmor të Atdheut” të riun, i cili dha jetën pasi shpëtoi punonjësit e tjerë dhe u fut mes flakëve për të kontrolluar nëse kishte të tjerë të bllokuar brenda ambientit që u përfshi nga zjarri. Trupi i pajetë i të riut u nxor pas rreth 60 orësh kërkime, mëngjesin e së shtunës.
Megjithatë komentuesit e shumtë në median sociale janë të revoltuar me kryeministrin.
Sipas tyre, ai i la pa mjetet zjarrfikësit, të cilët shkuan për të shuar zjarrin që zgjati thuajse tre ditë.
Për ironi, forcat zjarrfikëse duhej të ishin furnizuar me pajisje dhe të trajnoheshin pas tërmetit vrastar, kur doli në pah sa i rrënuar është shërbimi i emergjencave në vend.
Por u desh ky zjarr vrastar për të kuptuar se shteti nuk funksionon sërish, çka solli revoltën e opinionit publik në median sociale.
Për më tepër, disa media raportuan se zjarrfikësit nuk kanë marrë as pagat. Në intervista televizive, përballë zemërimit të familjarëve të Salës, zjarrfikësit e pranuan se nuk kishin pajisjet e duhura për të kryer punën.