Nis sot vaksinimi i bluzave të bardha të Kosovës në Kukës…

0
136

Federata e Sindikalistëve të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka njoftuar se më 20 mars, sot, 250 punëtorë shëndetësorë të Kosovës do të dërgohen për vaksinim në Kukës, Shqipëri.

Udhëheqësi i kësaj federate Blerim Syla, ka thënë përmes një njoftimi për media se 250 punëtorë shëndetësorë tjerë do të vaksinohen në ditët në vijim.

Ky vendim është thënë të jetë marrë pas takimit të zhvilluar në mes të delegacionit të FSSHK-së dhe ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Nait Hasanit.

Në takim është thënë të jenë diskutuar çështje teknike të vaksinimit.

Kosova ndërkohë vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit dhe pritet të përfitojë vaksinat e para nga COVAX – skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.

Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) Valbon Krasniqi, ka paralajmëruar të premten se gjatë muajit mars mund të tejkalohen të gjitha kapacitetet spitalore, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në javët e fundit.

Edhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se nëse vazhdohet me mbingarkesën e spitaleve, do të ketë vështirësi të menaxhimit të rasteve klinike.

Të premten, më 19 mars, Kosova ka regjistruar numrin më të lartë të infektimeve ditore gjatë vitit 2021, përkatësisht 828 raste të reja.

Prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, më 13 mars të vitit të kaluar, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar 80.621 raste të infektimit.

Prej tyre 1.744 pacientë kanë vdekur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here