Qendra e Vaksinimit në Shkodër ka funksionuar vetëm një ditë, përzgjedhje kjo që bënë autoritetet shëndetësore, për të pritur kryeministrin Rama dhe ministren e Shëndetësisë, në Shkodër. Sapo u fikën kamerat, gjithçka u transferua në Pallatin e Sportit.
Brenda mjediseve të Pallatit të Sportit, procesi është i ndarë në dy faza, paraditen janë të moshuarit e personeli shëndetësor që po marrin dozat e dyta, ndërsa pasdite procesi i vaksinimit për shkollat sipas kalendarit të përcaktuar.
Procesi i vaksinimit në qarkun e Shkodrës është përmbyllur në 12 shkolla, ku një pjesë e mësuesve kanë refuzuar marrjen e vaksinës AstraZeneca, ndërsa autoritetet nuk japin shifra zyrtare për shkallën e refuzimit.
Fier- Vaksinimi me AstraZeneca po vijon edhe në Fier.
Në këtë qytet është vënë re një rritje e numrit të mësuesve që kërkojnë të vaksinohen, menjëherë pasi Agjencia Europiane e Branave tha se AstraZeneca është e sigurt.
“Do e dëgjova mbrëmë në televizor kur u dha, kur u dha leja që të bëhen gjithandej. Edhe Italia që e kishte ndërprerë, filloi.”
“Ka një besueshmëri më të lartë dhe sot nga kontaktet me drejtorët e shkollave ka një fluks në qendrat e vaksinimit të mësuesve.”
Ndërkohë paralelisht me këtë proces po vijon edhe vaksinimi i stafeve mjekësore dhe i të moshuarve mbi 80 vjeç, të cilët po kryejnë dorën e dytë të vaksinës.