Denoncimeve për rimbursimin e ilaçeve anti-Covid mazhoranca i përgjigjet me heshtje. Por kur vjen puna për shpenzime fushate, askush nuk kursehet. Pikërisht pak ditë para votimeve bashkia e Tiranës do të hedh 66 milionë lekë për të blerë, karafila, lule vjollce apo lule zjarri.
Premtimeve pa kufi në këtë nisje fushate, kryebashkiaku i Tiranës i ka shtuar dhe tenderat për zbukurime.
Pikërisht 5 javë para ditës së zgjedhjeve, dhe kur numri i të prekurve nga Covid arrin kulmin hapet gara për blerjen e luleve dhe fara të barit.
Në kronikat televizive gjen shpesh ankesa se nuk rimbursohen ilaçet anti-Covid, por lali Eri për të ngritur atmosferën në votime do të shpenzojë plot 66 milionë lekë për karafila, vjollcë apo farë bari.
Referuar të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike tenderi i hapur nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit është i ndarë në 4 pjesë.
Vetëm për blerjen e plehut organik dhe humusit, Kryebashkiaku ka parashikuar të shpenzojë 37 milionë lekë.
Ndërkohë që për blerjen e farave të barit dhe luleve sezonale nga 12 milionë lekë, që në total kapin vlerën e 24 milionë lekëve.
Në dokumentat standarde të tenderit thuhet se kërkohen nga Veliaj 14 lloje lulesh, ndër të cilat janë edhe margaritat dhe lulet e zjarrit.
Pjesë tjetër e mbetur nga fondi i vënë në dispozicion do të shpenzohet për blerjen e pesticideve.
Kjo procedurë është parashikuar të mbyllet në datën 29 të muajit mars dhe mesa duket Veliaj do t’i përdorë për propagandë përpara fushatës zgjedhore.