Nënkryetari i LSI-së Luan Rama, ka kujtuar Ihsan Budon në 100-vjetorin e lindjes së tij.
Rama ka publikuar edhe shkrime e kujtime nga Ihsan Budo, duke u shprehur se ai pa frikë mund të konsiderohet qëndrestari i një shekulli.
Postimi i nënkryetarit të LSI-së Luan Rama:
Në 100 vjetorin e lindjes:
QËNDRESTARI I NJË SHEKULLI
Ihsan Budo e kapërceu një shekull jetë, e nëse do të duhet që e gjithë jeta shekullore e tij të përmblidhet në një fjalë të vetme, me kuptimplotë është fjala qëndrestar.
Eshte metaforë e jetës së një njeriu që ia ka dalë me shumë dinjitet, ndaj për ta perceptuar në gjithë përmasën reale jetën prej qëndrestari të Ihsan Budos, po citoj nga fjalori se cili është kuptimi i fjalës qëndrestar: – ai që përballon vështirësi a fatkeqësi të mëdha, ai që nuk thyhet; ai që ka bërë qëndresë të fuqishme në udhën e zgjedhur.
Ndaj njëqindvjeçari Ihsan Budo është një qëndrestar, prej të paktëve të brezit të vet që teksa e kthen kokën pas e sheh shtigjet nëpër të cilat ka kaluar, nuk ndjen asnjë grimë drojë.
Jeta e vuri në sprova të mëdha. Por ai nuk iu iku atyre edhe pse e dinte që mund ta paguante shtrenjtë, mbase edhe me kokē.
Dhe në fakt nuk ka paguar pak në jetë, sepse jeta ia ofroi të gjitha.
Por ai si qëndrestar i sfidoi sprovat e jetës dhe e jeton jetën me krenarinë e fitimtarit.
Partizan dhe antifashist, çlirimtar në luftën për liri dhe komunist idealist me ëndërra të mëdha, i akuzuar dhe dënuar prej partisë e shokëve të tij të luftës e idealit dhe kundërshtar kokëkrisur ndaj tyre, i burgosur politik i rregjimit komunist e tolerant deri në caqet e të pabesueshmes, burrë i ditur e asnjëherë kokulur, Ihsan Budo është sot qëndrestari i një shekulli, përfaqësuesi i një brezi idealistësh që nuk ka për t’i ardhur më Shqipërisë.
Unë e kam njohur në Kurbnesh kur isha vetëm 10 vjeç, se vajza e tij e vogël, Farushi qe për pak kohë shoqja ime e bankës.
Them për pak kohë, se vetëm disa muaj më pas Ihsanin e arrestuan e pasi e demaskuan publikisht në mes të qytetit, e çuan teposhtë në rrugën drejt ferrit, ndërsa vajzën e tij që ishte nxënësja më e mirë e klasën, nuk e lanë më në bankë me mua. Lufta e klasave duhej të zhvillohej edhe aty në bankën time të klasës së pestë në shkollën e Kurbneshit dhe vajza e një “armiku” nuk duhej të qëndronte më në një bankë me djalin e një komunisti!
Ihsani ishte vetëm 36 vjeç kur e internuan në Kurbnesh dhe në Kurbnesh jetoi në internim edhe 35 vite të tjerë.
Qëndrestar qe Ihsani edhe atë ditë të 25 qershorit të vitit 1977, kur me pranga në duar e morën nga shtëpia teksa sapo ishte ulur me familjen e tij të drekonte dhe e vunë para gjithë qytetit duke ndërsyer mbi të një lukuni me njerëz që ta demaskonin si “armikun e partisë dhe të popullit”.
Isha aty dhe i mbaj mend të gjithë ata që folën.
Madje njëri syresh kishte marrë me vete edhe vëllimin e 13-të të veprave të Enver Hoxhës dhe fragmentin ku përmendej emri i Ihsan Budos ndër ata që ai i etiketonte armiq, e lexoi para të gjithëve me ton prej prokurori.
Edhe një shitëse u ngrit e tha se “ky armik bleu një shishe verë për festën e Vitit të Ri, por pasi vajti në shtepi u kthye në dyqan e më tha se të kërkova verë, por ti më ke dhënë uthull, duke sharë kështu prodhimet e ekonomisë tonë socialiste!!!”
Më 10 dhjetor, Ihsan Budo kaloi një shekull jetë.
I uroj shëndet e jetë edhe në shekullin e dytë, dhe e paçim përherë qëndrestarë.
Ihsan Budo përballoi vështirësi dhe fatkeqësi të mëdha.
Ihsan Budo kurrë nuk u thye.
Ihsan Budo bëri qëndresë të fuqishme në udhën që zgjodhi.
E ai sot është ndër ne qëndrestari i një shekulli që jeton në shekullin e dytë jetën e tij prej fitimtari.