“Shpresoj që të jetë fundi i një periudhe të trishtë”- Ekspertët: Vaksina, kthesë e rëndësishme në luftën ndaj pandemisë

0
98

Të hënën punonjësit e kujdesit shëndetësor ishin të parët që morën dozat e vaksinës së parë të miratuar në SHBA që lufton COVID-19-n. Kjo sinjalizon atë që autoritetet shëndetësore e quajnë një pikë kthese të rëndësishme në luftën kundër virusit, i cili ka marrë më shumë se 300 mijë jetë njerëzish, prej fillimit të pandemisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Jesusemen Oni sjell më shumë detaje.

Fillimi i raundit të parë të vaksinimit në Shtetet e Bashkuara shënon një pikë kthese në betejën kundër COVID-19-s.

Si dëshmitare e vuajtjeve dhe vdekjeve të pacientëve me COVID-19, infermierja e një prej njësive të kujdesit intensiv, Sandra Lindsay, nuk hezitoi të ishte e para në radhë.

Shpresoj që kjo të shënojë fillimin e fundit të një periudhe të trishtë në historinë tonë“, thotë ajo.

Vaksinat vijnë në një kohë kritike ndërsa numri i vdekurve në SHBA i ka tejkaluar të 300 mijë vetët. Pandemia vazhdon të mbingarkojë spitalet e të shkatërrojë ekonominë e vendit. Por sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore Alex Azar thotë se shpresat po ndizen duke iu referuar dërgesave të para të vaksinës së Pfizer-it, planifikuar për t’u shpërndarë në 636 pika të ndryshme në të gjithë vendin si dhe një vaksine të dytë që pritet të miratohet nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave gjatë kësaj jave, ndoshta të premten.

Ndërsa flasim, vaksinat po mbërrijnë në pikat e përcaktuara. Kamionë dhe aeroplanë në pronësi të UPS-it dhe FedEx-it po i dërgojnë këto produkte që shpëtojnë jetë në vendet ku amerikanët do të vaksiohen. Gjatë kësaj jave po dërgohen 2.9 milionë doza“, thotë ai.

Fushata e imunizimit masiv nisi me ato grupe që konsiderohen në rrezik të lartë për t’u infektuar, siç janë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe banorët e azileve. Vaksinimet për publikun e gjerë nuk pritet të fillojnë deri në fund të pranverës së vitit 2021. Kohë e mjaftueshme, shpresojnë ekspertët për të bindur skeptikët.

Vetëm vaksina, nuk i jep fund pandemisë. Ajo që nevojitet është një popullatë e gatshme që ta pranojë atë”, thotë T.S. Harvey, profesor në Universitetin Vanderbilt.

Pasojat shkatërruese të pandemisë shkojnë përtej SHBA-së, ndaj ka nevojë për një qasje shumëpalëshe për t’i dhënë asaj fund thotë eksperti i sëmundjeve infektive, Dr. Bill Petri.

Ne nuk do të jemi në gjendje ta vendosim atë nën kontroll nëse nuk kryejmë vaksinime në të gjitha vendet e botës. Në të kundërt do të kemi shpërthime e probleme të vazhdueshme”, thotë ai.

Disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë, kanë autorizuar gjithashtu përdorimin e vaksinës së Pfizer-it. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë më shumë se 50 vaksina kundër COVID-19-s që po testohen tek njerëzit në të gjithë globin.

Çdo vaksinë, thonë ekspertët, do të ishte e mirëpritur në garën për t’i dhënë fund pandemisë./ VOA

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here