Pësoi goditje cerebrale, ndërron jetë nënkryetari i Bashkisë Elbasan, 37-vjeç

0
140

Nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Ervin Saraçi nuk ia ka dalë dhe ka ndërruar jetë sot, në moshë fare të re, vetëm 37 vjeç.

Saraçi pësoi një goditje cerebrale disa ditë më parë, dhe ishte në koma. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, që e mbanin në jetë me aparatura, Ervini nuk arriti të mbijetojë, dhe këtë të premte ai u nda nga jeta.

Lajmin e hidhur e ka ndarë në rrjetet sociale edhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, por edhe miq, shokë, kolegë e të afërm, që janë shprehur të pikëlluar për këtë humbje.

“Ishim të gjithë të sigurtë që do ia dilje mbanë ashtu siç ia dilje të ngjisje majat e larta të Shqipërisë mes dëborës”, shkruan mes te tjerash kryebashkiaku i Elbasanit.

Postimi i plotë:

“Kur më thanë që kishe pësuar një goditje celebrale nuk doja ta besoja, Ti ishe aq energjik, aktiv dhe me një vullnet për tu admiruar përballë çdo sfide që të rezervonte jeta.
Ishim të gjithë të sigurtë që do ia dilje mbanë ashtu siç ia dilje të ngjisje majat e larta të Shqipërisë mes dëborës.

Ti ishe krah meje që në fillim të rrugëtimit tim, në Prefekturë, gjatë betejës së 30 Qershorit, në ditët e para në bashki dhe falë punës tënde të shkëlqyer arritëm të menaxhonim më së miri tërmetet dhe pandeminë.

Ervini mbante një dashuri të veçantë për Elbasanin, që e përktheu në dedikim, përkushtim e punë të palodhur për qytetin tonë.

Do të të kujtoj gjithmonë ashtu të qeshur buzagaz dhe me atë energjinë e mirë e pozitive që përcillje. Baba i përkushtuar për Enesin e vogël, bashkëshort i dashur për familjen dhe mik i shtrenjtë për këdo që pati fatin të të njohë.

Ikja jote e parakohshme na pikëlloi pafund!

Ngushëllime familjes për këtë humbje të madhe!

S’do të jeni kurrë vetëm!

Lamtumirë mik i mirë! Do na mungosh!”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here