Nata e Shën’Kollit m’shpin tonë…

0
184

Nga dom Gjergj Meta 

M’shpin tonë, nota e shën’Kollit, qe i bje me dat 5 dhjetor, nuk ishte festu mo me miq qy pri vitit 1967. Mçeftas n’fakt e kishim festu m’familjet tona, por ne kalamojt nuk merrshim vesht se ça ishte ajo gjo. Na rrejshin e na thojshin: “o ditlindja babës” (gjyshi ishte baba) ose “o ditlindja nonës” (gjyshes). Baba dhe nona për shën’Koll nuk e lejshin pa e bo i shej. Kur uleshin m’vak t’mromjes me hongër bukë, moma ime i vejte ene ka i gotë raki para (e kishin racion çdo mromje faktikisht). Baba merrte gotën e rakisë ene fillojte:

– Qoftë lëvdu Krishti e pjakë!

– Gjithonë e jetës e pjak!

– T’na ken jet fmit!

– Amin o Zot

Edhe nona e merrte gotën e rakis e përsëriste t’njëtat fjalë e baba i kthejte xhevap me të njëjtat fjalë. Kur ishte nota e shën’Kollit u shtojshin ene fjalët:

– Na nimoftë shën’Kolli!

– Amin!

Me t’thonë t’drejtën gjyshi këllxojte kohën kur shën’Kolli bohej me shumë rob. Vijshin ortodoks e myslimon pri katunit tonë ene pri katuneve aty njat: nga Juba sidomos. Festa u bojte gati me kohë e me vakt. “Zakonisht, këllxojte gjyshi, thershim i lopë bashkë me kushrit tonë ene e dajshim përgjyms.” “Kishte lezet er bir babs” – ia bojte her mas here baba me i far tristimi.

Kur erdhi ai që s’i përmenet emni, ne mylli kisha e xhamia, festat nuk u festun mo si dikur. Ishte ne frikë e modhe se t’futshin mrena pa i pas hak e hile kërkujt. N’menjen time si kalamo m’ka ngel e fiksume i gjo.

Ishte i burr i vjetër pri katunit tonë që pothujse çdo vit, sa u errte me datë 5 dhjetor, vijte ne i bijte derës me shkop ene bojte zo:

“O Gjergj Meta!”

“Hajde bujrm!” – ia kthejte baba pri mrena.

Baba u çojte m’kom, kurse moma shkojte e hapte derën. Ishte bab Nosi. Kshu e thirrshim ne kalamojt kët plak mesoburrë, shok fminije i gjyshit tim. Kishin kalu i jetë bashkë ene duheshin fort mo. Aqi fort sa kur ka vdek gjyshim im e maj men bab Nosin tu qa me lot si kalamo. Na u dukte se bab Nosi ishte si shën’Kolli. M’at koh t’zymt me t’ardh i rob n’shpi pa hile, ishte si me u nez i dritë, i zjarm n’oxhak a nuk di si me e thonë ate qe ndjej sot e ksaj dite. Rrishin me gjyshin, me gotat e rakis para ene boshin muhabet deri vonë. Ishte i not e mrekullushme: nota e shën’Kollit.

Vitet hikshin, e bashkë me vitet vumë re se ishte t’u hik ene ai si nuk i përmenet emni. Erdhi viti 1990. Kishim ngju se n’Shkodër osht thonë meshë kë varrezat. Kishim nigju se i far dom Simon Jubani, prift i vjetër që kishte qenë në burg, kishte mledh me mijra rob ene pa iu dridh qerpiku kishte thon mesh. Frika kishte fillu me dal. Shën’Kolli po vijte e ne kishim vendos me e festu, me miq si dikur. Babi kishte lajmëru naj rob, motrat e veta, naj shok e naj kushri. Ne kalamojt nuk e dishim si bohet festë me shumë rob në shtëpi pa pas dasëm. Përgatitja filloi gati i javë para. Kur erdh data 5 dhjetor sa filloi ardh mromja, fillun njerzit me ardh. Shpia filloi me u mush kadal kadal. Kishin ardh ne kushrit e kushrinat e mia. Shpia mori dritë e hare. Babgjyshi i jepte muhabet miqve, por syt i kishte ke dera. I vihej re i far shqet’simi. Kur papritur ra dera. Ishte goditja e shkopit të bab Nosit:

“O Gjergj Meta!”

“Hajde bujrm e Nos Petoni hajde!”

G’zimi u bo ene ma i modh. Darka ishte gati. U ulën t’gjith. Babi mushi gotat e kur ia vejte para robve i thojte: “Mir se t’pruni Zoti!” Për her t’par e nigjova kët shprehje nga goja e babit tim.

Kur gjithçka u bo gati babi i tha babgjyshit: “Çoje lal!”. U kriju i qetsi e modhe. Nuk fliste mo asnji. Bab Gjergji u çu m’kom mori gotn e rakis. Trupi i tij i kuvetshëm, mustaqet dhe ksula e bardhë i jepshin hijen e nji patriarku. Shifej qart emocioni ke syt e tij. Pas 23 vjetsh po festonte shën’Kollin si e kishte festu me breza e breza.

“Qoftë lëvdu Krishti!, Mirë se keni ardhë! Shumë vjet bashkë! E nota e shën’Kollit na ndihmoftë t’ gjithve”.

T’gjith me radh than fjalt e rakis e darka vazhdoi me muhabet, shaka, gaz e gzim! Ishte nota e shën’Kollit

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here