Shehaj: Drejtësia e Re u bë më pis se e Vjetra. Mungesa e institucioneve po u kushton shqiptarëve miliarda lekë

0
133

Nënkryetarja e LSI-së në Tiranë Brisida Shehaj komenton në një intervistë për ‘standard’ zhvillimet e fundit politike në vend, ku vë theksin te zgjedhjet e 25 prillit. Sipas Shehaj, nga takimet në terren është marrë gjerësisht mesazhi se 25 prilli do të jetë një referendum i madh historik. Po ashtu Shehaj komenton edhe humbjet e Shqipërisë në arbitrazh, ndërsa nënvizon se faturat aktuale e të pritshme tashmë qartazi janë pasojë ose e arrogancës, ose pazarit që bën vetë Rilindja. Lidhur me politikën e taskave, Shehaj pohoi se taksimi progresiv rëndoi më shumë shtresën e mesme, gabim që sipas saj do korigjohet pas 25 prillit. Ndërkohë lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi, Shehaj tha se veprimet në kushte paligjshmërie kompromentuan rëndë vettingun. “Mënyra si u realizua ky vetting e bëri Drejtësinë e Re më pis se e Vjetra.”.

 

Pas një sfide në administratën publike me postin e rëndësishëm të drejtoreshës së tatimeve, jeni rikthyer befasishëm me një tjetër sfidë, duke u bashkuar me ekipin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Si nënkryetare e LSI-së në Tiranë, si e shihni përballjen e pritshme të 25 prillit ? Cilat janë pritshmëritë që merrni nga terreni, nga takimet e përditshme me qytetarët dhe bazën?

Ajo që pres në 25 prill është një përballje mes çfarë shqiptarët meritojnë dhe asaj që i ka imponuar Rilindja: korrupsion, pabarazi, përbuzje, mjerim, shpopullim. Takimet në terren janë motivi kryesor për të cilin artikulohem e sigurt se 25 prilli do të jetë një referendum i madh, historik.

Për mua personalisht takimet e përditshme me njerëzit në Tiranë dhe jo vetëm janë motivimi dhe stimuli ku gjej forcën e besimin për të vijuar këtë betejë. Qytetarët janë të qartë, identifikojnë tashmë shkaqet e pasojave dramatike me të cilat përballen çdo ditë, por edhe Rilindja po dëshmon se po mendon për rënien, ndaj detyra jonë është artikulimi i një alternative të denjë për një popull të përbuzur nga qeveria e vet.

Është zbardhur nga mediat opinioni paraprak i Komisionit të Venecias, i cili i cilëson ndryshimet në Kodin Zgjedhor që u mundësuan nga votat e PS-së dhe një pjese të opozitës parlamentare si jashtëzakonisht të nxituara dhe të miratuara pa konsultimin e duhur. Sipas jush, a rrëzon ky opinion, Kodin e ri Zgjedhor dhe cila do jetë ecuria në vazhdim? A besoni se do rikthehen palët në tryezën e Këshillit Politik për të rinegociuar mbi apelet e Venecias?!

Unë nuk pres, që Rilindja të braktisë arrogancën dhe frikën për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit. Të gjitha ndryshimet e njëanshme të bëra këto kohë dhe shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit dëshmojnë ekzaktësisht pamundësinë e tyre për të bindur elektoratin për një mandat të tretë.
Rilindja (dhe jo PS, jam e kujdesshme ta bëj këtë ndarje) ka dëshmuar edhe brenda saj se e ka frikë garën. Por LSI hyn e bindur dhe e sigurt si me këtë kod a çdo tjetër në çdo proces zgjedhor, duke garantuar çdo zgjedhës se asnjë votë nuk do të shkojë dëm e as nuk do t’i nënshtrohet manipulimeve.

Pak ditë më parë u mbush një vit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit 2019. Cili është komenti juaj mbi punën e qeverisë sa i përket strehimit të familjeve të prekura nga tërmeti, bonusit te qerasë si edhe mbi procesin e rindërtimit të banesave?

Faktet flasin vetë. Rilindja e facebook-ut jep tek tuk ndonjë çelës në zonat e ish kryebashkiakëve të djathtë, me taktikën tashmë bajate të populizmit, kur ndërkohë mijra familje qëndrojnë ende në çadra. Më e turpshmja është kur dëgjon anëtarë të kabinetit qeverisës, se shtëpitë e tyre do të rindërtohen vetëm nëse Edi Rama do të jetë kryeministër a thua se këto para do dalin nga xhepat e Ramës dhe jo nga taksat tona. Shpresoj, që të paktën kësaj here fatura e Rindërtimit të shkojë për shqiptarët e jo për të mbushur xhepat e tyre.

Një ndër problematikat më të mëdha nga e cila rrezikohet seriozisht ekonomia shqiptare janë humbjet e Shqipërisë në arbitrazh. Krahas çështjes së Bechetit, së fundmi kompania e përzgjedhur për të ndërtuar parkun fotovoltaik në Akërni na ka paditur dhe kërkon 110 milionë euro dëmshpërblim. Si e gjykoni këtë situatë?

Faturat aktuale e të pritshme tashmë qartazi janë pasojë ose e arrogancës, ose pazarit që bën vetë Rilindja. Rasti konkret i Akërnisë është një absurd i madh, deri në kufijtë e të pabesueshmes. Shteti investohet 2 vjet në këtë proces, përmbyll edhe tenderin me sukses, përzgjedh kë do, sipas kritereve që i ka vënë po vetë dhe në finale ky shtet refuzon të lidhë kontratën. Nuk dua të aludoj se ministrja, që erdhi gjeti shkelje për ministrin që iku, por ngado të përpiqesh ta rrotullosh arsyetimin e logjikën, pikëpyetjet bien mbi qeverinë: Ose je i paaftë, ose ke abuzuar?!
Por veç faturave të arbitrazheve ne kemi fatura me miliarda lekë, që vijnë si pasojë e ligjeve antikushtetuese (p.sh dividenti), si dhe për konçesione të dhëna në shkelje flagrante të ligjit.

Të mbetemi te ekonomia e cila po rëndohet gjithnjë e më shumë nga një borxh publik që vazhdon e rritet. Një barrë e rëndë për financat e vendit padyshim ishin dy krizat e kësaj kohe, tërmeti dhe pandemia, por nga ana tjetër qeveria nuk ka ndalur traditën e saj disa vjeçare të dhënies së koncensioneve dhe PPP-ve. Si e vlerësoni këtë praktikë qeveritare?

Nuk besoj se kanë mbetur fakte, argumenta, denoncime e dëshmi të pathëna për abuzimet me konçesionet, tashmë që filozofia e tyre është dekonspiruar. Një gjë është e sigurt, se këto investime bazuar në shifrat që deklaron vetë Ministria e Financave nuk kanë prodhuar asnjë vlerë të shtuar si në të ardhurat publike, por mbi të gjitha në shërbimet, që marrin qytetarët.

Cili është opinion juaj mbi politikën e taksave të ndjekur nga qeveria gjatë këtyre viteve? Si e komentoni ecurinë e taksimit progresiv dhe gjendjen e rënduar të biznesit, sidomos përgjatë këtij mandati të dytë të qeverisë “Rama”?

E kam shprehur shpesh se taksimi progresiv rëndoi më shumë shtresën e mesme, gabim që ne do ta korrigjojmë pas 25 prillit. LSI po punon për një paketë të plotë ndryshimesh për të lehtësuar si biznesin ashtu edhe individin. Ne po shohim mundësinë që individët të kenë një taksim më të drejtë dhe t’ju njihen disa shpenzime, përfshi këtu edhe minimumin jetik.

Vetëm një ditë më parë një prej gjyqtarëve të Vettingut u shpall fajtor për falsifikim të dokumentave. Ndërkohë Gjykatë Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut zbardhi dje një vendim të një çështje në Islandë, duke e konsideruar shkelje të procesit të rregullt ligjor, zhvillimin e një gjyqi ku një prej gjyqtarëve nuk është zgjedhur në përputhje me ligjin. Sa janë shanset që ky vendim të merret si precedent për vettingun në Shqipëri? Ndoshta një pjesë e mirë e magjistratëve të shkarkuar nga një ekip gjykues ku bënte pjesë gjyqtari Daci do kërkojnë rikthimin në detyrë e ndoshta dëmshpërblim për shkarkimin?

Shpresoj që ky precedent të konsiderohet edhe në Shqipëri, nuk mund të ngrihet drejtësi mbi padrejtësinë. Rasti i Z. Daci është i turpshëm, por jo i vetëm. Veprimet në kushte paligjshmërie kompromentojnë rëndë vettingun. Tashmë kuptohet qartë filozofia e Rilindjes edhe në këtë proces: zgjidh njerëz të shantazhueshëm të cilët mund t’i përdorësh sipas nevojës! Kjo nuk është një çështje thjesht e zëvendësimit të disa emrave me të tjerë, por mënyra si u realizua ky vetting e bëri Drejtësinë e Re më pis se e Vjetra. Mungesa e institucioneve të drejtësisë po u kushton shqiptarëve miliarda lekë me ligje abuzuese e vite të tëra pritje, ku një drejtësi e vonuar është drejtësi e munguar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here