GRECO godet vetingun dhe SPAK: Qeveria ‘fle’ me korrupsionin, policia e politizuar…

0
120

GRECO (Grupimi i Shteteve kundër Korrupsionit) në bashkëpunim me Këshillin e Europës në seancat plenare në Strasburg miratuan edhe raportin për gjendjen e korrupsionit në Shqipëri.

GRECO jep vlerësim për kuadrin ligjor për parandalimin e korrupsionit mes personave të cilëve u janë besuar funksione të larta ekzekutive (PTEF) dhe atë për Policinë së Shtetit në Shqipëri si gjithëpërfshirës, por e cilëson nga ana tjetëre, edhe disi të shkëputur dhe tepër kompleks.

Ata rekomandojnë që fokusi tani duhet të vihet në koherencën e tij të përgjithshme dhe sidomos në zbatimin efektiv të këtyre ligjeve. Gjithashtu kërkohet përmirësimin i kapaciteteve të organeve përgjegjëse për zbatimin e tij dhe në miratimin e një qasjeje proaktive në drejtim të hetimeve.

Rekomandohet një manual që paraqet standarde dhe rregullore të ndryshme, duke ofruar udhëzime për detyrimet e PTEF dhe të policisë dhe për rolin e secilit organ përgjegjës për zbatimin do të lehtësonte zbatimin aktual të rregullave dhe mbikëqyrjen efektive.

Një nga pikat e tjera është premtimi i një Strategjie Ndërsektorale kundër Korrupsionit dhe Plani i Veprimit për zbatimin e tyre të cilat parashikojnë miratimin dhe zbatimin e një Plani Integriteti nga çdo ministri.

Por nënvizohet se sidoqoftë, këto plane nuk janë hartuar ende. GRECO i bën thirrje qeverisë shqiptare, për miratimin e tyre të shpejtë dhe për marrjen parasysh të rreziqeve specifike të integritetit me të cilat mund të përballen ministrat dhe këshilltarët e tyre politikë gjatë ushtrimit të detyrave të tyre.

Gjithashti theksohet se një Kod Etik Ministror u miratua në vitin 2013, por GRECO dyshon nëse zbatohet në praktikë dhe nëse është funksional Komisioni i Etikës që parashikohet në këtë Kod.

Ai rekomandon adresimin e këtij boshllëku dhe kombinimin e masave që do të miratohen me veprimtari sistematike ndërgjegjësimi për çështje që lidhen me integritetin e të gjithë PTEF-të, përfshirë edhe këshilltarët politikë.

Sipas këtij raporti, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet në këtë kontekst rregullave të qarta pas periudhës së punësimit dhe zbatimit të tyre.

Është krijuar kuadri i përgjithshëm për deklarimin e interesave private, rregullisht gjatë ushtrimit të funksioneve, si edhe rast pas rasti.

Sidoqoftë, nuk ka raste të PTEF që kanë qenë të detyruar të tërhiqen nga një dosje ose diskutim specifik për shkak të një konflikti interesi ad hoc, i cili hedh dyshime mbi efikasitetin e sistemit në praktikë.

Në këtë dokument trajtohet edhe roli i Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe Konfliktin e Interesit, (ILDKPKI), i cili është përgjegjës për marrjen dhe shqyrtimin e formularëve të deklarimit të pasurisë dhe interesave të PTEF-ve dhe policisë.

Rekomandohet që për qëllim të efikasitetit, platforma elektronike për deklarimin dhe publikimin e këtyre deklarimeve duhet të bëhet funksionale sa më shpejt të jetë e mundur dhe ILDKPKI duhet të përmirësojë kapacitetin e tij monitorues dhe procedurat.

Nga ana tjetër, theksohet se çështjet që ILDKPKI dërgon në prokurori duhet të ndiqen si duhet. Kjo kërkon funksionimin efektiv të Prokurorit të Posaçëm kundër Korrupsionit (SPAK) dhe krijimin e bashkëpunimit efektiv me ILDKPKI.

Për sa i përket Policisë së Shtetit, vërehet se në vetingun e përkohshëm është shfaqur një shqetësim specifik. Ka të ngjarë që si rezultat i tij të largohet nga forca policore një numër i konsiderueshëm i stafit të kualifikuar, duke e bërë të vështirë ushtrimin e funksioneve kryesore të policisë.

Drejtësia dhe efektiviteti i procesit janë gjithashtu në diskutim, pasi ai nuk trajton në mënyrën e duhur të gjitha rreziqet e mundshme të integritetit. Prandaj, duhet të zëvendësohet me kontrolle të rregullta të integritetit gjatë karrierës së policisë. Gjithashtu, rregullat e duhura pas periudhës së punësimit duhet të rishikohen në këtë kontekst.

Një shqetësim tjetër kritik ka të bëjë me praktikën aktuale që Policia e Shtetit mund të marrë donacione private dhe sponsorizime, të cilat – nëse një praktikë e tillë do të lejohet – duhet të rregullohen në mënyrë rigoroze për të kufizuar çdo risk korrupsioni dhe konflikti interesi. Po kështu, mundësia që Policia të ofrojë shërbime shtesë në këmbim të pagesës duhet të rregullohet në mënyrë rigoroze.

Politizimi në Policinë Shqiptare, sipas GRECO është gjithashtu një çështje shqetësuese. Për ta ulur nivelin e politizimit, duhet të merren masa që të rritet qëndrueshmëria e drejtuesve të lartë në pozicionet e tyre, pavarësisht nga ndryshimet politike në vend dhe që pozicionet e nivelit të mesëm drejtues 5 të emërohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe jo nga Ministri i Brendshëm.

“Rregullat e etikës duhet të plotësohen me udhëzime praktike, si dhe masa të ndërgjegjësimit, trajnimit dhe këshillimit – përfshirë mbrojtjen e sinjalizuesve, në mënyrë që të rritet besimi te sistemi”, thuhet në mënyrë të përmbledhur në këtë raport të GRECO.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here