Skandali 1 milion dollarësh, Ministria e Financave në alarm për faturën “ilegale” të AKSHI

0
144

Një faturë prej 1 milionë dollarësh e kaluar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit drejt një kompanie private në vend ka shkaktuar një ngjarje me përmasat e skandalit në Ministrinë e Financave. Personi përgjegjës që duhej të bënte regjistrimin e faturës në sistem thotë se nuk e ka kryer veprimin. Ndonëse është shkarkuar ai dyshon se llogaria e tij është vjedhur me qëllim kryerjen e veprimeve klandestine për likujdimin e shumës që lidhet me shërbimet kompjuterike. Incidenti ka vënë në lëvizje disa Drejtori në Ministri, ndërsa pritet të hetohet edhe nga KLSH.

Një ngjarje me përmasat e skandalit ka ndodhur në degën e Thesarit në Tiranë, fillim të vitit 2019 në lidhje me likujdimin e një pagese me vlerë rreth 1 milionë dollarë nga buxheti i shtetit në favor të një kompanie private.

Pagesa është kryer në datën 6 shkurt, por procedura e ndjekur ka vënë në alarm Ministrinë e Financave, që ka shkarkuar një punonjës megjithëse ai pretendon se nuk ka marrë pjesë në kryerjen e veprimeve.

Sipas një shkrese të zbuluar dalë nga Ministria e Financave, punonjësi ka denoncuar largimin nga puna, duke u shprehur se nuk ka autorizuar kalimin e pagesës nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit drejt kompanisë Info Soft System.

Fatura bën fjalë për pagesën e shpenzimeve në lidhje me miratimin e marrëveshjes së rinovuar ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Microsoft Corporation, për projektin e partneritetit strategjik.

Në shkresë punonjësi thotë nuk është implikuar në këtë ngjarje, ndërkohë që për kryerjen e pagesës janë bërë tri tentativa, dy prej të cilave të dështuara.

Burimet kanë bërë të ditur se dyshohet se ankuesit i është vjedhur IP e kompjuterit, me qëllim që veprimet të paraqiteshin sikur ishin kryer prej tij.

Nëse kjo rezulton e vërtetë, duket se përbën shkelje të rëndë dhe cënim të sigurisë së sistemit me të cilin operon buxheti i shtetit.

Përveç kësaj, një tjetër shkelje duket se është edhe zbatimi i buxhetit të shtetit pasi pagesa rezulton të jetë kryer me fondet e vitit 2018, ndërkohë që  është regjistruar më 14 janar të vitit 2019 dhe është ekzekutuar në 6 shkurt të po atij viti.

Në këtë periudhë sipas ligjit të buxhetit institucionet janë kushtëzuar të ndalin pagesat në Thesar, me përjashtim të rasteve emergjente, ndërkohë që rasti i faturës në fjalë nuk ishte një rast i tillë.

Burimet nga Ministria thanë se në po të njëjtën ditë që është ekzektuar pagesa, më 6 shkurt  përgjegjësja e degës së Thesarit Tiranë, Entela Milo, kërkon të informohet nëse specialisti Elkjer Qema kishte regjistruar në sistemin informatik financiar qveritar ndonjë faturë për pagesë të Agjensia Kombëtare e Shoqerisë së Informacionit.

Specialisti i bën të ditur që nuk ka kryer asnjë veprim të tillë, duke marrë në konsideratë faktin se AKSHI gëzon statusin pilot dhe nuk ishte në listën e institucioneve të cilat ai kishte në ngarkim.

Në lidhje më këtë çështje, Milo përmes një e-maili, drejtuar specialistit Elkjer Qema, Aurela Velos, personi me përgjegjësinë më të lartë në sistemin e Thesarit, Elmira Fetos, Drejtoreshës së degës së Thesarit Tiranë dhe Lavdërim Sahitaj, drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, deklaron me përgjegjësi të plotë se Qema nuk e ka kryer këtë regjistrim në sistemin e Thesarit.

Shkresa e ankimit mësohet se i është drejtuar si Ministres së Financave ashtu dhe KLSH.

Kur ka kaluar një vit nga kjo ngjarje, duket se këto institucione duhet të reagojnë për zbulimin e së vërtetës dhe marrjen e masave për të ndaluar raste të tjera të ngjashme. Ora.News.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here