Dalin dëshmi të panjohura/ Kamp – burgu politik i Qafë Barit, dita pas revoltës

0
235

Shkrimtari Agron Tufa publikon fragmente nga libri memuaristik në process të ish të burgosurit politik, Skënder Tufës. Në një prej këtyre pjesëve, që po botojmë më poshtë, shkrimtari ka sjellë edhe rrëfimin e ish pjesëtarit të forcave special të ish MPB. “Kam shkruar dhe më parë për të. Reagim qenë ca kercënime nervozake të nipit të tij. Tani, për përfshirjen e tij në projektimin e masakrës dhe vdekjeve në Revoltën e Kamp-Burgut politik të Qafë-Barit flet një dëshmitar okular, ish-pjesëtar i Forcave Speciale të ish MPB, Izet Dardha. Lek Imerajt (Ymeri) nuk i pi më ujë asnjë alibi, as në Gjermani. Dëshmia është përfshirë në librin memuaristik të Skënder Tufës, në proces botimi.”

 

(dëshmi e Çajup Bejkos)

– Më kujtohet fare mirë, se më muarën edhe mua me grupin e dytë; qemë rreth 14 veta mo, -thotë ai. Ditën e parë, me 22 Maj, arrestuan Sokol Sokolin,Tom Ndojën e të tjerët, me pabesi, se u thanë , në bazë të marrëveshjes, nëse dorzoheni, nuk ju prek njeri me dorë.

I masakruan. Sandër Sokolin e thyen në mes. U futën në kamp duke terrorizuar të dënuarit me shkopa gome. Më shumë kishte polica të zinj e jeshilë se të dënuar.

Të nesërmen, me 23 Maj, mbasdite, rreth orës 4.00, mblodhën kampin tek fusha e apelit, mes dy godinave ku ishte dhe çanga. Na urdhëruan të uleshim përdhe, ashtu siç ishim dhe thanë: – Asnjë lëvizje!

Në këtë kohë nga cepi i guzhinës që të nxirte ke porta e madhe e kampit vjen një eskortë. Oficerë, civila e ndër ta dhe Lek Imeraj (Ymeri), ai krimineli, që kur futej në Spaç, merrte 20 policë pas.

Të gjithë kapterë, policë, të zinj e të gjelbër ishin shpërndarë në fushë e u rrinin të burgusurve mbi kokë, të gatshëm për çdo veprim.

Me një fletë në dorë del përpara Lek Imeraj (Ymeri) e thotë:

– Kush të dëgjojë emrin, të çohet, pa diskitim.

Zëri i tij i egër e me ton përplasej mbi të mundurit si shkreptimë rrufeje, që sjell furtunë.

Filloi me emrin e parë: Dalip Zhabolli. I dyti: dr. Drago Vujosheviç e pas tij, me radhë, Sandër Sokoli, Nuredin Skrapari, Xhemal Mustafaraj, Çajup Bejko, Agron Hoxha, Sali Gaca, Anastas Dhamo, Roland Tolja e, të më falin të tjerët, se nuk më kujtohen. Siç na muarën një nga një, sa kalonim cepin e ndërtesës, për mos t’u dukur, na prisnin policët e bërë kolonë. Me kamzhik, hunj e nuk e di ç’kishin tjetër ndër duar, por veç na qëllonin pa mëshirë ku të mundnin e na tërhiqnin zvarrë. Kur rrzoheshe, të suleshin tufë, duke të vënë në mes e të qëllonin me shqelma, si egërsira, deri tek birucat lart.

Kur arrij atje, mendova se shpëtova. Me të hyrë brenda birucave, një tufë tjetër policesh ishin duke na pritur. Na zhveshën duke na lënë vetëm me rrobat e komandës. Birucat i lanë hapur. Na ndanë nga dy persona në katër birucat, dy në banjo, tre në koridor e të tjerët në paradhomën ku bëhej ajrimi i birucave. Filloj rrahja pandërprerje; gjaku skuqte gjithandej: ata nuk ndaleshin. Nuk di si ta shpjegoj. Llahtar? Ështe pak.

Deri vonë ato pamje më tmerronin në gjumë. Kur lodheshin, dilnin, pinin cigare dhe vinin të tjerët dhe vazdonin rrahjen. Nuk mendoj se në thertore të ketë pamje të tilla. Gulçonin, shanin, qëllonin, fshinin djersët e sërish vazhdonin. Edmond Caja vinte shpesh e kontrollonte si po bëhej puna. Sa herë vinte ai, policet e shtonin dozën e të rrahurit për të treguar se urdhri po zbatohej me përpikmëri. Trupat tanë ishin bërë kufoma. Nuk kishim më fuqi as të bërtisnim. Kjo kasphanë pa emër vazhdoi deri në mëngjes, sapo zbardhte. Zakone ujqërish. Njeriu qenka i fortë, por them se Ai atje lart, na i ka ruajtur shpirtrat pa dalë atë natë.

Të fryrë, të nxirë, me brinjë të thyera e fytyrë të tjetërsuar nga deformimet na lidhën e na çuan pothuaj zvarrë poshtë. Nuk kishim fuqi as të ecnim. Dragon, doktorin pra, e zvarritën e ia rropën lëkurën e barkut, gati sa nuk i nxuarrën zorrët përjashtë.

Na ndaluan ke sheshi mes portes se madhe dhe infermierisë e na lidhën edhe me një zinxhir të gjatë, të gjithëve. Erdhën policët e kampit, Fiqiri Çakalli, Beqir Brenozi, Shefki Ternova, Rizai, Myzaferi, Islam Doku e të tjerë që s’ua mbaj mend emrat. Të gjith ishin të pirë, kundërmonin era alkol. Fiqiriu, ai fëlliqësira, kur më qëlloi me atë dorën e madhe në fytyrë, mbas gjithë asaj rrahje tërë natën, që ma kish bërë trupin pleh, për shpirtin e Babës m’u duk se m’u shkëput koka nga trupi. Kur e tregoj me duket sikur ka ndodhur tani. Beqir Brenozi rrahu Agron Hoxhën aq fort, sa i fuste dhe gishtat në fyt e i nxirrte gjuhën. Ndërsa Myzaferi, me atë fytyrën si shpirtin, sterrë, bashkë me Rizain e disa të tjerë rrahën në mënyrë çnjerëzore Nuredin Skraparin. Aq shum e rrahën, sa u këput në tokë, nuk e mbanin këmbët. Nën drejtimin e shefit Edmond Caja, policët e dehur filluan sërish seancat e rrahjeve çnjerzore. Më pas, kapter Fiqiriu me një tjetër shkuan ke Anastas Dhami dhe filluan t’i shkulin mustaqet një nga një. Qeshnin, bërtisnin e i tërhiqnin me pinca fijet e mustaqeve. Dhimbje, përpëlitje, klithma, fytyra e mbulua në gjak. Të gjitha veprimet bëheshin përpara Edmond Cajës.

– Nuk e kuptoj, ne kishin limit njerëzor. Këto bisha të pangopura, të dehur, lëshuar në kafshëri. Mendonim gjithmonë, se Ai atje lart është me ne dhe se një ditë Amerika e madhe do të vejë drejtësi. Kjo na jepte shpresë e kurajo.

Pasi mbaruan të rrahurën e mëngjesit erdhën makinat. Na hodhën si thasë në IFA e u nisëm. Gjithkund veç Polica. Na shoqëronin dy IFA me policë e qenë kufiri dhe dy xhipsa me antena. Nuk po dinim ku po na çonin e çfarë do bëhej me ne. Ankth, frikë. Çdo gjë mund të bënin këta. Nuk e dija sa kishim ecur e ku ishim, por mbaj mend se një polic ngacmoi Sandrin (Sokolin). Ky iu përgjigj. Rrobëziu flet me radio. Makina ndaloi. Hapet mushamaja nga prapa dhe duket Lek Imeraj (Ymeri), i cili urdhëron të ulet poshtë Sandër Sokoli, të cilin nuk e pamë më.

Nuk e dija sa qëndruam në atë vend. U nisëm e bëmë sërish goxha rrugë; në fund arritëm. Na thanë se jeni në kampin e Lezhës. Na lanë aty siç ishim të lidhur. Sërish na rrahën. Këtë radhë ishin edhe këta çakejtë vednali bashk me specialët e Tiranës.

Vjen prap Lek Imeraj (Ymeri) e na thotë:

– Dëgjoni këtu, jeni në kampin e riedukimit Zejmen, Lezhë. Do të futeni brenda në kamp dhe nuk do të flisni fare me të burgosur, nuk do t’u tregoni çfarë ka ngjarë në Qafë-Bari”.

Sali Gaza i thotë:

– Po unë kam kushërinjtë këtu dhe shokët e Spaçit. Ne jemi të shkafanjit, te rreckosë e të nximë nga turinjtë… kur t’na shofin do e kuptojn e do na pyesin.

-Në rregull, – tha ai, – zgjidheni! – dhe u bën me shenjë policëve, të cilët nuk e bënë të gjatë, po i kërcyen Salës në shpinë me shqelma e ç’mundën.

Na futën të gjithë në kamp e na ndanë në tre grupe. Pas tre orësh na muarrën prapë e na çuan në biruca. Veprim terroro-psikologjik për të burgosurit e tjerë.

Edhe tek birucat na ndanë në tre grupe; rrahje sërish tërë natën, vetëm se këta vendalinjt ishin të freskët e godisnin rëndë.

Na mbajtën aty 24 orë. Të rinjve – hekurat në duar e direkt në Spaç, për vagona.

Është vështirë t’i besojë njeri këto që kemi kaluar…

 

***

DËSHMIA E IZET DARDHËS (ish-pjesëtar i forcave speciale)

Lek Imeraj(Ymeraj), si të gjithë komunistët, ka sindromën e Strucit. Ai sërish flet me gjuhën e diktaturës kur Revoltën e quan rebelim dhe pjesëmarrësit e saj, rebelë. Ne jemi gjallë e dëshmojmë, por bashkë me në bashkohet edhe dëshmia e ish-pjesëtarit të forcave speciale, Izet Dardha. Ja dëshmia e tij:

Quhem Izet Dardha. Kam lindur në Dibër me 1962. Aktualisht jetoj në USA .

Jam arratisur nga Shqipëria qe në vitin1986.

Unë dëshmoj:

Në vitin 1984 kam qenë pjesë e forcave speciale të ndërhyrjes së shpejtë. Kryesisht na dërgonin prane burgjeve si përforcim.

Në fillim të muajit maj të vitit 1984, kemi qenë pranë burgut të Zejmenit (Lezhë).

Në atë kohë, atje na është komunikuar, se duhet të qëndrojmë të gatshëm dhe të mos largohemi, sepse është njoftuar, se në burgjet politike Spaç ose Qafë-Bari mund të ketë trazira.

Në mëngjesin e datës 22 maj 1984 na thërrasin me shpejtësi për veprim:

në burgun politik të Qafë-barit ka filluar trazira.

I habitur pyesja veten:

– Nga e dinin këta, dy javë më parë, se do të ketë trazira?

Me shpejtësi nisemi për të mbërritur mbas disa orësh në burgun politik të Qafë-Barit.

Përsa kohë që unë kam qenë atje, nuk kam parë asnjë reagim nga të burgosurit politikë.

Revolta kishte mbaruar.

I gjithë vendi ishte i rrethuar me disa rrathë e me forca të ndryshme, si ushtarë, policë, forca të tjera speciale të ardhura para nesh, forca vullnetare me civilë.

Zv/ministri i PB, Zylyftar Ramizi dhe ata që e shoqëronin zbritën me helikopter pak mbi vendin ku ndodhej burgu.

Në atë Burg, kundër atyre njerëzve të pambrojtur, janë përdorur torturat më çnjerzore.

Udhëzuesi i drejtpërdrejtë i të gjitha veprimeve ishte Lek Imeraj (Ymeraj).

Ishte ngritur një shtab fuqiplotë veprimi pranë komandës së burgut me zv/Ministrin, Zylyftar Ramizin, kryetarin e deges PB Pukë, me Leke Imeraj(Ymeri) oficer drejtimi i Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale, me drejtorin e Drejtorisë se Zbatim-Vendimeve Penale, Kasem Kaçi, me komandntin e burgut, Riza Musollari, me shefin e policisë, Edmond Caja e disa të tjerë. Pasi futeshin në zyrë dhe bënin planet e veprimit, Lek Imeraj (Ymeraj) dilte nga zyra me letër në dorë dhe drejtonte drejtpërdrejt në terren të gjitha veprimet kundër të burgosurve. Ai i mblidhte të gjithë dhe me një zë të egër e duke shkumëzuar nga goja, ai jëpte urdhëra për të vepruar pa mëshire mbi të burgosurit politikë. Shefi i policisë Edmond Caja, e ndiqte si servil i përulur dhe të dy bashkë kordinonin veprimet ne terren.

Të gjitha arrestimet, torturimet, trasferimet dhe vdekja e të burgosurit politik Sandër Sokoli, janë rezultant i urdhërave të tij.

 

***

BRISKU I PARË NË FAQE NË BURGUN E QAFEË-BARIT

 

Një ditë, i humbur në mendime, dal tek sheshi ku ishte çanga. Çfarë bëhej me familjen time atje, në internim? Një letër e ardhur nga adresa e familjes dhe e shkruar me një kaligrafi të panjohur, me tekst të copëzuar, prej disa ditësh me kishte futur në shumë hamendësime. Prej tekstit të letrës kuptoja që shkruesi i saj kishte dijeni të pjesshme për gjendjen e familjes time, pasi miksonte prindërit e mi me gjyshërit. Çdo gjë mund të bëjnë këta, thoja me vete. Përpara meje, shumë afër, ishte ai, si gjithmonë, me shoqëruesit. Nuk e kisha parë. Vinte për inspektim në fjetore. Ishte vonë, nuk mund të kthehesha pas. Unë e kisha fytyrën me push, se ende nuk i kisha shkuar brisk dhe e pastroja një herë në muaj kur qetheshim. Ai më thërret duke më thënë:

– Hë, more Tufa, pse nuk rruhesh ti?

– Unë nuk rruhem, – i them, jo për ta kundërshtuar, por për t’i thënë të vërtetën. I prekur në sedër, pasi e mori përgjigjen time si kundërshim para policëve, afrohet me shumë tek unë me fytyrën e xhindosur dhe më shtrëngon mjekrrën duke ma tundur me forcë.

– Merreni, – urdhëroi ata, të cilët, pa e zgjatur, më kapnin dhe zvarrë më dërguan në bërberhanen që ishte aty pranë e pasi më ulin në karrike, urdhëroi berberin të më rruante përpara tij, pa shkumë. Për herë të parë brisku në fytyrën time ka kaluar dhunshëm, urdhëruar nga shefi Edmond Caja, pa u shkumuar. Sa herë shkoj përpara pasqyrës, ai moment më kalon të dridhura, nuk më shqitet.

 

***

VDEKJA TRAGJIKE E LUCË VUKAJT NË SPAÇ

 

<…> Pasi përballen me situatën, brigadierët ngrejnë supet, por jo polic Doda, i cili thotë:

– Këtu do të nxirrni 12 vagona!

– Po a s’e sheh që ktu s’ka asnjë lopatë mineral? Kah me i qitë 12 vagonat ne? – thotë Luca.

Polic Doda fillon të çirret e të bërtasë, mandej thotë prerazi:

– Po nuk i botë 12 vagonat, do t’iu numrojmë brinjët një nga një ke porta, – thotë këto dhe ikën.

Për të mos iu nënshtruar dhunës poshtëruese të këtyre kriminelëve vendosëm të punonim ashtu, në rrezik. Muharrem Xhidollari, armator, vjen dhe bën një kuadrat për përforcim. Nuk mbahet mali me kunja, por ai kuadrat i punuar mirë ndihmoi shumë.

Me një barominë të gjatë, Banushi hyn në hapësirë ku nga çasti në çast mund të binin gurë që i rrezikonin jetën. Godet ai në duçkën e mbyllur nga gurët e mëdhenj.

Pas 15-20 minutash filloi të vijë mineral e unë me Lucën filluam të mbushnim vagonat. Ndërkaq Banushi bënte trasportin. Nga hapësira, vazhdimisht binin gurë të përmasave të ndryshme, të cilët na bënin të punonim me frikë. Ishim në mbushje të vagonit të pestë, kur u dëgjua në të qindat e sekondës një zhurmë dhe nuk e kuptuam ç’ndodhi. Vetëm se kur erdha në vete dëgjova rënkimet e Lucës. Qenka shembur galeria! Me mendjen për ta ndihmuar Lucën, i cili vetëm rënkonte, bëj të shkoj tek ai, por nuk mundem. Ou, më paska zënë dhe mua! Tubi i ajrimit ishte pranë meje dhe më ndihmonte të merrja ajër, se ishte i çarë. Një zhurmë e dytë, e tmerrshme. Sërish shembje. Piriti, si rërë e imët, nisi të më mbulojë ngadalë e kur më erdhi në gjoks, ndjeva shtypjen e tij të rëndë. Nuk mund të lëvizja; nuk bërtisja; piriti vazhdonte të më mbulonte dhe unë tashmë isha i dorëzuar, në dorë të fatit.

Luca vazhdonte të rënkonte; rënkim që vinte duke u venitur, derisa erdh një çast e pushoi. Ashtu siç isha, me trupin që vazhdonte të më mbulohej, ndjeva të më përfshinte një llavë e ngrohtë në tërë trupin. Ishte Luca, padyshim, shpirti i Lucës para se të largohej, i cili përshkoi trupin tim që po mbulohej, sikur donte të më mbronte a të me jepte një amanet. Humbas ndjenjat në kllapi. Nuk ndjej më asgjë.

I mbuluar nga një errësirë shoh përpara meje një dritë, një dritë të venitur. Vajta atje dhe rreth meje shihja arkivole të vendosur në këmbë, me njerëz brenda, të cilët pëshpërinin midis tyre; njerëzit e mij (miseardhje a gjykim!?). Nëneja del nga arkivoli e u thotë të tjerëve:

– Pushoni, se Beni nuk do të rrijë për shum kohë këtu, – dhe fill mandej futet sërish në vendin e saj duke më hapur rrugën. Bukuri magjike në një horizont të shtrirë. Dritarja e një bote tjetër, të cilën nuk jam në gjendje të përshkruaj, veç as në ëndërr nuk e kisha parë më parë. Me lindte një dëshirë dhe më plotësohej menjëherë. U afrova për t’u shrirë tek një trandfil i bukur, i çelur, me aromë. Më shkundin tre herë. E sërish pranë trëndafilit, prej të cilit më vinte keq që të ndahesha, por shkundja u përsërit sërish edhe tre herë të tjera. Hunda ime kishte dalë në sipërfaqe dhe në materialin e shkrifët, dora e një njeriu kishte gjetur shpatullën time dhe e kishte tundur për t’u siguruar. Gëzim Llulla po punonte si i tërbuar. Largonte materialin me shpejtësi, pa parë se ku e fuste lopatën e ku e hidhte materialin, vetëm gërmonte aty ku ishte zbuluar koka ime. Për një çast lopata e nxituar hasi në qafën time. Një vijë gjaku nisi të rrjedhë edhe si për të vulosur riardhjen time në jetë. Muharrem Xhidollari me Banushin mundoheshin të hiqnin gurët e mëdhenj dhe trupat që na kishin rënë përsipër. Sytë e mi, të dala jashtë normales, në një kohë kaq të shkurtër bënë një udhëtim të pabesueshëm. Isha nën shok, e ndjeja varrosjen për së gjalli. Shihja Gëzimin në dihatjet e përpjekjeve për të me nxjerrë. Dëgjoja Muharremin, Banushin e s’di se kush tjetër.

Pas shumë përpjekejeve u hap një vrimë nga ku me sforco e tërhoqën trupin tim për ta rikthyer në atë ferr të dhimbshëm. Trupat e atyre që po më rrinin rrotull po më dukeshin si trupat e arkivoleve, vetëm se pas tyre horizonti pasqyronte vetë ferrin. Lucën e nxorrën më vonë. Një gur ia kishte përsheshur kokën…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here