SHIFRAT/ Çmimi i apartamenteve në Tiranë është rritur 43 % në 7 vite

0
98

Çmime të larta, pak shitje, shumica e blerë me kredi dhe një pjesë e konsiderueshme e blerë nga të huajt, qytetarë të Bashkimit Europian.

Kjo është tabloja e tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri. Një tablo e konsideruar pesimiste edhe për të ardhmen e afërt nga agjentët imobiliarë për shkak të pasojave të krizës së shkaktuar nga pandemia.

Banka e Shqipërisë ka anketuar 233 subjekte që veprojnë në tregun e pasurive të paluajtshme për të kuptuar situatën në këtë treg për gjsymën e parë të vitit 2020.

Nga llogaritë e kryera del se çmimet e apartamenteve në rang vendi u rritën me 4.9% ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm (pra gjysmës së dytë të 2019-ës) dhe me 40% në 7 vite nga 2013 që llogaritet si periudhë bazë nga Banka e Shqipërisë.

Kurse në kryeqytet çmimet këtë gjashtëmujor u rritën 6.5% krahasuar me gjashtëmujorin paraardhës dhe 43.4% krahasuar me 2013-ën.

Referuar rezultateve të vrojtimit, çmimet mesatare të banesave të shitura në Tiranë kanë shënuar rritje të ndjeshme (me mbi 50%) në zonat jashtë qytetit, por kanë rënë lehtë në zonat qendrore dhe në periferi. Për zonat bregdetare, agjentët kanë raportuar çmime mesatare rreth 15% më të ulëta nga ato të gjashtëmujorit të kaluar, ku për shkak të karantinës kanë qenë edhe zonat më të preferuara për blerje dhe qiramarrje, siç thonë për gazetën “Si” disa agjentë imobiliarë.

Ndërsa për zonat e tjera, ndryshimet në çmimet e shitjes ishin të papërfillshme.

Ecuria e shitjeve

Vrojtimi i BSH-së tregon se nga 72 subjekte që kanë deklaruar se kanë kryer shitje pronash, numri i shitjeve këtë gjashtëmujor ishte më i ulët se ai në gjashtëmujorin e kaluar dhe numri i përgjithshëm i pronave të shitura ishte rreth 37% më i ulët.

Çdo subjekt ka shitur mesatarisht gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 5 prona. Ky numër është në rënie krahasuar me mesataren prej 7 pronash për subjekt gjatë gjashtëmujorit paraardhës.

Rreth 40% e shitjeve të realizuara gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit në të gjithë territorin përfaqësohet nga prona të vendosura në zonat më të preferuara brenda qytetit, ndërkohë që në gjashtëmujorin e mëparshëm, ky raport ishte 56%.

Afro 35% e pronave të shitura kanë qenë prona të ndërtuara në periferi, brenda qytetit nga 30% në periudhën e kaluar, dhe rreth 25% e pronave kanë qenë prona të ndërtuara jashtë qytetit, nga 14% gjashtëmujorin e kaluar.

Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ishte mesatarisht 10.6 muaj me rritje të lehtë në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe ndikimin kryesor në këtë ndryshim e ka dhënë rritja e kohës mesatare të shitjes për zonën e Tiranës me 1.2 muaj në 10.4 muaj.

Për zonën e Bregdetit, koha e shitjes është rritur lehtë në rreth 10.7 muaj, ndërsa për Zonat e Tjera, mesatarja e kohës së shitjes ishte 11.4 muaj dhe nuk ka patur ndryshime në krahasim me gjashtëmujorin e mëparshëm.

Sipas agjentëve impobiliarë në këtë periudhë të parë të vitit, ata kanë patur një numër më të ulët banesash të regjistruara në librat e tyre në krahasim me gjashtëmujorin e mëparshëm, pra kanë patur më pak prona në dispozicion për të ofruar.

Agjentët kanë raportuar se, rreth 60% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Rreth gjysma e këtyre pronave rezultojnë të blera me kredi që mbulojnë deri në 80% të vlerës.

Të pyetur mbi rezidencën e blerësve, agjentët kanë deklaruar se rreth 35% e banesave dhe pronave tregtare u janë shitur shtetasve me rezidencë jashtë Shqipërisë. Rreth 1/3 e këtyre blerësve raportohen si rezidentë në Bashkimin Europian. Raporti i numrit të pronave të shitura për jorezidentët ndaj numrit total të pronave të shitura është thuajse i pandryshuar periudhës së kaluar.

Pritshmëritë për gjysmën e dytë të vitit

Parashikimet e agjentëve imobiliarë për gjashtëmujorin e ardhshëm janë pesimiste, por mendojnë për përmirësim të gjendjes së tregut ku operojnë në harkun kohor të dy viteve.

Për gjashtëmujorin e ardhshëm ata presin rënie të numrit të pronave të regjistruara për shitje.

Ata parashikojnë rritje të çmimeve të banesave në zonën e kryeqytetit dhe kanë pritje pothuajse neutrale në zonat e tjera të vendit. Përgjigjet neutrale zinin rreth 67% të përgjigjeve.

Shumica e subjekteve (rreth 50%) presin që gjatë periudhës së ardhshme numri i pronave të reja që do të regjistrohen rishtazi në librat e tyre të jetë i krahasueshëm me atë të periudhës aktuale.

Parashikimi pessimist në rang vendi është ndikuar nga përgjigjet e agjentëve që operojnë në bregdet dhe zonat e tjera; ata presin numër më të ulët pronash të reja të regjistruara. Përgjigjet për zonën e Tiranës paraqiten të ekuilibruara.(SI)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here