Ish-ambasadori Agim Nesho thotë se Rilindja nuk ka qëllimin dhe vizionin e qartë për të mbrojtur interesat e Shqipërisë. Në një vend normal çështja e Detit duhej të diskutohej me të gjitha institucionet e shtetit ndërsa në Shqipëri nuk informohet as Presidenti. Në Slloveni qeveria iu drejtua popullit me referendum ndryshe nga Rama që kërkon të fitojë kapital politik me çështjen kombëtare për të cilën është derdhur gjak nga të parët tanë.
Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Nesho thekson se vendimi i kryeministrit Rama për të çuar Marrëveshjen e Detit për gjykim në gjykatën ndërkombëtare, është bërë pa konsultim me Presidentin e Republikës, duke shpërfillur edhe mendimin e ekspertëve dhe akademikëve. Kësisoj, zoti Nesho thekson se Rama ka personalizuar qëndrimet e politikës së Jashtme të Shqipërisë, të cilat u shërbejnë konjukturave të rastit dhe interesave personale, ndërkohë, ajo që kërkon Presidenti i Republikës Ilir Meta është respektimi i Gjykatës Kushtetuese. Zoti Nesho pohon se Rama bën zgjidhjen më të lehtë, por vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare mund t ëjetë edhe në dëm të Shqipërisë. Zoti Nesho thotë se zgjidhja duhet të bëhej në bazë të negociatave të ndërsjellta dhe të diskutohej, paskëtaj në parlament, siç bëri Sllovenia me Kroacinë për kufijtë detarë midis tyre.
Zoti Nesho, kryeministri Rama pardje në konferencën e Shtypit me ministrin e Jashtëm të Greqisë, deklaroi se Çështja e Detit do t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare. Së pari, duke qenë se ky është një vendim i marrë nga kryeministri Rama, a është një veprim në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, derisa akoma kryeministri nuk është konsultuar me Presidentin e Republikës, nuk ka informuar partitë politike parlamentare dhe as Kuvendin?
Deklarimet e Kryeministrit Rama për rënien dakort me Greqinë që çështja e detit të gjykohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, është një deklaratë politike e tij që lidhet me vendim-marrjen e qeverisë Shqiptare për zgjidhjen e çështjes së detit. Në thelb kjo deklaratë tregon se Qeveria Shqiptare nuk ka intencionin dhe vizionin e qartë për të punuar në mbrojtje të interesave të Republikës së Shqipërisë. Ndërmjetësimi nga Gjykata e Hagës është një larje duarsh dhe heqje e përgjegjësisë ndaj një çështjeje kryesore që lidhet me fatet e vendit. Politizimi i çështjes së marrëveshjes së detit nga “Rilindja” e ka kthyer zgjidhjen e kësaj çështje në një problem, ku interesat e Shqipërisë mund të dëmtohen. Pyetja, nëse kjo gjë përbën shkelje të Kushtetutës, do të duket në veprimet e mëtejshme të formalizimit të vendimit të qeverisë. Pavarësisht se qeveria ka atributet e drejtimit të politikës së jashtme të vendit, çështja e detit lidhet me shtetin shqiptar dhe interesat themelore të tij. Në një vend normal kjo çështje duhej të diskutohej në gjithë institucionet e shtetit shqiptar, nga Institucioni i Presidentit të Republikës, Komisioni i Jashtëm Parlamentar, Avokatura e Shtetit, mendimi i ekspertëve dhe akademikëve për të arritur një konsensus të gjerë. Ajo që vëmë re ne sot është që Qeveria vazhdon ta trajtojë një çështje të tillë të rëndësisë së veçantë për vendin, si një çështje politike dhe me avantazhe elektorale. Ajo e mban diskutimin në mungesë të një transparence të plotë ndaj opinionit publik dhe bën lëvizje në bazë të përfitimeve politike të momentit. Para opinionit publik shqiptar sot shtrohen pyetjet: mbi çfarë baze është marrë vendimi për kalimin e çështjes së detit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, cilat janë çështjet që palët nuk kanë rënë dakort dhe kërkojnë gjykim ndërkombëtar; cili është konsensusi paraprak me palën greke për të formalizuar pyetjet që do t’i drejtohen Gjykatës (Marrëveshja Speciale). Si përfundim, qeveria Rama bën zgjidhjen më të lehtë, e çon zgjidhjen në kalendat greke, kërkon të fitojë kapital politik, dhe mos-angazhimin e tij për një çështje të madhe kombëtare ta justifikojë me një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, vendim i detyrueshëm për palët dhe pa paragjykuar, ndoshta në dëm të interesave të Shqipërisë.
Reagimi i parë i Presidentit të Republikës është që Çështja e Detit të ketë zgjidhje në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe Konventave ndërkombëtare. A ka diferencë në qëndrimet midis Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit Rama për marrëveshjen Detare?
Kryeministri Rama ka stilin e një lideri autoritar dhe me kohë i ka personalizuar qëndrimet e politikës së jashtme Shqiptare, të cilat në shumë raste ju shërbejnë konjukturave të rastit, interesave personale, duke e futur politikën e jashtme të Shqipërisë në një konfuzion. Presidenti Meta ka eksperiencën dhe formimin për të vepruar si një shtetar, që bazohet në respektimin e Kushtetutës, shtetit ligjor dhe funksionimit institucional të shtetit. Kjo përqasje bën dhe ndryshimin në qëndrimin ndaj zgjidhjes së çështjes së detit me Greqinë. Çdo vend është sovran dhe interesat e tij janë të panegociueshme. Ajo që kërkon Presidenti Meta është respektimi i Gjykatës Kushtetuese për qëndrimin ndaj marrëveshjes së detit të vitit 2009, dhe negocimi i një marrëveshje të re në respektim të ligjit dhe konventave ndërkombëtare. Është e sugjerueshme dhe nga ekspertët e OKB-së, që shtetet të zgjidhin mosmarrëveshjet midis tyre në funksion të ruajtjes së sovranitetit dhe interesave ekonomike dhe Gjykata të lihet si alternativë e fundit. Shpesh Gjykata nuk merr vendimin më të drejtë por tenton drejt kompromisit më të pranueshëm. Në rastin tonë Gjykata Kushtetuese Shqiptare ka bërë edhe interpretimin e ligjit ndërkombëtar për detin që mund të gjykohet ndryshe nga Gjykata e Hagës duke vënë në diskutim vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Ajo që insiston Presidenti Meta është funksionimi i institucioneve të Shtetit dhe vendim-marrja për problemet kryesore të shtetit të kenë konsensus sa më të gjerë. Shembulli i vendeve demokratike duhet të jetë precedent për Shqipërinë. Sllovenia marrëveshjen për zgjidhjen në institucionet ndërkombëtare të Drejtësisë (Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit) të çështjes së detit me Kroacinë e diskutoi në Parlament, dhe ju drejtua popullit me referendum. Në Shqipëri qeveria mban në terr informativ jo vetëm popullin, por nuk informon as Presidentin, gjë që e ka një obligim kushtetues.
Zoti Nesho, sipas Jush, çfarë ka ndryshuar tani në qëndrimin e Edi Ramës si kryeministër që Çështjen e Detit e çon në Gjykatën ndërkombëtare, ndërkohë në 2012 nuk e pranoi këtë zgjidhje, por mbështeti gjykimin në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë?
Janë shumë faktorë që kanë influencuar në ndryshimin e mendimit të Kryeministrit Rama për çështjen e detit. Së pari, janë faktorët e jashtëm gjeopolitikë të cilët qëndrojnë në mbështetje të Greqisë në konfliktin Greko-Turk për zonën ekonomike ekskluzive dhe shelfin kontinental. Së dyti, nevoja për të marrë një përkrahje për hapjen e negociatave si vend kandidat, ku Greqia luan një rol. Së treti, nevoja për të treguar se linja e tij me Turqinë nuk është dominuese, sidomos kur investimet turke po zgjerohen në infrastrukturë. Së katërti, të korrigjojë sado pak politikën e jashtme me Greqinë, politikë që solli si pasojë zbehjen e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Në planin e brendshëm ai ka nevojë të korrigjojë ‘patriotizmin elektoral’ për marëveshjen e vitit 2009, duke politizuar një çështje deri në kufirin e mosmenaxhimit të saj. Çdo marrëveshje e ardhshme e bërë nga qeveria e tij mund të jetë po aq e kritikueshme. Prandaj e shtyn marrëveshjen e detit në kohë për të mos i rrezikuar zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.
Në këtë lojë pushteti Rama po përpiqet të korrigjojë diçka për të mos patur kosto elektorale, por me zgjedhjen e bërë prej tij mund të na krijojë një problem tjetër.
Ju falenderoj!
A ka bosht, strategji, politika e Jashtme e Qeverisë së kryeministrit Rama në këto 7 vjet, sidomos me fqinjët?
Rezultatet e “Rilindjes” në dy mandatet qeverisëse kanë qenë një dështim total në politikë, në ekonomi dhe shtetin e së Drejtës. Në politikën e jashtme Rilindja u përpoq të bëjë diçka të veçantë nga deliri i madhështisë, por disbalancoi prioritetet e politikës së jashtme sidomos në rajon. Rriti prioritetin e marrëdhënieve me Turqinë pa ruajtur balancën me partnerët tonë strategjikë, Italinë dhe Greqinë. Rezultati: Shqipëria po perceptohet gjithmonë e më shumë si një vend i lidhur me interesat turke, kur e ardhmja e saj është Bashkimi Europian. Kërkoi të bëjë një marrëveshje të madhe me Serbinë dhe Presidentin Vuçiç dhe marrëveshja dëmtoi interesat e Kosovës. Huazoi doktrinën ‘zero probleme me fqinjët’, por duke qenë patentë e importuar dështoi duke krijuar probleme të shumta. Luajti lojën nacionaliste për presion dhe hapësira të reja për faktorin shqiptar por nuk arriti asnjë rezultat. Kërkoi të rriste rolin e faktorit shqiptar në Ballkan duke punuar për figurën e zotit Rama si protagonist, por realizoi shtimin e dominimit Serb me mini-shengenin ballkanik. Për dy mandate, politika e jashtme e Shqipërisë ka qenë një politikë e jashtme e personalizuar, amatore, pa bosht dhe strategji të qartë. Një katastrofë! Me të drejtë Kryeministri Rama tha para disa ditëve se ‘jetojmë në një kohë me delirantë …” Politika e Jashtme e Shqipërisë ka kaluar një periudhë delirante që ka vënë në rrezik interesat e Shqipërisë. Të lëkundesh midis veprimeve klienteliste dhe veprimeve kompromentuese nuk është art diplomacie, por aventurizëm. Dhe kjo, jo pa pasoja. Shqipëria po rrezikon gjithmonë e më shumë anëtarësimin në BE.