Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka mbërritur në Tiranë ndërsa në orën 11:45 minuta ka hyrë në Ministrinë e Jashtme Shqiptare për të vijuar axhendën me takimin me homologun Gent Cakaj.
Ministri grek është pritur nga protesta e organizuar nga PDIU-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, pjesëtarë të së cilës janë përplasur dhe nga Policia e Shtetit.
Në momentin që Dendias ka mbërritur dhe ka zbritur përpara ministrisë, protestuesit janë revoltuar dhe kanë nisur tentativat për të çarë kordonin policor. Disa kanë qëlluar me shishe makinën e kryediplomatit grek.
Deri më tani janë shoqëruar 22 protestues, mes tyre dhe Bojken Abazi, kreu i VV-së në Shqipëri.
Po kështu edhe Lëvizja ‘Vetëvendosja’ me seli në Tiranë ka reaguar për arrestimin e kreut të saj, Boiken Abazi nga policia në momentin që po shkonte të merrte pjesë në tubimin për Çamërinë.
Ja reagimi i plotë.
Arrestim i porositur e i padrejtë.
Aktivisti dhe drejtuesi i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri, Boiken Abazi, është arrestuar nga policia, në rrugë e sipër teksa po shkonte për të marrë pjesë në tubimin paqësor protestues pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ky arrestim është tipikisht i porositur. Arrestimi u krye para se të fillonte tubimi, madje para se Boiken Abazi të mbërrinte në vendin e lajmëruar për tubimin.
Tubimi paqësor protestues i organizuar nga Shoqata “Çamëria” dhe PDIU me rastin e vizitës së ministrit të jashtëm grek në Tiranë synon shtrimin e kërkesave në lidhje me zgjidhjen e çështjes shqiptare të Çamërisë, heqjen e ligjit të luftës dhe delimitimin e drejtë të kufive detarë.
Shënjestrimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe i Boiken Abazit tregon për një politikë të fëlliqur që po bën qeveria Rama, duke dashur të ofrojë një dhuratë të dhunshme ndaj vizitorit grek.
Lëvizja VETËVENDOSJE! është për miqësinë e bashkëpunimin mes popujve, për të drejta evropiane për minoritetet, por mbi të gjitha për shtete të drejta e jo diskriminuese. Për sa kohë shteti grek vazhdon politika diskriminuese e armiqësore ndaj shqiptarëve, ne do të vazhdojmë ta themi të vërtetën, edhe duke protestuar, e Rama nuk mund të na ndalë me arrestime të shënjestruara.
Bëjmë thirrje të lirohet Boiken Abazi një orë e më parë, e të dënohen urdhërdhënësit për përndjekjen politike e shënjestrimin që po na bëjnë!