“Bëj aq sa bëri Alija Izetbegoviç kur e morën peng”, kështu iu drejtua Ilir Meta kryeministrit Edi Rama, gjatë një retorike të ashpër ku i përmendi edhe se është Komandant i Forcave të Armatosura.
Por çfarë bëri presidenti i Bosnjes kur u mor peng nga forcat serbe? Një ngjarje sa e bujshme për kohën, por edhe e panjohur për brezat e sotëm.
“Atij zotërisë i them, përpiqu të bësh aq sa bëri Izetbegoviçi kur e morën peng. Thuaj popullit tënd që je peng dhe vijo punën tënde, sepse këtë popull nuk e merr askush më peng nën këtë qiell dhe mbi këtë tokë”, tha Meta nga Presidenca, një deklaratë e fortë që fillimisht u interpretua se i referohej kreut të PD-së Lulzim Basha, pasi po i përgjigjej një pyetjeje për rolin opozitar të Bashës.
Pengmarrja dhe deklarata e bujshme në televizion e presidentit Alija Izetbegoviç
Izetbegoviç po kthehej me avion pas negociatave në Lisbonë. Ishtre 2 maji i 1992 dhe në Bosnje po zhvilloheshin luftime të ashpra. Forcat e Ushtrisë Jugosllave kishin rrethuar Presidencën dhe nuk ishin më larg se 50 metra, por falë një kundërpërgjigjeje të fortë nga luftëtarët boshnjakë, sulmi u ndal dhe ushtarët serbë mbetën të bllokuar.
Gjatë kësaj kohe, në aeroportin e Bosnjes u ul avioni në bordin e të cilit ndodhej Izetbegoviç. Ai u mor menjëherë peng në atë moment, për ironi, nga komandanti i forcave jugosllave që kishin mbetur të rrethuar pranë Presidencës boshnjake. Së bashku me Alija Izetbegoviçin ishte edhe vajza e tij, Sabina.
Për disa orë askush nuk dinte asgjë për fatin e presidentit. Derisa një grua nga televizioni i Bosnjes arriti të lidhej me të në telefon. E gjithë Bosnja po dëgjonte drejtpërdrejt presidentin, teksa pohoi se ishte peng i serbëve dhe po transportohej në një territor të kontrolluar prej tyre.
Gjatë kësaj telefonate me televizionin Sarajevo, Izetbegoviç caktoi një zëvendës të besuar, që të merrte në dorë vendin, në rast se vritej serbët. Ai ishte Ejup Ganiç.
Në telefon ndërhyri gjenerali serb i cili vuri si kusht për lirimin e Izetbegoviç, lejimin e kalimit të ushtarëve të tij që kishin mbetur të rrethuar nga forcat boshnjake.
Por Izetbegoviç i tha Ejup Ganiçit të mos shqetësohet për të, por t’i japë urdhrat ushtarëve boshnjakë. Situata që u shpalos si një film aksion para syve të të gjithë popullit në “TV Sarajevo” përfundoi me lirimin e Izetbegoviç, por jo pa gjakderdhje nga rradhët e të dyja ushtrive.