Rama “merr” planin e Bashës, prezanton atë që ai e cilësoi si një skemë lehtësuese…

0
104

Kryeministri Edi Rama gjatë një daljeje për mediat ka prezantuar atë që ai e cilësoi si një skemë lehtësuese për fermerët dhe do të nisë prej vitit 2021.

Rama u shpreh se ky është një regjim i ri që do të vendoset për karburantet me qëllime bujqësore, duke reduktuar një sërë taksash tek nafta.

“Fillimi i vitit të ardhshëm do të shënojë një regjim të ri për karburantin e përdorur për prodhimin bujqësor. Do të heqim nga karburanti akcizën, taksën e qarkullimit dhe taksën e karbonit. Do të ulim gjysmë për gjysmë mesatarisht çmimin e karburantit për fermerët”, u shpreh Kryeministri ndërsa pohoi se përfitues i skemës do të jetë çdo fermer që ka tokë dhe që posedon niptin e fermerit.

Por kujtojmë se reduktimi i taksave të naftës për qëllime bujqësore është pjesë e programit të Partisë Demokratike. Vetëm 4 ditë më parë, më 9 tetor, kreu demokrat Lulzim Basha gjatë një takimi me fermerët në Lushnje, premtoi pikërisht të njëjtën gjë, heqjen e taksave të naftës për qëllime bujqësore.

I pyetur nga gazetarët nëse ky është një vendim që lidhet me afrimin e zgjedhjeve, Rama tha se PS do t’i fitojë zgjedhjet pa qenë nevoja për vendime të tilla.

“Ne po bëjmë gjënë e duhur në kohën e duhur, sepse tani i kemi mundësitë”, u shpreh Kryeministri ndërsa pohoi se premtimi për heqjen e taksave të naftës për fermerët ka qenë premtim i tij që në vitin 2013.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here