Europa thotë që qeveria “Rama 2” duhet ti përmbahet marrëveshjeve me opozitën politike, si ajo më 14 janar apo 5 qershori por deri më tani kreu i qeverisë Edi Rama nuk ka reflektuar. Por pse nuk dëgjon Rama? Për ish-deputetja e LSI-së, njëherësh edhe anëtare kryesie e kësaj partie, Silva Caka thotë se devijimi i kryeministrit nga marrëveshjet që vetë firmosi, tregon natyrën besëprerëse që ka. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ajo shton se “Shqiptarët nuk do t’a lejojnë Edi Ramën që t’u heqë mundësinë e fundit për t’u bërë pjesë e Europës”. Për më tepër, ish-deputetja thotë se Rama është rikthyer me shumë zell tek fushata e vitit 2017, “ku nuk pati asnjë platformë elektrale. Cirkut të tij lëvizës me kllounë dhe buratinë i ka ardhur fundi”. Teksa çdo ditë është në terren, Caka tregon edhe se me çfarë problematikash haset. “Largimi masiv i qytetarëve, kryesisht e të rinjve, papunësia, mungesa e gjykatave dhe e drejtësisë, arsimi i rrënuar, shëndetësia skandaloze, korrupsioni stratosferik, vështirësitë e krijuara nga keqmenaxhimi i pandemisë dhe tërmetet e vitit të kaluar mbeten kryefjala e çdo tavoline ndër shqiptarë”.
Partitë Popullore Europiane i kërkojnë qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama që të përfundojë Reformën Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe sipas marrëveshjes të 5 qershorit. Ajo që bie në sy është fakti se çështja është diskutuar në të njëjtën rend dite me Bjellorusinë. Shqetësimi në të dy rastet lidhet me standardet demokratike dhe mungesën e shtetit ligjor. Nëse edhe këtë herë Rama nuk dëgjon këtë thirrje të fortë, çfarë pritet të ndodh?
Kushtet e vendosura nga Bundestag-u gjerman dhe kushtet e shtuara nga Parlamenti Europian më vonë, ishin hapa pas për vendin tonë, në kontekstin e përparimeve që duhet të bënim lidhur me procesin e çeljes së negociatave me Bashkimin Europian. Edhe pse Edi Rama u përpoq t’i mohonte, madje keqpërdori edhe disa figura ndërkombëtarësh, të cilët u angazhua t’i thoshin shqiptarëve se ato kushte nuk ekzistonin, kushte për fat të keq janë ende aty dhe ajo çfarë e bën më problematike situatën tonë, është fakti që nga Edi Rama dhe qeveria që ai drejton, nuk shohim asnjë përpjekje, sado të vogël për plotësimin e këtyre kushteve.
Arsyeja është e qartë: Rilindja ka një axhendë, e cila nuk punon për interesat e Shqipërisë. Shkatërrimi i rendit demokratik dhe shtetit të së drejtës, i shërbejnë axhendës së Edi Ramës, por jo axhendës europiane të shqiptarëve. Nuk është sekret tashmë fakti që Këshilli Politik u ngrit me nxitjen dhe kontributin e ndërkombëtarëve, ashtu siç u arritën edhe marrëveshjet e 14 janarit dhe 5 qershorit.
Devijimi i Edi Ramës nga marrëveshjet që vetë firmosi, nuk tregojnë asgjë tjetër, përveçse natyrën besëprerëse që ka. Të jeni të bindur që edhe nëse Edi Rama nuk e dëgjon thirrjen e fortë të PPE-ve, atë thirrje e dëgjojnë shqiptarët. Shqiptarët nuk do t’a lejojnë Edi Ramën që t’u heqë mundësinë e fundit për t’u bërë pjesë e Europës. Vota e 25 prillit do të jetë historike, jo vetëm për çrrënjosjen e të keqes por edhe për të hapur rrugë të reja komunikimi dhe bashkëpunimi me Europën.
Kryeministri Edi Rama ka treguar nuk i do listat e hapura. A po krijon makinacione Rama që shpërqëndrojnë vëmendjen e qytetarëve nga problemet e shumta që ka në vend? Kreu i qeverisë ka treguar se ka shkuar përtej pritshmërive. Shkoi i vetëm në zgjedhje dhe nëse do të miratojë në Kuvend ndryshimet në Kodin Zgjedhor pa miratimin e opozitës, ju do të merrni pjesë në zgjedhjet e 25 prillit me cilido ligj që do të miratohet nga Kuvendi joligjitim?
Është absolutisht e vërtetë që propaganda e Edi Ramës po tenton të shpërqendrojë vëmendjen e shqiptarëve nga problemet e përditshme por ne nuk biem pre e këtyre akrobacive. Sigurisht, Reforma Zgjedhore do të marrë vëmendjen e duhur nga Opozita e Bashkuar, sepse e kemi detyrim ndaj shqiptarëve, për aq kohë sa është një nga kushtet për çeljen e negociatave, por kjo nuk do të thotë që gjithë energjia dhe forca jonë do të përqendrohet aty. Ne e injorojmë çdo ditë këtë tentativë të shëmtuar të Rilindjes për të na bërë pis me propagandën e tyre dhe kemi vazhduar me takimet tona në bazë, duke qenë me qytetarët çdo ditë. Shqetësimet e tyre janë ato që kanë më shumë rëndësi për ne dhe mbi bazën e të cilave do të ndërtojmë edhe platformën tonë elektorale. Nëse e keni vënë re, Edi Rama është rikthyer me shumë zell tek fushata ordinere e vitit 2017, ku nuk pati asnjë platformë elektrale. Cirkut të tij lëvizës me kllounë dhe buratinë i ka ardhur fundi.
LSI është përfshirë prej javësh në takime intensive me anëtarët e partisë si edhe qytetarët, në çdo qark, qytet e lagje. Konkretisht Ju prej kohësh jeni duke zhvilluar takime. Me çfarë problematikash jeni hasur? Çfarë kërkojnë banorët?
Problemet e qytetarëve janë të ndryshme por ekonomia e rrënuar, varfëria dhe papunësia mbizotëron në çdo tryezë ku ulemi. Largimi masiv i qytetarëve, kryesisht e të rinjve, papunësia, mungesa e gjykatave dhe e drejtësisë, arsimi i rrënuar, shëndetësia skandaloze, korrupsioni stratosferik, vështirësitë e krijuara nga keqmenaxhimi i pandemisë dhe tërmetet e vitit të kaluar mbeten kryefjala e çdo tavoline ndër shqiptarë.
Ajo që na jep kurajo për të vazhduar përpjekjet tona, është fakti se shqiptarët e shohin shpresën tek Lëvizja Socialiste për Integrim dhe tek alternativat që ajo ofron: rimëkëmbje të ekonomisë, rikthim të rendit demokratik dhe shtetit të së drejtës, ndëshkueshmëri të të gjithë atyre që kanë abuzuar me shqiptarët dhe paratë e tyre dhe figura të reja, të pacënuara. Kjo do të jetë formula jonë e suksesit në zgjedhjet e ardhshme.
Teksa keni vendosur rininë si forcën e madhe të LSI-së, dy ndër prioritetet e programit duket se janë janë punësimi dhe arsimi dhe që të dyja përfshijnë ndjeshëm rininë. Si i gjykoni këto dy sektorë nën qeverisjen e socialistëve dhe çfarë parashikon të ndryshojë LSI-ja bashkë me opozitën e bashkuar kur të vijnë në pushtet?
Arsimimi cilësor dhe meritokratik, si dhe punësimi i të rinjve është pa diskutim motorri që mban në lëvizje një shoqëri. Përgjatë këtyre viteve kemi parë që arsimi të rrënohet çdo ditë dhe askush të mos mbajë përgjegjësi për këtë të keqe të madhe që po i shkaktohet këtij vendi. Kemi parë e dëgjuar se si kërcënohen e iu bëhet presion mësuesve, drejtuesve të shkollave, nxënësve e prindërve të tyre, si emërohen pa meritë mësues vetëm më teserën e Rilindjes dhe së fundmi pamë edhe shkatërrimin e ëndrrave të shumë maturantëve, për shkak të një idioteje politike, të katapultuar nga hiçi, e cila në gjithë karrierën e saj do mbahet mend për Turin dhe varkën e tij.
“Ikja pa u lagur” është një fenomen i zakonshëm në politikat e Rilindjes, ku ministra e deputetë caktohen vetëm individë që nuk kanë detyrim ndaj askujt tjetër, përveçse kryetarit që i sjell nga hiçi. Ky fenomen papërgjegjshmërie duhet të marrë fund. Ndërsa përsa i përket punësimit, mund t’ju rikujtoj vetëm premtimin e Edi Ramës për 300 mijë vende të reja pune, por në realitet kemi vetëm 450 mijë a më shumë shqiptarë të larguar në vitet e qeverisjes së Edi Ramës.
Ajo çfarë ne synojmë, nëpërmjet programit tonë elektoral që do t’a marrë formën e plotë së shpejti, është rikthimi i këtyre të rinjve profesionistë, të cilët kontributin duhet t’a japin në vendin e tyre dhe sigurisht të mirëpaguhen për këtë kontribut.
Muajt e fundit janë mbyllur mbi 32 mijë biznese, 98% e të cilave i përkasin biznesit të vogël, nga mbyllja e të cilëve kanë mbetur pa punë rreth 42 mijë persona. Shpesh keni folur për një strategji kombëtare për ekonominë, por në terma më të thjeshtë çfarë ofron LSI-ja dhe çfarë programi ekonomik do prezantoni tek qytetarët?
Lëvizja Socialiste për Integrim njihet si forca politike që e mban fjalën e dhënë dhe që angazhohet për punësimin e qytetarëve, kryesisht të të rinjve, çka padyshim përmirëson ekonomitë familjare.
Idetë tona lidhur me rimëkëmbjen e ekonomisë, do të jenë të integruara në programin elektoral të Opozitës së Bashkuar, ku mund të përmend uljen e taksave që na kanë mbytyr në këto 7 vite qeverisje, anulimin e koncensioneve dhe PPP-ve korruptive, të cilat kanë rritur borxhin publik në nivele alarmante, hapja e vendeve të reja të punës, rimëkëmbja e bizneseve që u mbyllën për shkak të përfshirjes në skemën e TVSH-së dhe prej pandemisë.
Ne jemi një vend që mbahemi në këmbë prej biznesit të vogël dhe të mesëm dhe falimentimi i tyre nënkupton familje të tëra të mbetura në rrugë. Është emergjente edhe goditja e korrupsionit dhe rivendosja e parimit të sigurisë juridike, në mënyrë që bizneset e huaja të rikthejnë sytë nga Shqipëria.