Zgjedhjet e 25 prillit/ Basha: Edhe në majë të ullirit në Surrel të hipë Rama, nuk ka shpëtim!

0
14

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i ftuar në “Çim Peka live”, foli për marrëveshjen e 25 qershorit dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Basha tha se e priste, që Rama të mos i përmbahej marrëveshjes, por se asnjë manipulim i minutës së fundit, nuk do ta shpëtojë Ramën nga rrëzimi dhe humbja e pushtetit.

“Ne kemi hyrë në këtë rrugë për shkak se nga 15 kushtet e vendosura për të nisur negociatat, reforma zgjedhore me konsensus kërkonte pjesëmarrjen e opozitës. Nuk ka shpresë te Edi Rama, nuk njeh marrëveshje dhe nuk njeh kufi për pushtetin. Të njihte kufi, nuk do vidhte në mes të pandemisë dhe tërmetit,” tha Basha.

Basha u pyet se çfarë garancish ka për fitoren e opozitës, duke patur parasysh se mund të ketë manipulime zgjedhore, si ato që mediat dhe opozita kanë denoncuar në të shkuarën.

“Ai mund të hipë edhe në majë të ullirit në Surrel por është i pashpresë. Shumica dërrmuese e shqiptarëve kërkojnë ndryshim, përfshirë edhe socialistët e thjeshtë.

Masa më e madhe për të parandaluar manipulimet e zgjedhjeve është vullneti i shqiptarëve për ndryshim. Garancia e vetme është dëshira plebishitare për ndryshim. Me këtë sjellje të Ramës, Shqipëria do marrë edhe kërcënime të tjera, mes të tjerash për rikthimin e vizave,” tha Basha.

I pyetur se a do dalë opozita me një listë, në rast se Rama ndalon koalicionet, Basha tha: “Të gjitha vendimet do merren në kohën e duhur. Asnjë manovër nuk e shpëton Ramën nga ndëshkimi”.

I pyetur se përse njerëzit do të votojnë opozitën, Basha tha se ata kanë një plan për të bërë ndryshimin.

“Ne kemi planin për të ndryshuar vendin. Qeverisja jonë do ofrojë: Normalitet, përgjegjshmëri dhe llogaridhënie,” tha Basha. Sipas tij, Shqipëria ka ngecur në vend, ndaj duhet ndryshuar kurs.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here