Tirana i jep fund ëndrrës europiane, mundet thellë nga Young Boys

0
8

Merr fund në mënyrën më të keqe të mundshme ëndrra e Tiranës për të luajtur në grupet e Europa League. Skuadra bardheblu pësoi një humbje të thellë 0-3 në Bërn ndaj Young Boys. Trajneri Egbo e nisi me formacionin e zakonshëm, me Muçin të vetëm n sulm, të mbështetur nga Torassa dhe Cale. Dominimi i skuadrës zvicerane është asfiksues në fushën e lojës.

Ngamaleu humbet një rast të pastër në minutën e 8-të, duke e dërguar topin mbi kuadrat. Dy minuta më pas Tirana kundërpërgjigjet me Cale, por më pas loja e tyre shuhet, duke u mbyllur në mbrojtje. Në fundin e fraksionit të parë, Young Boys do të përfitonte më së miri nga përgjumja e mbrojtjes bardheblu. Pas një aksioni të Ngamaleut në krahun e majtë, topi shkon në qendër për Fassnacht, i cili arrin që të shënojë me kokë në portën e Bekajt.

Pjesa e parë u mbyllë me këtë rezultat, ndërkohë që fraksioni i dytë nis në mënyrën më të keqe të mundshme, pasi vendasit do të gjenin shumë shpejt golin e dytë. Në minutën e 52-të, Bekaj bën një pritje shumë të mirë, por më pas topi shkon në këmbët e Nsame, i cili e ka të thjeshtë që ta shtyjë “sferën” në rrjetë. Tirana jo vetëm që nuk reagon, por lë hapësira të shumta në prapavijë. Pikërisht nga gabimet e shumta do të përfitonte Nsame, i cili përshëndeti për herë të tretë rrjetën e portës së bardhebluve.

Për ta bërë edhe më dramatike situatën do të mendonte Torassa, i cili pas një ndërhyrje të ashpër mori kartonin e dytë të verdhë duke lënë Tiranën më 10 lojtarë për thuajse gjysmë ore lojë. Duke parë situatën e kundërshtarëve dhe rezultatin, Young Boys u kursye në minutat e fundit të ndeshjes duke mos ushtruar shumë presion. Tirana në këtë mënyrë mbyllë këtu aventurën në Europë këtë sezon, pa lënë gjurmë në fazën “Play-Off”, atje ku e siguroi një biletë me shumë fat. Një lojë e dobët e ndikuar, edhe nga fakti që nuk luajnë një ndeshje zyrtare prej një muaji. /Koha Jone

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here