Alibeaj: PS ka braktisur dhe nuk njeh më Këshillin Politik! Rama po tenton të përçajë opozitën

0
119

Ish-deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, foli në rubrikën “Opinion”, në News24, për zhvillimet e fundit në Këshillin Politik, duke thënë se opozita e bashkuar kërkon vetëm një gjë: t’i drejtohemi OSBE/ODIHR për çështjet që nuk gjendet konsensus.

Alibeaj tha se mazhoranca nuk e njeh palën e tretë, OSBE/ODIHR, që do duhet të jepte sentencën finale për çështjet pa konsensus, dhe për rrjedhojë sipas tij, nuk njeh më as Këshillin Politik.

“Në një pikë shumë të thjeshtë, që daton më 14 janar, kur u vendos krijimi i Këshillit Politik, në të cilin do të diskutohej gjithçka. Për shumë çështje s’kemi rënë dakord. Dhe në këto raste gjendet gjithmonë një palë e tretë, që përcakton kush është e drejta. Sot jemi në situatën kur vetë autoriteti i Këshillit Politik duket se nga PS nuk njihet më, për çështje të rëndësishme si ajo e koalicioneve, apo listave të hapura. PS nuk njeh më palën e tretë, që do duhet të jepte sentencën finale, që është OSBE/ODIHR.

Jemi tani në situatën ku në Këshill Politik na u kërkuar të sillnim një draft, që ne e sollëm, dhe tani nga pala tjetër nuk njihet më. Është një lloj braktisje, mosnjohje, e Këshillit Politik, e cila ka kosto të mëdha. Rama i ka mundësitë për t’i miratuar në Parlament ndryshimet, ama deklarimet e djeshme të përfaqësuesve më të lartë të Brukselit e bënë fare të qartë një gjë: Prishja e konsensusit në Këshillin Politik është e barabartë me ndërprerjen e rrugës për hapjen e negociatave. Kjo është një kosto shumë e madhe. Rruga e vetme është që me shpejtësi urgjente ai draft të marrë zgjidhje menjëherë nga OSBE/ODIHR. Ne do t’i qëndrojmë deri në fund, për t’ia bërë shërbimin paktit, qëndrimit të shqiptarëve, Evropës, e kujtdo tjetër. Shpresojmë që të mos arrijë në pikën që të largohet pala tjetër.

PS ka qeverisur katër vite me vota kundër, pasi në 2017 sipas formulës zgjedhore mandatet e fundit i merr partia që është më e madhe. Kodi Zgjedhor, që kemi dhe sot në fuqi, ka një element për ta balancuar: koalicionet me listë të përbashkët, siç i kemi pasur këtu e 20 vite më parë. Rama nuk do t’i lejojë opozitës së bashkuar, që me listat respektive të veçanta të tyre, të dalin me një program para shqiptarëve. Rama kërkon t’i përçajë e të marrë këto mandate që s’i takojnë”, deklaroi Alibeaj.

Deklaratat e Presidentit si i shihni?
Ne nuk kemi treguar arrogancë, madje kemi treguar durim të tepruar. Ne i qëndruam asaj çfarë u arrit në marrëveshjen e 5 qershorit. Kujtoj që kërkesat tona ishin më të mëdha, por hoqëm dorë, sepse besuam se më 5 qershor fituam diçka të madhe, vendosjen e paqes para betejës. Së paku, rregullat që vendosen të mos ndryshohen rrugës. Ne e kemi treguar këtë, edhe pas 30 korrikut, kur kishim gjithë të drejtat për të reaguar. Ne kërkojmë një gjë të vetme në Këshillin Politik, t’i drejtohemi ODIHR. Por duket që arroganca është e madhe, sepse të ndryshosh rregullat në mes të lojës, një hall i madh duket se është në mes. Ndërkombëtarët po thonë se duhet të respektojmë ‘5 qershorin’, por i vetmi që nuk e do është Rama.

A po ushtrojnë presion ndërkombëtarët?
Besoj se janë goxha të fokusuar në vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi janë në prag të futjes me të dyja këmbët në Evropë. Ata janë fare të qartë, të sinqertë, nuk janë hipokritë në atë që thonë. Kjo sjellje e PS është një lloj largimi nga treni i fundit për në Evropë. Mendoj se ndërkombëtarët kanë qenë të sinqertë dhe kanë bërë maksimumin, por zgjidhjen e japim ne. Ne duhet t’iu tregojmë shqiptarëve kush është engjëlli dhe kush është djalli. Shqiptarët sot e kuptojnë qartë se cili është shkaku i halleve të tyre.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here