Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero, i ftuar i edicionit të mbrëmjes në SYRI TV, komentoi situatën e fundit të koronavirusit. I pyetur nga gazetarja Juli Krisafi nëse virusi është dobësuar, ai tha se nuk e thotë dot diçka të tillë.
“Nuk e themi dot që virusi është dobësuar. Kjo duhet matur. Klinikisht nuk shoh ndonjë ndryshim. Nuk kam kurajo profesionale ta them këtë. Por për rastit të ekspozimit të shtuar, moshat e infektuara janë më të vogla. Agresiviteti i sëmundjes nuk është pakësuar.
Megjithatë, ai shtoi se nga fusha e prodhimit të vaksinës ka lajme të mira. Sipas tij, “bota për një vit ose një vit e gjysmë do çlirohet nga kjo pandemi”.
Pipero tha se virusi tregoi gjatë verës se nuk është i ndjeshëm ndaj temperaturës, por tha se nga hemisfera jugore kanë ardhur lajme të mira.
“Në hemisferën jugore gjatë dimrit, qarkullimi i viruseve stinore ka qenë shumë i ulët. Siç duket, masat e marra për koronavirusin parandalojnë edhe gripin stinor. Shpresoj që edhe te ne, qarkullimi i viruseve do mbetet i ulët. Grupet e rrezikuara duhet të vaksinohen me përparësi,” tha Pipero.