Kompania Virgin Galactic tregoi për herë të parë për publikun brendësinë e kabinës së anijes së saj të hapësirës, ndërsa testimi i saj është në fazat e fundit, në qendrën Spaceport America për nisjet në hapësirë në jug të shtetit Nju Meksiko. Virgin Galactic emëroi kohët e fundit një ish-drejtues të Disney-it si zyrtarin më të lartë ekzekutiv ndërsa kompania e turizmit hapësinor përgatitet për shërbime komerciale.
Kabina është e pajisur me 12 dritare për pasagjerët që të shikojnë Tokën. 16 kamera kapin reagimet e tyre gjatë gjithë udhëtimit.
“Çdo klient do të ketë të përqendruar tek vetja dy kamera për të kapur çdo aspekt të përvojës së tyre. Në të vërtetë, ne kemi edhe shumë kamera të tjera në të gjithë kabinën. Por me këto të dyja ata do të kenë një regjistrim të asaj që vrojtojnë në hapësirë ndërsa kalojnë nëpër këtë përvojë transformuese”, thotë shefi i kompanisë për hapësirën, George Whitesides.
Zyrtarët e kompanisë e konsiderojnë kabinën e anijes SpaceShipTwo si pjesën më të rëndësishme të udhëtimit për klientët, duke thënë se ajo është krijuar për të siguruar një nivel intimiteti ndërsa klientët shkojnë në skajet më të largëta të hapësirës, ku mund të përjetojnë mungesën e forcës së rëndesës dhe vrojtojnë Tokën poshtë.
Pamja e kabinës, u transmetua në internet, për shkak të kufizimeve të tanishme të udhëtimit dhe grumbullimeve të mëdha si pasojë e pandemisë.
Kompania kohët e fundit emëroi ish-drejtuesin e Disney-t, Michael Colglazier, si shefin e ri ekzekutiv.Colglazier ka qenë president dhe drejtor menaxhues i Parqeve Ndërkombëtare të Disney-t.
Më shumë se 600 klientë nga e gjithë bota kanë blerë bileta për një fluturim në anije të hapësirës të Virgin Galactic.
Fluturimet, pa dalë në orbitë, janë planifikuar të arrijnë në një lartësi prej të paktën 80.5 kilometrash përpara se anija të ulet.
Zyrtarët ende nuk kanë ofruar një datë për fillimin e fluturimeve me pasagjerë, duke thënë se testimet përfundimtare po vazhdojnë. Testet e raundit të ardhshëm do të përfshijnë fluturimin me raketa.