Nga Aleksandër Biberaj
Debati për taksën 100 % që kishte Kosova ndaj mallrave serbe, tashmë është i ezauruar dhe i tejkaluar pasi taksa u hoq pa kushte nga qeveria aktuale, ndërkohë që për atë taksë qeveria Haradinaj shkoi në zgjedhje të reja parlamentare nga ku doli humbëse, ndërkohë që edhe qeveria pasuese Kurti, ndonëse i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit 2019, u rrëzua në më pak se 2 muaj qeverisje, në mes të pandemisë, për arsyen e taksës. Pra taksa 100 % rrëzoi realisht dy qeveri, duke i hapur rrugë një qeverie të re, e cila edhe pse hoqi taksën pa kushte pas kërkesës insistuese të ambasadorit Grenell dhe faktorit ndërkombëtar, nuk arriti dot që të “bindë” Serbinë që të ndalonte fushatën apo sulmet anti-Kosovë.
Vetëm para disa ditësh Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, në mënyrë shumë cinike u shpreh se “do të jemi 5 fish, nënkupto 500 % të motivuar për të kundërshtuar njohjet e reja të Kosovës, për të ç’bërë njohjet e vjetra dhe për të penguar Kosovën për t’u anëtarësuar në institucionet ndërkombëtare”. Ironia e fatit është se palët ndërkohë kanë ri-filluar bisedimet pas 2 vjet ndërprerjeje, në praninë e faktorit ndërkombëtar SHBA dhe BE. Ndërkohë që po dje ka pasur një samit on-line të Lidërve të Ballkanit Perëndimorë, përfshirë edhe Kryeministrin e Kosovës Hoti dhe Presidentin Serb Vuçiç. Jam shprehur publikisht kundër heqjes së taksës pa kushte, por edhe kundër heqjes së saj përkundrejt “reciprocitetit”, pasi Kosova e kishte taksën si të vetmin mjet presioni ndaj Beogradit, nëpërmjet së cilës mund të ulej në tryezën e bisedimeve, pa komplekse dhe si e barabartë. Realisht koha tregoi se edhe reciprociteti i’u kërkua në mënyrë të njëanshme dhe jo të balancuar vetëm palës shqiptare, ndërkohë që u premtua se pala tjetër pra Serbia do të ndërpriste fushatën anti-Kosovë, gjë që nuk ndodhi.
Lidershipi politik serb, me rrënjë të forta tek Millosheviçi dhe Shesheli, i zhytur në klimën e trashëguar të krimeve kundër njerëzimit dhe të genocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës, jo vetëm që nuk e njohu dhe nuk respektoi reciprocitetin, por po bën thirrje për rritje 500 % të fuqisë goditëse dhe paralizuese ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare. Është po ky Aleksandër Vuçiç që 25 vjet më parë me 20 Korrik 1995 do të deklaronte se “për çdo serb të vrarë do të vrasim 100 myslimanë”. Në këto kushte do të gjykoja se lidershipi politik i Kosovës por edhe i Shqipërisë, në unifikim dhe sinkron të plotë, duhet t’i përgjigjen pabesisë dhe agresionit serb me të njëjtën monedhë, duke filluar një fushatë kundër Serbisë dhe krimeve serbë të viteve ‘90 kundër shqiptarëve, boshnjakëve, kroatëve dhe etnive të tjera, me qëllim që SHBA, Europa dhe faktori ndërkombëtar mos të vazhdojnë dhe t’i përkëdhelin padrejtësisht akoma serbët.
Faktori ndërkombëtar duhet t’i kërkojë Serbisë që ta ndajnë mëndjen nëse do të jenë partner me Rusinë dhe Kinën apo BE-në dhe SHBA-në?! Integriteti dhe dinjiteti kombëtar duhen mbrojtur në çdo kohë, me çdo çmim, mjet dhe formë, pasi armiku historik kurrën e kurrës nuk bëhët mik.