Rifillojnë bisedimet Kosovë – Serbi me ndërmjetësimin e BE-së…

0
88

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte planifikuar që të uleshin përballë njeri tjetrit në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Por, takimi fizik u shty për më vonë, ndërsa të dy udhëheqësit po diskutojnë nëpërmjet një video konference të organizuar nga Bashkimi Evropian.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha para fillimit të takimit se bisedimet synojnë një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

“Një marrëveshje e tillë është thelbësore për të ardhmen më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, është thelbësore për të ardhmen e tyre evropiane, për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit. Por, tërë kjo është po ashtu thelbësore për Bashkimin Evropian”, tha ai, duke theksuar se nuk është një punë e lehtë por është emergjente që të punohet për paqen e përparimin për hir të së ardhmes së përbashkët.

“Kjo detyrë kërkon guxim politik nga të dyja palët. Kërkon përkushtim dhe angazhim në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit”, tha zoti Borrell.

Dy ditë më parë, Kosova dhe Serbia diskutuan në një video konferencë të organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe aty u pajtuan për rifillimin e bisedimeve por nuk pajtuan në asnjë pikë për rrugët e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Kryeministri i Kosovës, tha gjatë asaj konference se suksesi i procesit të normalizimit duhet të mbështetet në parimet se “tërësia tokësore e Kosovës është e pa negociueshme, organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket dhe marrëveshja duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës”.

Ai tha se Kosova synon “një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes me Serbinë që duhet të çojë në njohje të ndërsjellë”. Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të sigurojë njohjen nga pesë vendet anëtare që nuk e njohin Kosovën. Pjesë e marrëveshjes duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në OKB, tha ai.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cilësoi si ultimatum qëndrimet e tilla.

“Pala shqiptare doli me kërkesa që janë: ruajtja e tërësisë tokësore dhe kushtetuese të Kosovës, njohja e ndërsjellë dhe jo modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës”, tha ai, duke i cilësuar si maksimaliste kërkesat e Prishtinës, ndërsa theksoi siç tha gatishmërinë e Beogradit për të hedhur hapa të vegjël.

Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Publikimi i akuzave bëri që të dështojnë planet për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor, me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve./VOA/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here