‘Profecia’ e Berishës/ Ja si Rama po heq vallen e Serbisë për Kosovën

0
99

Nga Sali Berisha

E enjte, 26.01.2017 Seanca e parlamentare, ora 11:27

Më duhet të them se çështja është absolutisht themelore dhe si dëshmitar që e kam ndjekur me interesin më të madh, konstatoj një dështim madhor në procesin e dialogut dhe marrëveshjeve Prishtinë – Beograd, të cilat i kam konsideruar dhe i konsideroj jetike për paqen dhe stabilitetin.

Unë jam ndër të paktët që jam shprehur: ose ato marrëveshje, ose luftë. Alternativë tjetër ata që mendojnë se ka gabohen shumë rëndë.

Pra, ato janë marrëveshje që në parim duhet të konsolidojnë procesin e paqes, bashkëpunimit dhe të arkivojnë në një mënyrë armiqësitë e shkuara. Të nderuar deputetë, pesë vjet më parë zyrtari i lartë i një vendi më kryesor në botë më vjen në zyrë dhe më thotë: ‘Ne nuk jemi dakord me këto deklaratat e tua kaq të ashpra ndaj serbëve’.

Në të vërtetë nuk është se nuk ishin, sidomos ndaj qëndrimit të Daçiçit, që është sot ministër i Jashtëm. I them: ‘Janë këto arsye që më bëjnë mua të mbajë këtë qëndrim’. ‘Jo,- më thotë, – procesi po ecën dhe është në ecuri të mbarë dhe serbët janë seriozë në këtë proces’. ‘Absolutisht, – i them,- nëse është kështu, sepse s’paskam informacionin e duhur’ (dhe qëndrimet e mia i bazoja në një analizë dhe ato informacione që kisha), ‘unë e kam mbështetur procesin dhe e mbështes me të vetmin kusht, që të jetë serioz dhe rezultativ’.

Çfarë del pas kaq vitesh? Absolutisht, Serbia shfrytëzoi dialogun, shfrytëzoi përkëdhelinë, për të vazhduar me insistimin më të madh projektin e Serbisë së Madhe. Atyre që u duket çudi kjo, ata s’kanë abc-në e këtij rajoni, sepse, nga njëra anë, Daçiç bën referendumin për shkëputjen e Bosnjës, nga ana tjetër, bën të gjithë projektet fillimisht për Veriun e Mitrovicës pastaj, për të shenjtën e të stërshenjtën Patrikanë.

Beogradi këtë periudhë paqeje dhe përpjekjesh serioze të shqiptarëve, thellësisht të interesuar për paqe, përpjekjesh të BE-së, thellësisht e interesuar për paqe, apo të Aleancës së Atlantikut të Veriut e shfrytëzoi pabesisht për të projektuar dhe hedhur edhe një herë në treg projektin e Serbisë së Madhe. Qëndrojmë pak këtu. Pa diskutim që BE-ja, si ndërmjetëse, ka detyrimin kryesor për imponimin e zbatimit të marrëveshjes, por, nga ana tjetër, ky është një soft poëer, i cili nuk është se nuk do, absolutisht do, por mundësitë i ka të kufizuara. Që në fillim kam insistuar që partnerë, krahas BE-së, të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ky zotëri që erdhi e më tha: ‘Zbute pak gjuhën’, më tha: ‘Pavarësisht se zyrtarisht nuk jemi, ne prapë aty jemi’, dhe unë i besova, sepse ai tha një të vërtetë.

Ishte Philip Reeker. Ai ishte serioz dhe nuk po gënjente, por problemi është se gënjenin serbët. Po pse tani e gjetën momentin ata për të lëshuar këtë nismë pa doreza? Sigurisht, është një situatë konjukturore ndërkombëtare. Mbase u trimëruan nga fakti se Rusia doli me një rol apo me një peshë më të madhe nga sa i takon për shkak të veprimeve në Siri, në arenën ndërkombëtare. Por nuk është vetëm kjo, të jeni të sigurt dhe të sinqertë. Këtu është faktori shqiptar. Faktori shqiptar ka dëshmuar katërçipërisht përcaktimin për paqen, dhe mirë ka bërë, por, nga ana tjetër, faktori shqiptar duhet të analizonte dhe duhet të analizojë çdo lëvizje të Serbisë, të Beogradit, në çdo aspekt, duhet të analizonte qëndrimet e Beogradit ndaj të gjitha marrëveshjeve.

Unë po ju jap një shembull. Cili është raporti që ka Beogradi me Tiranën? Tirana tre vjet më parë paraqiti një kërkesë për të votuar, me kërkesë të partnerëve tanë ndërkombëtarë, që ajo të ishte e bashkëkryetare me Zvicrën në OSBE. Kjo kërkesë kishte të bënte me marrëveshjen për njohjen e diplomave. Natyrisht që synimi ynë ishte Presheva, qytetarët e së cilës po s’iu njohën diplomat ngelen pa shkollë dhe ikin. E premtoi zyrtarisht dhe doli garant zonja Micheline Calmy Rey, ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Zvicrës. A e ka firmosur marrëveshjen? Deri më sot absolutisht jo.

Kjo është njëra anë, por mashtrimi i Edi Ramës është më i turpshëm, i cili i njoftoi shqiptarët se është firmosur. Po ku është firmosur?! Shikoni këtu Sandrin dhe Edin. Një djali nga Presheva i duhet një proces infernal për të njohur një diplomë, një proces që nuk ia vlen për t’u ndjekur kurrë. Marrëveshja nuk është firmosur; marrëveshjen ai nuk është i gatshëm ta firmosë, megjithëse këtu në Tiranë Sandri i Edi Ramës u zotua se ajo punë është zgjidhur, ka marrë fund. Ndërkohë nuk ka marrë fund asgjë, sepse ata i shohin shqiptarët nga pozita thellësisht albanofobike.

Këtu në parlament kam kritikuar dhe kam denoncuar në mënyrë të përsëritur qëndrimet e Edi Ramës, absolutisht jo sepse ai shkoi në Beograd. Unë vetë e kisha vendosur që të vinin ata përpara këtu, ky vendosi të shkonte vetë atje. Normal, nuk ka asnjë problem. Por nga mënyra se si shkoi, teatraliteti, folklorizmi dhe të gjitha këto, si dhe grandomania, unë e kuptova se në këtë gjë po shkelmohen interesat e Kosovës. Aleksandër Vuçiç është kryeministri që Edi Rama ka takuar më shumë në jetën e tij, përveç Papandreut. Çfarë po ndodh pas gjithë këtyre takimeve?

Niset treni. Diplomatë të huaj më kanë thënë se flitet për një marrëveshje… Për sa i përket kësaj punës së ndarjes, që ta dini ju, nuk kisha as një muaj që isha bërë Kryeministër dhe në Samitin e Selanikut, gjatë një dreke, Drashkoviçi më tha: ‘Sali, tani të mblidhemi 48 orë në një retreat dhe ta zgjidhim bashkë çështjen e Kosovës’. Unë i them: ‘Çdo gjë duhet ta zgjidhni me udhëheqjen e Kosovës. Po të kesh probleme me Shqipërinë ulemi dhe e diskutojmë bashkë’. Qëndrimi im për ndarjen ka qenë kundër në mënyrë kategorike. U jam mirënjohës Shteteve të Bashkuara, të cilat e kundërshtonin në mënyrë të prerë ndarjen.

Më pyetën: ‘Pse je kaq kategorik për ndarje?’. Unë jua shpjegova se kjo është një gjë shumë e rrezikshme, por edhe për mbarë rajonin. Tri komuna apo dy janë ato dhe të tilla ekzistojnë në çdo shtet, por ato bëhen në emrin e Serbisë së Madhe, dhe isha kategorik dhe ata as që mund ta diskutonin këtë. Tani, hapi i parë që bëri Serbia ishte ndërtimi i murit. Kush e ndërtoi murin? Murin në tokën e Kosovës e ka ndërtuar Beogradi. U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës ta shkatërrojnë një minutë e më parë dhe t’i dalin zot territorit të tyre. Kush e ndërtoi murin? A e ndërtuan vendasit? Jo, sepse ata nuk guxojnë kurrë ta bëjnë këtë gjë, por atë mur e ndërtoi Beogradi. Muri është projekt i Serbisë së Madhe.

Pastaj nxorën kokën me Haradinajn, në kundërshtim të hapur dhe flagrant. A e dini ju që Gjykata e Hagës, me 300 milionë buxhet, është ngritur vetëm për Kosovën, për krimet e luftës, që supozohet se mund t’i kenë kryer apo i kanë kryer luftëtarët e UÇK-së. Po Shqipëria është shareholder aty, se hetimi nuk është bërë vetëm në Kosovë. Ky parlament ka votuar një marrëveshje me BE-në dhe komunitetin ndërkombëtar dhe janë bërë hetime në territorin e Shqipërisë. Tani, pasi e bënë këtë duan të arrestojnë njeriun që ka shkuar burrërisht dy herë në Hagë. Ky akt është fund e krye politik dhe një provokim i rëndë për çdo shqiptar.

E fundit ishte marshi mbi Kosovën. Çfarë ishte ai? Ai absolutisht ishte një test. Në 21 gjuhë ishte parulla: ‘Kosova është Serbi’. Jua tha edhe në Bruksel Nikoliçi: ‘Kemi shkruar Kushtetutën tonë, se e kemi në preambul’. E ndaloi kush e ndaloi dhe i falënderojmë ata që kanë ndërhyrë, sigurisht që ka ndërhyrë faktori ndërkombëtar, unë i përshëndes edhe autoritetet e Kosovës, të cilat mendoj se i kryen detyrat e tyre, sepse ato njësi speciale që i kishin i nxorën. Nuk kishte qëndrim më ekzistencialist dhe të turpshëm se sa qëndrimi i kreut të ekzekutivit shqiptar. Kreu i ekzekutivit shqiptar, në një moment, kur me të vërtetë mund të shpërthente një konflikt dhe një gjakderdhje, u fut nën jorgan, sikur nuk ishte, dhe reagoi 24 orë mbrapa, jo duke i thënë Sandrit atë që meritonte për aktin e tij, por duke i kthyer përgjigje: ‘Dëgjo, ti Enver, se serbët, se Milosheviçi, se turistët…’. Ndaj edhe një diplomat i huaj më thoshte se ka mundësi të ketë një marrëveshje mes tyre. Nuk e di a ka, por fakti që reagoi në këtë mënyrë është absolutisht domethënës. Ku guxon ti të sulmosh? Guxo të sulmosh po deshe, por të jesh bindur se si komb do të reagojmë një.

Ne u përpoqëm të reagojmë si një komb dhe reaguam deri diku si një komb edhe në vitet ‘97-‘98. Tani nuk ka forcë në botë që i ndalon shqiptarët të reagojnë si një komb. Nëse ti do të hedhësh në erë një proces paqeje për rajonin, atëherë përgjegjësia është jotja. Ne, edhe një herë, ndaj çdo agresioni ndaj shqiptarëve do të reagojmë si një komb i vetëm. Këtu nuk mund të na ndalë kush në botë. Ne respektojmë kufijtë, procesin e paqes, ne jemi për procesin e paqes, por nëse kaloni në agresion, do t’u përgjigjemi me të gjitha mundësitë dhe mjetet tona. Zoti Blushi theksoi: ‘Nëse kjo ndodh, të bashkohet Shqipëria me Kosovën’. Jo, absolutisht të bashkohen të gjitha territoret shqiptare kudo që janë në vazhdimësi. Ejani, urdhëroni! A doni që të hyjmë në këtë proces? Po pse do t’i lëmë ne ata, të lopës janë ata? Jo, zotërinj, ne pranojmë një ligj ndërkombëtar, ne e pranojmë paqen si gjënë më të rëndësishme, por në rast se ne futemi në spirale të tilla, në rast se banditë, xhelatë e kriminelë do të sulmojnë, atëherë shqiptarët duhet të bëjnë gjithçka për të bashkuar çdo pëllëmbë, çdo metër të territoreve të tyre kudo që janë në vazhdimësi etnike dhe gjeografike.

E kam theksuar disa herë në kancelaritë e huaja, edhe publikisht: mos të mendojë njëri se shqiptarët do të jenë të humbur, por nuk është kjo. Shqiptarët duhet t’i qëndrojnë ligjit ndërkombëtar, t’u qëndrojnë partnerëve të tyre, sepse Kosova u çlirua me ndihmën e partnerëve, sepse Kosova ka një status ndërkombëtarisht të pranuar dhe të përcaktuar. Ne asnjëherë nuk kemi pse të bëjmë kombin zuzar, por kombin luajal ndaj atyre që pranojmë dhe shkruajmë.

Unë kërkoj nga parlamenti që ta marrë në mënyrën më serioze politikën e jashtme. Kërkoj nga parlamenti që në frymën e Kushtetutës të shqyrtojë me vëmendjen më të madhe çdo hap në politikën e jashtme të këtij vendi. Çfarë po ndodh? Po ndodh ajo që është shpallur publikisht nga Edi Rama. Pas deklaratave të tij skandaloze, unike në llojin e tyre, ndaj ish – kandidatit për president dhe presidentit aktual Tramp, ju mos harroni se krahas sharjeve më ordinere e më të turpshme ndaj tij, vazhdon fraza: ‘Në rast se fiton ai, Zoti mos e dhëntë, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të dëmtohen rëndë’. Ky është dokumenti. Çfarë është ky dokument? Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Aleanca e Atlantikut të Veriut u kërkojnë vendeve anëtare të NATO-s të votojnë kundër një nisme, e cila targetonte në mënyrë të veçantë armët nukleare.

Zotërinj deputetë, Dokumenti i Aleancës së Atlantikut të Veriut, që nuk është i klasifikuar, është i hapur për të gjithë ju këtu, edhe për ne, i cili është shpërndarë nga Kristine Huskey, përfaqësuesja e delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, midis të tjerash, thotë: ‘Në samitin e Varshavës NATO-ja riafirmoi shkurajimin e bazuar në një miksim, përzierje të përshtatshme të kapaciteteve mbrojtëse nukleare dhe konvencionale raketore dhe kjo mbetet shtyllë kryesore, element kryesor i strategjisë së përgjithshme të NATO-s. Për sa kohë armët nukleare të ekzistojnë, NATO-ja do të mbetet aleancë nukleare. Për këtë arsye ne e ndjejmë se përpjekjet për të negociuar në mënyrë imediate një ndalim të armëve nukleare apo për të delegjitimizuar shkurajimin nuklear, janë themelisht në kundërshtim me NATO-n, themelisht në kundërshtim me politikat bazë të NATO-s mbi diferencën dhe interesat që ne ndajmë për sigurinë’. Ky është dokumenti dhe cilido mund ta marrë.

Çfarë ndodhi? Mbi bazën e këtij dokumenti në datën 20 tetor 2016, në komitetin e parë të OKBsë, Shqipëria votoi direktivën e NATO-s, votoi siç kërkoi aleati ynë kryesor. Çfarë ndodhi tani, zoti Majko? (Ndërhyrje pa mikrofon) Prandaj duhet parlamenti… Pasi fitoi Donald Tramp në datën 20 dhjetor Shqipëria votoi kundër, kundër strategjisë së NATO-s! Shqipëria votoi kundër kërkesës së aleatit tonë kryesor, sepse ‘ne duhet t’i prishim marrëdhëniet’ me aleatin tonë kryesor! Nuk po them, se ne i kemi shkelur me të dyja këmbët zotimet tona të tjera ndaj NATO-s, siç është buxheti, dhe ne e dimë mirë këtë e të tjera, por të dalë Shqipëria dhe të votojë në kundërshtim me atë që kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fuqia më kryesore nukleare e NATO-s, me atë që kërkon Franca, Britania e Madhe, fuqi të tjera nukleare të BE-së, a nuk është një tradhti e interesave të sigurisë kombëtare? A nuk është kjo një thikë në interesin e sigurisë kombëtare? Kush i drejton këta? Nga frymëzohen këta? Nga Teherani? Apo kthehen mbrapsht tek etërit e tyre? (Ndërhyrje pa mikrofon) A ka ndodhur ndonjëherë, zotëri, më thuaj pak? A mund të ndodhë që shefi i ekzekutivit të Shqipërisë të mos i dërgojë urim shefit ekzekutiv të SHBA-ve ditën e inaugurimit? Ai është president, por është shef i ekzekutivit, gjithashtu. Nuk ka kryeministër aty. Është president, por edhe shef i ekzekutivit të SHBA-ve.

I çon Presidenti urim, detyrimisht i çon dhe Kryeministri. Por kur bëhesh një kone e George Sorosit, kur shkel mbi çdo interes, ndodh kjo. A nuk është kjo një shkelje madhore e interesit kombëtar, e sigurisë kombëtare, një përpjekje flagrante për të prishur, për të dëmtuar marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA- ve? Çdo shqiptar le t’ia shtrojë pyetjen vetes, por dokumenti është i pakundërshtueshëm. Votoi në tetor, siç kërkoi aleati ynë, votoi kundër në dhjetor për të dhënë një sinjal jashtëzakonisht negativ! Nuk po ndalem, unë edhe herë të tjera e kam thënë, e theksoj se kjo shumicë qelbësirash shkoi para se të vinte në pushtet në Stamboll dhe aty mori një libër të mikut tim Davutoglu, një akademik brilant, ‘Strategjia në thellësi’, i cili ka teori kryesore: ‘Zero probleme me fqinjët’. Lexojeni pak programin e qeverisë që e keni votuar këtu! E shikoj unë ‘zero problem’. Po zero problem mund të thonë SHBA-të, ata mund ta thonë, e tha dhe Turqia, ç’është e vërteta, por i doli për hundësh, sepse që kur është themeluar shteti turk nga Qemal Ataturk deri sot nuk ka pasur problem më të madh me fqinjët. Nuk them për faj të vet, por problemet i ka. Na erdhën edhe këta me ‘zero problem’. Po çfarë zero problem?! Po ti je i shpërndarë, për fatin tragjik të historisë tënde, ti jeton kudo! Ja çfarë ndodhi në Kumanovë, ja çfarë po ndodh në Veri të Kosovës. Ku je ti? Si e paske ti këtë ‘zero problem’? Ti ke detyrime ndërkombëtare ndaj tyre, me traktate ndërkombëtare! E si janë sot problemet? Më keq se asnjëherë, jua them unë. Lëri ato që janë hapur dy zyra. Po s’ke marrë një projekt. Mos përmendni projektet e mia. (Ndërhyrje pa mikrofon)

S’kam asnjë xhelozi, por linjat e interkonjeksionit qoftë me Kosovën, qoftë me Maqedoninë janë absolutisht të dokumentuara, të iniciuara nga ne, ajo e Kosovës e tenderuar, e prishur dhe e tenderuar për së dyti. Rrugët e tjera i kanë marrë të tjerët, si Korridorin Blu. A di të më thotë ndonjë deputet i Vlorës se çfarë është Korridori Blu? Një vizatim që kalonte në det i një njeriu, i cili nuk njeh asnjë kufi për të gënjyer, për të mashtruar kur lexoj për ‘Korridorin e Gjelbër’. A e dini se cili është Korridori i Gjelbër? (Ndërhyrje pa mikrofon) Pandeli, të lutem shumë! Atij nuk i duhet. E kupton vetë ti. Ai nuk e ka imunitetin tënd. Mos i bie në qafë. Shpiku gjëra, të cilat nuk ekzistojnë. Po ku janë tani? Asnjë prej tyre.

Merr hekurudhën Tiranë – Prishtinë, apo Milot -Prizren, po more atë, njëmijë herë faleminderit thuaju, sepse bëhet një gjë shumë e madhe. Po, morëm zyra. Nuk them se nuk duheshin, por çfarë japin? Neve na duhen projekte. Nëse themi të tjerët të marrin projektet, kurse ne zyrat, atëherë ato janë pemë pa kokrra.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here