Analisti nga Prishtina, Veton Surroi, i ftuar në edicionin special të ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ka komentuar edhe zhvillimet e papritura politike në Kosovë, pas publikimit të akuzave për krime lufte të Gjykatën e Hagës, ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.
‘Kjo është një akuzë shumë e rëndë për sa i përket drejtësisë. Çështja e aktakuzës nuk e dimë ende a ka një aktakuzë të vërtetuar, këtë do ta marrim vesh në javët në vazhdim’, tha Surroi.
I pyetur nëse ka një përplasje midis BE-së dhe SHBA-së për çështjen e Kosovës. Surroi u përgjigj se:
‘Fillimisht SHBA janë në një situatë që nuk i kemi parë ndonjëherë. Nuk ka administratë të krahasueshme me administratë tjetër në politikën e jashtme dhe atë të brendshme.
Kemi të bëjmë me një paaftësi të manifestuar të 10-vjetëve të kaluara për të ndërmjetësuar çështjen e Kosovës me BE. Dhe këto negociata janë bërë në presionin e Gjykatës Speciale. Ky është një proces sui generis që e ka goditur Kosovën…’, deklaroi Surroi.
Surroi tha ndër të tjera se tashmë Kosova duhet të jetë e kujdesshme pas zhvillimeve të fundit.
‘Kosova duhet të jesh shumë e kujdesshme, të gjitha partitë politike. Duhet ndarë gjykatën, prokurorinë nga veprimtaria politike.
Nëse në javën në vijim vërtetohet se Thaçi dhe Veseli janë pjesën e aktakuzës, s’do mend që duhet të largohen nga veprimet politike dhe ti përgjigjen drejtësisë.
Çështja e dytë është procesi i negociatave deri sa presidenti i Kosovës akuzohet për krime, dhe me brishtësinë politike që ka qeveria e tanishme.
Tjetra është narracioni që duhet ta ketë çdo qytetar i Kosovës në veprimin e tij publik që të lidhet çdo akuzë eventuale e gjykatës Speciale të mos inkriminojë luftën e Kosovës’, tha Surroi