Një ‘anonime’ për Lulzim Bashën!

0
141
Nga Poli Hoxha 

Lulzim Basha po bën një fushatë normale, pas të paktën një viti opozitë ‘anormale’.

Kjo ka kuptim në pamje të parë, sepse ata që paguhen për piarin dhe strategjinë e tij i kanë zgjedhur si slogan; Unë do të jem një kryeministër normal!

Dakord, por që të bëhesh kryeministër normal duhet që të largosh më parë një kryeministër anormal. Dhe këtë kërkon që ta arrijë, me anë të një fushate normale.

Zhan Pol Sartri do të thoshte: Në këtë vend anormal, normal janë anormalët!

Se si është Shqipëria ne e dimë, ndaj anormali Edi Rama mund të rezultojë normal, kurse normali Lul Basha anormal.

Basha i është futur ‘me kokë’ biznesit të vogël dhe të mesëm dhe ju premton ulje taksash. Rama as që e lëviz menderen nga zyra apo shtëpia dhe ju thotë; Do ti heqë fare taksat deri në vitin 2029, kam gati ligjin.

Konfuci do të thoshte: Mënyra më efikase për të kapur peshkun nuk është me grep apo rrjetë, por duke ja hequr komplet ujin pellgut.

Pra peshkatari Basha po gjuan `peshq` në një pellg ku nuk ka më peshk, madje as ujë fare!

Në vend që ta mësojnë që të shpjegojë se premtim-plani i Edi Ramës për zer(o)imin e taksave për bizneset deri 140 mijë dollarë, nuk ka bërë vaki në asnjë vend të botës sepse do të ishte vrastar për shtetin dhe vetë biznesin në një kohë të ardhme, vazhdon e premton ulje për atë që kryeministri thotë se nuk do të ekzistojë fare!

Basha po del nëpër Shqipëri me stil të ri veshje, por nga mbrapa ka të njëjtat fytyra që mbante në fushatën e vitit 2017 dhe që nuk e kanë ndryshuar fare stilin. Madje e kanë bërë, edhe më mondan.

Dikush duhet ti thotë që edhe 4 vite (8 më saktë) nuk janë pak për të vazhduar ‘i ngrirë’ dhe të synosh të dukesh i freskët.

Ndoshta e ka në plan, por vetëm 10 muaj kanë mbetur, ndaj ai duhet të nis urgjent një turne-gjueti brenda partisë dhe shtresës profesioniste-intelektuale shqiptare kudo që është. Pas kësaj të rikthehet te qytetarët dhe biznesi me emra, integritete, ndërgjegje e personalitete të pastra dhe të reja.

Me këto skuadra mbrapa dhe duke mos lëshuar nga dora dhe nga goja dosjen e zezë 8 vjeçare të Edi Ramës në pushtet, ditë më të mira e presin atë, opozitën dhe Shqipërinë.

Por `strategjinë` dhe menaxhimin mediatik dhe atë në rrjet ja bëjnë po të njëjtët ‘specialist’ të komunikimit të cilët edhe vetë nuk e fshehin habinë për jetën e mirë që bëhet, kur punon për opozitën.

Po lexoj këto ditë ‘Zjarr dhe tërbim’ të gazetarit me dy `Pulitzer`,  Michael Wolff dhe aty mund të mësosh, se si një staf i tërë përreth një kandidati (Trump) mund të punojnë me përkushtim dhe seriozitet për tu admiruar, për të vetmin qëllim final; Si humbjen ta shpallim `fitore`!

Plani i Ramës lexohet qartë; të përçajë opozitën, nëse nuk kalon dot në parlament ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.

Edhe po nuk arriti asnjërën nga këto, do të vazhdojë të hedh miliarda euro në projekte e video 3D për 8 vitet e ardhshme; heqje taksash, rritje rrogash e pensionesh, amnisti fiskale, legalizim të kanabisit etj.

Me pak fjalë do të hap thesin me premtime që nuk bëhen kurrë, por edhe me para të dyshimta. Këto i hanë vetëm militantët, ata që kanë frikë për punën dhe biznesin e tyre dhe kok-trashët. Paralelisht, ai do të synojë që të rrisë fashën e elektoratit gri. Ideja është që shumicën e atyre që do të votojnë gjatë vitit 2021, të jenë vetëm dy kategori.

Nga njëra anë administrata dhe pushteti lokal me gjithë familjarët e tyre; socialistët dhe pensionistët fanatikë si dhe thirrja ‘nën armë’ e të gjitha bizneseve që janë favorizuar gjatë këtyre 8 viteve.

Nga ana tjetër mbeten; anëtarët dhe militantët e partive opozitare.

Të gjitha ata që nuk e duan më atë që përfaqëson Edi Rama dhe organizata e tij, plus ata që nuk kanë besim te kjo opozitë, ftohen dhe synohen prej Ramës që të qëndrojnë në shtëpi ditë e zgjedhjeve.

Nëse plani i kryeministrit është i qartë, edhe shpresa e vetme e Bashës është e qartë: Një votë plebishitare anti-Ramë. Pak a shumë një `dajevu` e vitit 2013.

Por që të arrihet, duhet një pjesëmarrje e madhe në zgjedhje. Dhe kjo bëhet e mundur vetëm nga shkuarja te kutia e votimit e dilematikëve dhe bojkotuesve, të cilët janë shumicë absolute aktualisht.

Basha duhet të `godasë` për ta fituar këtë shtresë që është mjaft e larmishme, por edhe më inteligjentja.

Është ajo shtresë që shfaqet pesimiste, pikërisht sepse është inteligjente. Por edhe që bëhet lehtë optimiste kur sheh racionalen, idealizmin dhe të vërtetën diku.

Si mund ta bëjë këtë Basha?!

Duke nisur që të mos dëgjojë në verbëri servilët që kanë kaq vite që projektojnë veten në pushtet; ata që për të mbuluar dhe justifikuar paaftësinë dhe skuthllëkun e tyre (edhe borderonë natyrisht) për çdo gjë, mundësisht edhe për këtë `anonime`, thonë:

Kjo është lojë e Ramës!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here