Nga Red VARAKU
Kur Opozita e Bashkuar dogji mandatet dhe nisi një ndër betejat më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në vendin tonë për të mbrojtur demokracinë dhe vlerat perëndimore, kishte shumë njerëz që ishin skeptikë në lidhje me produktin e saj.
Një pjesë pragmatiste mendonin se dalja nga institucionet ishte një hap shumë i gabuar dhe i pafavorshëm për opozitën, që do ta penalizonte fort aksionin opozitar, sepse pas kësaj qeveria nuk do të kishte më asnjë pengesë institucionale, pra me fjalë të tjera ky veprim do t’i jepte fushë të lirë veprimi qeverisë.
Një pjesë tjetër ranë viktimë e mashtrimit të propagandës së ulët qeveritare, e cila argumentonte se e gjitha kjo ishte një përpjekje e opozitës, që kishte për qëllim të pengonte reformën në drejtësi. Sipas propagandës qeveritare, opozita kishte dalë në rrugë për interesa krejtësisht personale të Berishës dhe Metës, që sipas tyre kishin frikë nga reforma në drejtësi.
Por, pati dhe nga ata idiotë, që fërkuan duart nga gëzimi, sepse argumentonin se aktin e djegjes së mandateve, perëndimi nuk do t’ia falte kurrë Partisë Demokratike dhe kjo do të sillte fundin e Partisë Demokratike. Kjo kategori, ishin aq të verbuar nga urrejtja kundër PD-së, sa vërtet besonin se “opozita parlamentare“ do të merrte rolin e opozitës dhe marrina të tilla.
Sigurisht, e gjitha kjo i krijoi një disavantazh jo pak të vogël udhëheqësve të kësaj beteje, të cilët jo pak herë iu është dashur të merren me sqarimin e kësaj mjegullnaje të ngritur nga propaganda e mirëpaguar e qeverisë, një propagandë që dominon sot pothuajse të gjithë hapësirën e opinionbërjes.
Por, ishte qëndrimi i palëkundur i të gjithë Opozitës së Bashkuar, e cila edhe pse u tentua të blihet dhe u shantazhua me të gjitha format, ia doli të mbetet e bashkuar deri në fund, madje dhe tani me reformën zgjedhore, ku iu ofrua gjithçka në tavolinë, dhe për këtë rezistencë kanë meritë të gjithë udhëheqësit e partive opozitare.
Gjithsesi, mendoj se pas kësaj beteje të ashpër dhe të gjatë, sot të gjithë e kanë të qartë, se kjo betejë nuk lidhet me asnjë nga argumentet e sipërpërnendura.
Djegja e mandateve pas publikimit të përgjimeve, jo vetëm që nuk rezultoi i padobishëm, por ishte akti që riktheu besimin e qytetarëve tek opozita. Ky akt ishte dhe fitili që ndezi zemërimin më të madh popullor të këtyre 30 viteve, nxehtësia dhe tymi i të cilit arriti deri në kancelaritë perëndimore në Berlin dhe Washington.
Ndërsa, Komisioni i Venecias vërtetoi katërcipërisht, se i vetmi njeri që po tenton të kapë reformën në drejtësi për shkak të frikës që ka prej saj, si dhe për shkak të nevojës që ai ka për ta përdorur si kamzhik mbi kundërshtarët, është Edi Rama. Largimi i Dvoranit nga KED është prova që perëndimi e ka të qartë se kush kërkon ta kapë dhe të luajë me reformën.
Njëkohësisht, vendimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, i cili ngarkon Ramën me përgjegjësi penale në rast të mosrealizimit të dorëzimit të pushtetit, vendim i cili u vulos dhe nga Parlamenti Europian, ku nëpërmjet 15 kushteve i kërkohet Ramës të arrestojë elitën e rilindjes dhe më pas të dorëzojë pushtetin, ka hequr çdo dyshim që sot se Opozita e Bashkuar, jo vetëm që nuk do të ketë asnjë penalitet për vendimin e djegjes së mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale, por përkundrazi për shkak të këtyre dy akteve dhe vendosmërisë së treguar, ajo gëzon sot mbështetjen më të madhe politike në Washington dhe Bruksel.
Tashmë, nuk ka mbetur shqiptar me gjak shqiptari ,që nuk e ka të qartë që kjo betejë ka qenë dhe mbetet prej fillimit një betejë e sinqertë për popullin shqiptar, për rikthimin e demokracisë dhe ringjalljen e vlerave të qytetërimit perëndimor. Ndaj shumë shpejt, Opozita e Bashkuar do të jetë në krye të drejtimit të këtij vendi, për të rikthyer edhe një herë timonin drejt vlerave të demokracisë dhe qytetërimit perëndimor.