Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka dalë me një deklaratë lidhur me dhunën policore ndaj gazetarëve. Unioni i Gazetarëve, teksa ka postuar videon e shoqërimit policor të reporterit Elvis Hila në datën 17.06.2020 në plazhin e Shëngjinit, deklaron se sktet e ripërsëritura të dhunës policore mbi gazetarët janë dhunë shtetërore.
Deklarata e plotë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë
Aktet e ripërsëritura të dhunës policore mbi gazetarët janë dhunë shtetërore
Tiranë më 18.06.2020
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon rastet e përsëritura të dhunës, shantazhit dhe kërcënimit policor mbi gazetarët dhe reporterët në detyrë. Një ditë më parë, në plazhet e qytetit të Shëngjinit, grupe policësh shoqëruan në prani të reporterëve lokalë dhe banorëve të shumtë reporterin Elvis Hila, ndërsa po filmonte dhe kryente detyrën e vet profesionale. Autoritetet vendore të policisë nuk dhanë asnjë arsye zyrtare për këtë akt të dënueshëm. Kësaj heshtje iu nënshtruan edhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, ndërkohë që sipas raportimeve nga dega e UGSH në Lezhë, bëhet e ditur se institucioni I SHKÇB ka nisur hetimet. Rasti I dënueshëm me kolegun në Lezhë është paraprirë gjatë tri muajve të fundit nga disa akte të tjera dhune, kërcënimi dhe deri prangosje në sytë e publikut të gazetarëve dhe reporterëve të ndryshëm. Akti më i rëndë konsiderohet ai me gazetarin Alfred Lela, në datën 17 maj 2020 në Tiranë, mbi të cilin u hodh një skuadër policësh, duke e dhunuar e prangosur egërsisht. E njëjta gjë ndodhi edhe me disa reporterë dhe operatorë, mes të cilëve edhe operatori Mirsald Hajdarmataj i Report TV, i cili u godit dhe fye rëndë prej policëve në protestën që zhvillohej në Tiranë në mbrojtje të Teatrove Kombëtarë. Raste të dhunës dhe arbitraritetit policor ka pasur edhe në qytetin e Fierit si në rastin e kryetarit të UGSH-sw Vladimir Muçaj për këtë qark, ndaj të cilit në mënyrë absurde ka nisur edhe një proces gjyqësor, ndërkohë që vetë policia e shtetit përmes dokumentave të shkruar ka fajësuar policinë lokale.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon këtë natyrë të dhunshme të shpesh-shfaqur të strukturave policore në vend ndaj gazetarëve në detyrë. U drejtohemi krerëve të këtij institucioni në vend, përkatësisht Ministrit të Brendshëm zotit Sandër Lleshaj dhe Drejtorit të Përgjithshëm Ardi Veliu të ushtrojnë autoritetin e tyre institucional për vënien para përgjegjësisë të autorëve dhe urdhërdhënësve të kësaj dhune mbi gazetarët. Organizata jonë u adreson këtyre dy autoriteteve institucionale ankesën publike për shtimin e rasteve të shantazhit, kërcënimit të drejtëpërdrejtë dhe të tërthortë mbi gazetarët. Gjejmë rast të rishprehim ankesën tonë, si organizata më e madhe e gazetarëve profesionistë në vend, për vijimin e praktikës së rasteve goditjeve, atentateve dhe kërcënimeve të pazbardhura e të pahetuara deri në fund ndaj disa gazetarëve. Ne konstatojmë se shtimi i këtyre rasteve, ripërsëritja e tyre si dhe praktikat e shpeshta të mungesës së transparencës dhe informimit institucional, janë më shumë se një shmangie nga ligji, një precedent i rrezikshëm me pasoja dhe efekte tejet negative në marrëdhëniet institucionale mes mediave në përgjithësi dhe policisë së shtetit.
Zyra e Shtypit
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
PS. Video nga shoqërimi policor i reporterit Elvis Hila në datën 17.06.2020 në mjediset e plazhit në Shëngjin