Kreu i PD, Lulzim Basha pas takimeve me sipërmarrësit e vegjël në Tiranë ka thënë se situata e krizës pas pandemisë mund të ndryshojë nëse shqiptarëve u kthehen lekët e grabitura.
STATUSI NGA LULZIM BASHA
Sot bisedova me sipërmarrës të vegjël, dhe banorë të njësisë 9 në kryeqytet.
Kriza ekonomike po thellohet çdo ditë. Fuqia blerëse ka rënë, faturat e dritave dhe të ujit janë dyfishuar gjatë muajve të pandemisë dhe bizneset nuk kanë asnjë mundësi të paguajnë qiratë apo punonjësit. Pronarët përplasen me qiramarrësit sepse nuk kanë marrë qiratë me të cilat jetojnë dhe asnjë dëmshpërblim nga qeveria edhe pse iu premtua.
Mijëra sipërmarrje dhe të vetëpunësuar janë në prag falimenti. Bilanci është tronditës. 60 biznese mbyllen në ditë. Njerëzit po humbasin vendet e punës ndërsa qeveria nuk ka asnjë plan për ta. Shumë familjeve po u sosen mundësitë për mbijetesë.
RAMAVIRUSI shkatërroi ekonominë dhe varfëroi shqiptarët. Edi Rama përdori lekët e shqiptarëve për të paguar oligarkët dhe jo për të ndihmuar familjet shqiptare, që sot jo vetëm në Tiranë po në çdo cep të Shqipërisë i kanë tryezat bosh dhe shpresën të copëtuar nga lënia pas dore.
Kjo situatë mund të ndryshojë vetëm duke kthyer vëmendjen tek qytetarët, duke i’u kthyer paratë e vjedhura e të grabitura nga kjo qeveri gjatë viteve dhe në veçanti gjatë muajve të fundit të pandemisë. Duke i kthyer qytetarëve një qeverisje normale, duke ulur taksat, duke thithur investime të huaja, duke hapur ekonominë dhe duke bërë të mundur që të mirat materiale të këtij vendi t’i gëzojnë shqiptarët dhe jo vetëm një grusht oligarkësh.