Instituti Pedagogjik publikon raportin për efektin e organizimit të mësimit në distancë, ja rekomandimet që jep

0
72

Rrethanat e krijuara me pandeminë ndryshuan rrjedhën e proceseve normale në të gjitha poret e shoqërisë, pjesë e së cilave është edhe sistemi arsimor në Kosovë.

Për të mos humbur procesin mësimor, Ministria e Arsimit organizoi mësim online, sipas një programi të përcaktuar për mësim nga distanca.

Instituti Pedagogjik i Kosovës, ka realizuar një hulumtim me qëllim të pasqyrimit të gjendjes, sfidave, por edhe nxjerrjen e mësimeve për të ardhmen e nxënësve, mësimdhënësve dhe të vetë sistemit arsimor.

Sipas IPK-së, organizimi i mësimit në distancë në kushte pandemie globale paraqet një SWOT, (punë e rëndë), analizë të funksionimit të sistemit arsimor dhe të mekanizmave përbërës të tij.

“Këtë duhet marrë në konsideratë në të ardhmen, jo vetëm në rrethanat e organizimit ‘aksidental’ të mësimit, por edhe për rrethanat normale”.

“Për shkak të situatës së ngutshme për përgatitjen dhe realizimin e e-mësimit, u evidentuan një varg mangësish teknike. Këto mangësi ishin jo vetëm pasojë e mjedisit dhe teknologjisë së realizimit, por edhe e përgatitjes së ‘skenarëve’ mësimorë nga mësuesit”, thuhet në hulumtim.

Sipas një anketimi nga IPK, me pyetje të hapura, të bërë me disa mësues, të cilët kontribuuan në këtë proces, nuk kishin pasur përvojë, por edhe udhëzime paraprake për përgatitjen e skenarëve mësimorë.

“Kishte raste kur pamjet vështirë shiheshin, shkronjat e vogla, prapavija me ngjyra, por kishte edhe qasje dhe përgatitje shumë serioze e profesionale, deri te eksperimentet dhe skemat e ndryshme për konkretizim të mësimeve e proceseve. Xhirimi ishte pjesa që më së shumti lë për t’u dëshiruar. Emisioni transmetohej pa ndonjë montazh të mirëfilltë, por me gabime, e lëshime të cilat ia zbehnin rëndësinë e një ore mësimore. Kjo sigurisht ka ndikuar edhe në imazhin e mësimdhënësve, të cilët ishin shumë të përkushtuar, por pa përvojë të këtillë, me kamera”, thuhet më tej.

“Prandaj, mësimet kryesore nga ky proces ishin: mobilizimi institucional, i mësimdhënësve, i prindërve i nxënësve, nevoja për teknologji, nevoja për zotërimin e teknologjisë, nevoja për ndryshime në sistemin e qasjes ndaj zhvillimit profesional të mësimdhënësve, nevoja për ndryshimin dhe avancimin e përgatitjes së mësimdhënësve në fakultet, nevoja për plotësimin e shkollave me pajisje të teknologjisë mësimore, nevoja për avancimin dhe promovimin e bashkëpunimit me prindër, nevoja për promovimin e bashkëpunimit ndërkolegial brenda dhe jashtë shkollës, nevoja për ndërtimin e institucionit të përgjegjësisë dhe të llogaridhënies, ndryshimi i sistemit të gradimit/diferencimit dhe të motivimit të mësimdhënësve, përfshirja e profesionistëve në hartimin e politikave arsimore, fuqizimi dhe promovimi i mekanizmave vertikalë dhe horizontalë për rritjen e cilësisë dhe të sasisë së bashkëpunimit ndërmjet aktorëve kryesorë në kuadër të sistemit, sidomos ndërmjet mësimdhënësve dhe mësimdhënësve me prindër”, theksohet në hulumtim.

Rekomandimet e Institutit Pedagogjik të Kosovës

Të vendosen politika të qarta lidhur me rëndësinë/domosdoshmërinë e përdorimit të teknologjisë në funksion të mësimdhënies dhe të nxënit, si burim i pazëvendësueshëm i njohurive.

Të hartohet platforma kombëtare për transformimin digjital të shkollave dhe të arsimit, e cila duhet të shihet si një detyrim i dalë nga mësimet e kësaj periudhe të mësimit në distancë dhe nevojë për të ofruar edukim cilësor për të gjithë fëmijët;

Të bëhet një analizë gjithëpërfshirëse e cilësisë së mësimdhënies, e cilësisë së hallkave të funksionimit në të gjitha nivelet e shkollimit para universitar në Kosovë;

Të bëhet një vlerësim i përgjithshëm i cilësisë së zbatimit dhe sfidave të KK të ri, me theks në cilësinë e përgatitjes së mësimdhënësve për këtë aspekt; cilësinë e trajnimeve dhe të informatave që kanë lidhur me kërkesat dhe qasjet e zbatimit të KK;

Të rishikohen të gjitha politikat dhe programet e zhvillimit profesional të vazhdueshëm, të vlerësimit të performancës dhe të licencimit e gradimit të mësuesve;

Politikat e regjistrimit të kandidatëve për mësimdhënës të harmonizohen me kahet e zhvillimeve në arsim, në vend, dhe më gjerë.

Të rishikohen format e bashkëpunimit me prindër dhe komunitetin në përgjithësi, në funksion të avancimit të cilësisë së shkollimit në vend, duke i bërë ata aktorë dhe pjesë e përgjegjësisë nacionale në arsim;

Të punohet më shumë, duke funksionalizuar mekanizmat e ndërgjegjësimit të nxënësve për rolin e tyre në avancimin e proceseve në sistemin arsimor./Telegrafi/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here