Ç’pritet pas pezullimit të hyrjes së emigrantëve në SHBA? Sqaron avokati amerikan

0
88

Të rejat e fundit mbi ndalimin e emigracionit si dhe statusin e takimeve për intervista. Për çështje të emigracionit jep sqarime avokati amerikan Kieran Both.

Sipas Both: Më 22 prill, 2020 presidenti Trump lëshoi një proklamatë sipas së cilës u pezullohet hyrja si emigrantë në SHBA atyre personave që:

Në datën e futjes në fuqi të proklamatës ndodheshin jashtë Shteteve të Bashkuara.

Nuk kanë një vizë të vlefshme emigruese duke filluar nga data 23 prill, 2020; dhe

Nuk janë të pajisur me dokument të vlefshëm udhëtimi duke filluar nga data 23 prill, 2020, ose që u është lëshuar një i tillë pas kësaj date.

Proklamata hyri në fuqi më 23 prill, 2020 dhe mbetet në fuqi për të paktën 60 ditë. Ajo mund të shtyhet si dhe të pësojë ndryshime.

Përjashtohen nga proklamata kategoritë e mëposhtme:

Personat e pajisur me green card;

Personat si dhe bashkëshortët dhe fëmijët përkatës, që duan të vijnë në Shtetet e Bashkuara si doktorë, infermierë apo punonjës në fushën e mjekësisë; ose për t’u përfshirë në veprimtari kërkimore shkencore ose në një veprimtari tjetër të nevojshme që lidhet me luftën kundër COVID-19-ës;

Personat që kanë aplikuar për t’u futur në Shtetet e Bashkuara si investitorë, me vizë emigruese EB-5;

Bashkëshortët dhe fëmijët nën moshën 21 vjeç të nënshtetasve amerikanë, përfshirë këtu dhe fëmijët e adoptuar të përfshirë në kategoritë e vizave IR-4 dhe IH-4;

Personat që do të çojnë përpara objektivat për vënien në jetë të ligjeve të SHBA-së (siç parashikon DHS-ja dhe DOS-ja);

Pjesëtarët e Forcave të Armatosura si dhe bashkëshortët dhe fëmijët përkatës;

Nënshtetasit afganë dhe irakenë që janë përkthyes ose të punësuar nga qeveria amerikane si dhe bashkëshortët apo fëmijët e tyre që kanë kërkuar të futen në SHBA me viza për emigrantë të posaçëm;

Personat, prania e të cilëve në SHBA i shërben interesave kombëtare (siç parashikon DHS-ja dhe DOS-ja).

Personave që kanë viza jo-emigruese si dhe atyre që kërkojnë azil NUK u është ndaluar ardhja në SHBA.

Që prej datës 20 mars, 2020, janë pezulluar shërbimet e zakonshme të vizave në të gjitha ambasadat dhe konsullatat e SHBA-së nëpër botë. Ambasadat dhe konsullatat amerikane vazhdojnë të ofrojnë shërbime për marrje vizash në raste urgjente, gjithnjë brenda mundësive.

Departamenti i Shtetit ka ndërmend të vazhdojë të shqyrtojë aplikimet për viza të fermerëve dhe profesionistëve në fushën e mjekësisë që vijnë për të ndihmuar në luftën kundër COVID-19-ës.

Zyrat e USCIS-it po përgatiten të rihapen më 4 qershor, 2020.

Më 18 mars, USCIS-i pezulloi përkohësisht shërbimet e zakonshme të ofruara përmes takimeve në filialet e saj, zyrat e azilit dhe në qendrat ASC, për të ndihmuar kështu në ngadalësimin e përhapjes së koronavirusit (COVID – 19). USCIS po përgatitet të rihapë zyrat më ose pas 4 qershorit, 2020.

Punonjësit e këtyre zyrave kanë vazhduar të kryejnë shërbime të rëndësishme për të cilat nuk nevojiten takimet ballë për ballë me publikun.

Ndërkohë që zyrat qëndrojnë përkohësisht të mbyllura, USCIS-i do të vazhdojë të ofrojë shërbime të kufizuara urgjente të cilat kërkojnë që personi të paraqitet vetë.

Filialet e USCIS-it do t’u dërgojnë aplikantëve dhe peticionerëve njoftime për takimet dhe ceremonitë e marrjes së nënshtetësisë të cilat u prekën nga shtyrja e mëtejshme e mbylljes së përkohshme të zyrave përkatëse.

Zyrat e USCIS-it që merren me azilet do të dërgojnë njoftime për anullimin e intervistave për azil si dhe do të caktojnë automatikisht takimet e reja.

Kur të caktohen takimet e reja, ata që kanë bërë kërkesë për azil do të marrin një njoftim të ri me orën, datën dhe vendin e ri të intervistës.

Kur USCIS-i të rinisë gamën e aktiviteteve që lidhen me shërbimet ku personi duhet të paraqitet vetë, USCIS do të ricaktojë takimet e reja ASC të cilat u anulluan për shkak të mbylljes së përkohshme të zyrave.

Personave të interesuar do t’u vijë njoftimi me postë. Me t’u hapur filialet përkatëse për publikun e gjerë, individët që kishin caktuar takime përmes InfoPass-it apo takime të tjera, duhet të caktojnë takime të reja nëpërmjet USCIS Contact Center.

Përpara se të merrni në telefon qendrën në fjalë, ju lutemi që të kontrollini më parë nëse zyra përkatëse është hapur.

Për përditësime, ju këshillojnë të vizitoni faqen e internetit në adresën uscis.gov/coronavirus. Për të rejat më të fundit lidhur me statusin e një zyre të caktuar, vizitoni faqen e internetit USCIS Office Closings./Mare nga Illyria

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here